Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Nuk jemi pakicë”, studentët e mjekësisë protestojnë para Kuvendit

Studentët e mjekësisë u rikthyen sërish në protestë kundër projektligjit që i detyron të punojnë në Shqipëri pesë vite pas përfundimit të studimeve.

Sot në Kuvend po mbahet seanca e fundit plenare, ku pritet të miratohet projektligji i propozuar nga Rektorati i Universitetit të Mjekësisë së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit.

Me thirrjen e vazhdueshme “Anuloni projektligjin! Zero kompromis!”, studentët deklaruan para godinës së Kuvendit se e kundërshtojnë këtë nismë të qeverisë pasi shkon përtej të drejtës për të zgjedhur vetë studimet dhe vendin e punës.

Deklaratës së Ministres së Arsimit Evis Kushi se studentët që e kundërshtojnë këtë projektligj janë pakicë, ata iu përgjigjën duke sjellë me vete një peticion me firmat e studentëve.

“Kemi peticionin me vete i cili është firmosur nga të gjitha grupet e mjekësisë së përgjithshme. Evis Kushi, Ministrja e Arsimit thotë me të madhe ata janë pakicë, peticioni nuk është 10 vota e as 100, por janë të gjitha grupet e mjekësisë së përgjithshme nga i pari te i fundit”, -u përgjigj Dea Guri, studente e mjekësisë së përgjithshme.

Studentët përsëritën kërkesat e tyre për cilësi në mësimdhënie dhe përmirësim të kushteve në ushtrimin e detyrës si mjekë.

“Çfarë i mungon Shqipërisë ndryshe nga Evropa që nuk e gjejmë veten të jetojmë dhe të punojmë në këtë vend? A krahasohen kushtet në mësime dhe në punë me Evropën? A krahasohen pagat që mjekët, specialistët apo mjekë të përgjithshëm marrin me Evropën? A krahasohen politikat nxitëse, motivuese, ndihmuese në vendet evropiane me politikat detyruese të vendit tonë? – u shpreh me megafon Trevor Xhixha, viti i katërt, mjekësi e përgjithshme

Ata u shprehën se kjo nismë po kalonte pa transparencë dhe pa u konsultuar me ta dhe grupet e interesit. Ndërsa dy ditë më parë përmes një letre i kërkuan kryetare se Kuvendit, Lindita Nikolli që të pranoheshin për të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve ku po diskutohej ky projektligj.

“Deri tani nuk jemi pranuar në asnjë komision përvec atij të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Ju rikujtojmë që sot ky projektligj shqyrtohet në Komisionin për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut si edhe në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ne si grup interesi kemi të drejtën ligjore që të jemi të pranishëm dhe të dëgjohemi në Komisionet përkatëse. Ju lutemi si kryetarja e Kuvendit të mundësoni pjesëmarrjen tone”, -thuhej në letrën drejtuar Nikollës.

Kjo është protesta e katërt e studentëve të mjekësisë, të cilët u shprehën se nëse projektligji kalon në Kuvend do të bojkotojnë vitin e ardhshëm akademik si dhe do ti drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe deri te Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

Në vetëm një muaj, qeveria shqiptare arriti të finalizojë të gjithë hapat e procedurës për konsultimin, shqyrtimin dhe miratimin e ligjit, pavarësisht kundërshtisë së studentëve.

Çfarë parashikon projektligji për studentët e mjekësisë?

“Çdo student që do të hyjë në universitetin e mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për tu pajisur me diplomë duhen edhe 5 vjet në shërbim të këtij populli.”,– u shpreh  Kryeministri Rama në 5 korrik gjatë njoftimit për vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave.

Projektligji parashikon që studentët do të nënshkruajnë një marrëveshje për të qendruar 11 vite në Shqipëri, 6 nga të cilat janë studim dhe 5 vite punë, e më pas kanë të drejtë të tërheqin diplomën.

Sipas Ministres së Arsimit, Evis Kushi do të ketë marrëveshje të ndryshme për studentët që do të hyjnë në vitin e parë të shkollës së mjekësisë dhe për ata të cilët janë momentalisht duke ndjekur studimet.

“Kandidatët për studentë përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me universitetin e mjekësisë me ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Shëndetësisë për tu angazhuar që do të qëndrojnë pesë vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet tona shëndetësore. Dhe diplomën do ta tërheqin pas përmbushjes së këtij detyrimi”,-u shpreh Kushi.

Studentët të cilët janë në sistem dhe nuk do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen do të paguajnë “koston reale të vitit shkollimit, për vitet e mbetura akademike”, por asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë nuk e qartësoi sa është kjo kosto.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur edhe lajmin se përpos projektligjit do të ketë edhe rritje të numrit të kuotave për studentët e mjekësisë.

“Në vitin 2024 ne së bashku me Ministrinë e Arsimit, Universitetin e Mjekësisë do të rrisim numrin e kuotave të pranimeve në mjekësi duke e çuar në 500 kuota pranimi”, -tha Manastirliu.

Sa i përket specializimeve, ministrja e arsimit u shpreh se do të ketë disa drejtime për mënyrën si do të kategorizohen.

“Nëse specializantët e paguajnë vetë tarifën, do të konsiderohet periudhë punësimi. Ndërsa në rast se është e mbuluar nga Ministria e Shëndetësisë sigurisht ata nënshkruajnë një marrëveshje paraprake me Ministrinë e Shëndetësisë, përpara specializimit dhe kanë detyrimin të përmbushin ato detyrime që tashmë janë në fuqi”.

QQ: “Universiteti i mjekësisë trefishoi kostot e studimit para miratimit të ligjit”

Organizata “Qëndresa Qytetare” që advokon në fushën e arsimit përgënjeshtroi  pretendimin se kostoja e një viti studimi në Fakultetin e Mjekësisë është 6800 euro. Kjo shifër është përcaktuar në relacionin e projektligjit, si shuma që duhet të paguajnë mjekët dhe infermierët që nuk do të pranojnë të qëndrojnë deri në pesë vite në Shqipëri pas diplomimit.

Përmes një përgjigjeve zyrtare, UMT është shprehur se në vitin 2019, kostoja e një viti akademik për një student ishte 2300 euro, shifër që thuajse trefishohet në vitin 2023. Sipas UMT-së, kostoja e vitit akademik në 2023-shin për një student ishte 6400 euro.

Problemi i dytë është mospërputhja mes kostos së përllogaritur nga UMT e cila është 6400 euro dhe asaj të vendosur në relacionin e qeverisë, 6800 euro”, – tha Qëndresa Qytetare përmes një deklarate publike.

Sipas Qëndresës Qytetare kemi të bëjmë me një shtesë fiktive në kurriz të studentëve të mjekësisë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *