Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Organizatat e medias i kërkojnë drejtuesit të RTSH-së të ndalë shkarkimet arbitrare

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt i dërgoi Radio Televizioni Shqiptar, Kuvendit dhe AMA-s një letër që ngre shqetësime për shkarkimet e stafit të medias publike.

“Javën e kaluar dhe pas zgjedhjes suaj si Drejtor i Përgjithshëm i RTSH më 13 qershor 2023, kemi marrë ankesa formale dhe burime të besueshme për një shkelje të mundshme në procesin e rregullt ligjor në lidhje me shkarkimin e stafit të medias, por edhe punësimin e stafit të ri pa proces të rregullt ligjor. Siç mund ta dini, për këtë kanë reaguar edhe shoqatat e gazetarëve në Shqipëri dhe Federata Evropiane e Gazetarëve”,-thuhet në letrën e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt.

Ata kërkuan respektim të të drejtave në punë të gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke ndjekur një proces transparent.

“Ndërkohë që e kuptojmë nevojën e ristrukturimit dhe kryerjes së ndryshimeve programore në RTSH, ne jemi ende të shqetësuar për procesin e largimit nga puna dhe efektin që ka tek punonjësit”.

Shqetësim ngriti edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, të cilët u shprehën se kanë marrë ankesa të shumta për ndëshkime administrative dhe ndërprerje të marrëdhënieve të punës me firmën e drejtorit të ri të Përgjithshëm, zotit Alfred Peza.

“Burime nga gazetarë dhe punonjës të medias publike, konfirmojnë për Zyrën tonë Informuese se janë disa dhjetra punonjës të këtij institucioni që po përballen me vendime të formës së prerë për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës dhe mbylljen e kontratës së punësimit. Sikundër mësojmë se aktualisht 10 gazetarë, operatorë dhe pjestarë të redaksive të programacionit dhe Radio Tiranës kanë nisur procedurat e ankimimit në gjykatë të vendimit të drejtuesit të këtij institucioni”,-thuhet në deklaratën e Unionit në rrjetin social Facebook.

Unioni thekson se këto lëvizje krijojnë një klimë tensioni.

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë vendime të tilla ekstreme i konsideron arbitrare dhe përbëjnë një klimë tensioni, presioni dhe ndëshkimesh ndaj gazetsrëve, aq më tepër në kushtet kur në këtë institucion nuk ekzistojnë përfaqësime sindikale dhe struktura dialoguese mes administratorëve dhe entiteteve profesionale apo punonjësve që largohen”. 

Përpos nevojës për reformim Unioni i Gazetarëve shprehet se këto masa kanë efekte të rënda sociale.

“UGSH e konsideron të nevojshëm reformimin e Radio Televizionit Publik Shqiptar dhe sidomos nxjerrjen nga ” kthetrat” e letargjisë dhe parazitarizmit të shumë strukturave dhe të individëve që prej vitesh apo edhe dekadash vegjetojnë nëpër zyra dhe skutat e vjetërruara të këtij institucioni, por nuk mund të pranohen masa drastike, me efekte të rënda sociale dhe me penalizime të cilat mund të rezultojnë edhe si penalitet financiar ndaj vetë institucionit, për shkak të vendimeve të pritshme të gjykatave në favor të punonjësve të larguar”.

Rjeti i Gazetarëve të Sigurt kërkoi sqarim nga ana e drejtorit të përgjithshëm Alfred Peza, nëse ka pasur pushim të gazetarëve dhe punonjësve të medias si dhe arsyet e këtyre pushimeve.

“Që RTSH të ruajë besueshmërinë dhe besimin e punonjësve dhe publikut, është thelbësore që Drejtori i Përgjithshëm të sqarojë bazën e këtyre ndryshimeve të personelit, duke demonstruar se u ndoqën kanalet dhe procedurat e duhura siç e kërkon ligji”.

Ata u shprehën se “RTSH është një institucion publik dhe të gjithë qytetarët kanë të drejtë të kenë një informacion të tillë dhe arsyet e pushimeve të mundshme”. 

Ricardo Gutierrez, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, EFJ, tha gjithashtu se ata ishin të alarmuar për shkarkimet arbitrare.

“Jemi të alarmuar nga vala e shkarkimeve arbitrare të urdhëruara nga drejtori i ri i televizionit publik shqiptar #RTSH, zoti Peza. Ftojmë të gjithë gazetarët e synuar të informojnë”,- u shpreh Gutierrez.

Më herët, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt e ka përcjellë me shqetësim përzgjedhjen e Alfred Pezës në krye të RTSH-së. Përmes një letre drejtuar Autoritetit të Mediave Audiovizuale (AMA) Rrjeti shpreh shqetësim për historinë politike dhe çështjet ligjore të Z.Peza.

“Më tej, neni 10 i Statutit të RTSH-së nënvizon domosdoshmërinë e ruajtjes së neutralitetit politik për rolin e Drejtorit të Përgjithshëm, duke thënë se “Drejtori i Përgjithshëm nuk duhet të marrë udhëzime nga një grupim apo parti politike”. Megjithatë, duke marrë parasysh sfondin e konsiderueshëm politik të zotit Peza dhe shtrirjen e përfshirjes së tij në veprimtari partizane, bëhet e vështirë të parashikohet se si do të ruhet pavarësia dhe neutraliteti i nevojshëm politik”,-u shpreh në qershor Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *