Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Për katër minuta” PS miraton projektligjin që i zgjat mandatin Skënder Gjinushit

“Kalojmë te votimi i projektligjit në tërësi. Kush është dakord me projektligjin. Kush është kundër? Nuk ka. Abstenim? 3. Faleminderit!” 

Kështu u mbyll sot mbledhja e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, e cila zgjati vetëm 4 minuta. Në këtë mbledhje iu dha drita jeshile projektligjit për Akademinë e Shkencave, me praninë e vetëm 10 anëtarëve të Partisë Socialiste.

Kryetarja e komisionit Flutura Açka bashkë me grupin opozitar nuk ishin të pranishëm, ndërsa anëtarët e komisionit nga ana e Partisë Socialiste shfrytëzuan një pikë të rregullores së Kuvendit që lejon ¼ e anëtarëve të komisionit të kryejnë mbledhjen.

Mbledhja katër minutëshe u drejtua nga nënkryetari i komisionit dhe njëherazi deputeti socialist Petro Koçi, i cili bashkë me deputetin Ismet Beqiraj ishin propozues të këtij projektligji.

“Në mënyrë të parregullt, kryetarja e komisionit nuk ka lejuar votimin dhe procedimin sipas rregullores për ti dhënë fund të gjithë kësaj odiseje, megjithëse ka qenë i përcaktuar qartazi edhe në kalendar dhe ka qenë detyrë e komisionit dhe kryetares që ta përfundonte votimin, pavarësisht se ajo është kundër”,-deklaroi Petro Koçi për kryetaren e komisionit, Flutura Açka, ndërsa theksoi se janë kryer të gjitha dëgjesat e nevojshme dhe ky projektligj ka marrë mbështetjen.

Nga ana tjetër, kryetarja e komisionit, Flutura Açka e konsideroi një puç parlamentar në kundërshtim të plotë me rregulloren.

“Me forma tipike ilegale, me një ngut të pajustifikuar, në kundërshtim të plotë me Rregulloren e Parlamentit, duke i bërë presion të hapur kolegëve të shumicës, anëtarë të KPEMIP, duke e detyruar hapur stafin e komisionit dhe stafin e Kuvendit që mbikëqyr punën e komisioneve që të shkelë Rregulloren, në sulm të hapur ndaj zgjedhjeve të lira në Akademinë e Shkencave të RSH dhe kundër dëshirës së Asamblesë së ASH-së, në fyerje të hapur të autonomisë që i jep ligji këtij institucioni, këta dy kolegë po përpiqen ta quajnë të kryer misionin e tyre të nisur prej muajsh në shërbim personal ndaj Skënder Gjinushit”,-u shpreh Açka. 

“Ka mbështetjen e të gjithë Asamblesë së Akademisë së Shkencave dhe këtu kemi bërë dëgjesa të plota jo vetëm me të vetmin anëtar të kësaj akademie Z. Fuga që është kundra këtij projektligji, por edhe me drejtues të akademisë. Pastaj edhe me iniciatorin Z.Beqiraj dhe gjithashtu janë zhvilluar diskutime të tjera nga deputetët të opozitës dhe të mazhorancës të këtij komisioni”,-përfundoi Koçi para kalimit të projektligjit në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Procedurën e njoftimit të anëtarëve të komisionit e ka denoncuar edhe akademiku Artan Fuga i cili përmes një fotoje tregon se janë njoftuar anëtarët për mbledhje pasi ajo ka përfunduar.

“Mbledhja e zhvilluar ne ora 11!Kerkesa për t’u mbledhur atje behet ne ora 14 e ca!”-u shpreh Fuga, i cili është pozicionuar kundër këtij projektligji.

Në një mbledhje të mëhershme të komisionit ku i pranishëm ishte edhe kreu i Akademisë Skënder Gjinushi, ai e mbrojti projektligjin duke u shprehur mes të tjerash se do të hiqeshin nenet ku flitej për fonde, pasi do duhej përgjigja e qeverisë shqiptare dhe kjo merrte kohë.

Skënder Gjinushi e ka mbyllur mandatin e tij 4-vjeçar në krye të Akademisë, dhe duke u miratuar ky projektligj ai fiton të drejtën për tu zgjedhur sërish në krye të Akademisë.

53 akademikë firmosin për projektligjin

Në një letër drejtuar Kuvendit lidhur me variantin e fundit të projektligjit të Akademisë së Shkencave, 53 akademikë firmosën duke e konsideruar projektligjin në përputhje të plotë me projektin e miratuar në Asambleja.

“Pasi u njohëm me variantin e paraqitur nga deputetët nismëtarë, pranë Kuvendit dhe Komisionit të Edukimit, pajtohemi plotësisht me të dhe e gjejmë në parim në përputhje të plotë, madje të përmirësuar nga ana teknike, me projektin e miratuar nga Asambleja me vendimin e saj nr.50, të datës 08.09.2022, pasi në të pasqyrohen arsyet kryesore se përse u ndërmor ky projektligj, siç është hapja e mëtejshme e studiuesve shqiptarë jashtë vendit etj”, -u shprehën akademikët përmes letrës.

Kundërshtimet për projektiligjin e Akademisë së Shkencave

Akademiku Artan Fuga e ka kundërshtuar projektligjin duke e konsideruar një gabim metodologjik.

“Nëse do të ndodhë kjo ne do të kemi një ligj kundërthënës që do ta kthejë akademinë edhe më tepër në një institucion i cili do të lëvizë midis kundërthënieve logjike, midis gjërave që janë edhe po edhe jo”,-argumentoi Fuga.

Ndërsa nuk hezitoi të shprehte faktin se relacionin shoqërues i projektligjit, në vend që të sqaronte propozimin kishte shumë kundërthënie.

Artan Fuga

“Çfarë objektivi mendohet të arrihet, duke bërë që jo vetëm kryetari, por të pestë anëtarët e kryesisë mund të qëndrojnë në të njëjtat poste dhe mund të postulojnë për të njëjtat poste për tetë vjet radhazi, duke e ndryshuar ligjin. Nuk ka asgjë. Çfarë objektivash kërkohen të arrihen kur propozohet që kryetari të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe pas moshës 75 vjeç? Përderisa nuk ka objektiva, nuk mund të ketë dhe argumente që të justifikojnë ndryshimet ligjore për ti arritur ato objektiva. Përkundrazi, ka propozime për ndryshime ligjore pa objektivat që duhen arritur. Mua më duket se kërkesa proceduriale, jo vetëm që nuk është respektuar, por është kthyer mbrapsht”,-argumentoi Fuga.

Fuga u shpreh se “është një projekt-amendamen, i cili nuk ka asnjë gjurmë që të ketë ardhur si propozim i akademikëve”. 

Projektligji parashikon shfuqizimin e togfjalëshit “por jo radhazi” në nenin 3 të ligjit aktual, i cili kufizon mandatin e kreut të institucionit.

Ky ndryshim është akuzuar si i porositur nga kryetari aktual Skënder Gjinushi, që synon të rizgjidhet sërish në krye të Akademisë së Shkencave.

‘Ky propozim dëshiron të na japë një riformulim të ri sipas së cilit kryetari, zëvendës/kryetari, sekretari shkencor, drejtuesit e seksioneve, pra gjithë ekipi drejtues në bllok të kenë mundësi të rizgjidhen në funksion për dy mandate. Aktualisht është për dy mandate, jo në vazhdimësi. Që do të thotë, dy mandate, katër kaluan edhe 8 bëjnë 12. Edhe sikur të mos jetë kështu por praktika ka treguar që kështu është interpretuar, aktualisht që të kemi mundësinë e rimarrjes së mandateve”,– u shpreh Fuga.

Sipas Artan Fugës, Akademia e Shkencave vërtitet rreth tre funksioneve që nuk janë ato që duhet.

“E para, do të marrë rolin e një agjencie tutele mbi Institutet e Albanologjisë. E dyta, ka marrë pak rolin e një instituti kërkimesh pa pasur mjetet edhe njerëzit për të përballuar fusha heteroklite kërkimesh që fillojnë nga sizmologjia, nga teknologjia, gjuhësia, historia dhe me thënë të drejtën nuk njoh në botë ndonjë institut të kërkimeve shkencore të jetë ndërtuar në ketë mënyrë, ku mos të ketë një koherencë fushe. Së treti, ka marrë kuptimin e një agjencie që bën aktivitete shkencore ndihmëse, siç mund ti bënte një laborator. Që nuk janë absolutisht të pavlefshme, por janë ndihmëse”,-u shpreh akademiku Fuga para komisionit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *