Citizens.al

Asnjë surprizë nga Kuvendi, miratohet ligji për Akademinë e Shkencave dhe studentët e mjekësisë

Kuvendi i Shqipërisë mbylli dje punimet për këtë sezon. Gjatë seancës që zgjati deri në orët e para të mëngjesit, deputetët e Partisë Socialistë përdorën votat për të miratuar ligjet e debatura për studentët e mjeksëisë dhe Akademinë e Shkencave.

Kuvendi miratoi me 71 vota pro dhe 23 kundër projektligjin që i detyron studentët e mjekësisë të punojnë në Shqipëri pesë vite pas diplomimit.

Studentët të cilët e kanë kundërshtuar këtë ligj qëndruan para Kuvendit në shenjë proteste deri pas mesnate. Ndërsa gjatë ditës ata protestuan duke paralajmëruar që do të bojkotojnë vitin e ardhshëm akademik.

Në të njëjtën seancë kaloi edhe një tjetër projektligj po aq i debatuar, sikurse ai i Akademisë së Shkencave, me 70 vota pro, 23 kundër dhe 2 abstenim. Sipas këtij ligji, kreut të Akademisë, Skënder Gjinushi i lejohet të ketë një mandat të dytë, i pamundësuar me ligjin e mëparshëm.

Edhe ky projektligj kaloi përmes debateve që nisën që në diskutimet në komisionet parlamentare.

Seanca e fundit plenare zgjati për rreth 19 orë dhe bashkë me projektligjet e tjera kaloi edhe ai për legalizimin e kanabisit mjekësor.

Çfarë parashikon projektligji për studentët e mjekësisë?

“Çdo student që do të hyjë në universitetin e mjekësisë do të duhet paraprakisht të njihet me faktin që mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për tu pajisur me diplomë duhen edhe 5 vjet në shërbim të këtij populli.”,– u shpreh  Kryeministri Rama në 5 korrik gjatë njoftimit për vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave.

Projektligji parashikon që studentët do të nënshkruajnë një marrëveshje për të qendruar 11 vite në Shqipëri, 6 nga të cilat janë studim dhe 5 vite punë, e më pas kanë të drejtë të tërheqin diplomën.

Sipas Ministres së Arsimit, Evis Kushi do të ketë marrëveshje të ndryshme për studentët që do të hyjnë në vitin e parë të shkollës së mjekësisë dhe për ata të cilët janë momentalisht duke ndjekur studimet.

“Kandidatët për studentë përpara regjistrimit në universitet do të nënshkruajnë një marrëveshje me universitetin e mjekësisë me ministrinë e Arsimit dhe me Ministrinë e Shëndetësisë për tu angazhuar që do të qëndrojnë pesë vite për punësim pas diplomimit të tyre në Shqipëri, në institucionet tona shëndetësore. Dhe diplomën do ta tërheqin pas përmbushjes së këtij detyrimi”,-u shpreh Kushi.

Studentët të cilët janë në sistem dhe nuk do të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen do të paguajnë “koston reale të vitit shkollimit, për vitet e mbetura akademike”, por asnjë nga përfaqësuesit e qeverisë nuk e qartësoi sa është kjo kosto.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur edhe lajmin se përpos projektligjit do të ketë edhe rritje të numrit të kuotave për studentët e mjekësisë.

“Në vitin 2024 ne së bashku me Ministrinë e Arsimit, Universitetin e Mjekësisë do të rrisim numrin e kuotave të pranimeve në mjekësi duke e çuar në 500 kuota pranimi”, -tha Manastirliu.

Sa i përket specializimeve, ministrja e arsimit u shpreh se do të ketë disa drejtime për mënyrën si do të kategorizohen.

“Nëse specializantët e paguajnë vetë tarifën, do të konsiderohet periudhë punësimi. Ndërsa në rast se është e mbuluar nga Ministria e Shëndetësisë sigurisht ata nënshkruajnë një marrëveshje paraprake me Ministrinë e Shëndetësisë, përpara specializimit dhe kanë detyrimin të përmbushin ato detyrime që tashmë janë në fuqi”.

Kundërshtimet për projektiligjin e Akademisë së Shkencave

Akademiku Artan Fuga e ka kundërshtuar projektligjin duke e konsideruar një gabim metodologjik.

“Nëse do të ndodhë kjo ne do të kemi një ligj kundërthënës që do ta kthejë akademinë edhe më tepër në një institucion i cili do të lëvizë midis kundërthënieve logjike, midis gjërave që janë edhe po edhe jo”,-argumentoi Fuga.

Ndërsa nuk hezitoi të shprehte faktin se relacionin shoqërues i projektligjit, në vend që të sqaronte propozimin kishte shumë kundërthënie.

“Çfarë objektivi mendohet të arrihet, duke bërë që jo vetëm kryetari, por të pestë anëtarët e kryesisë mund të qëndrojnë në të njëjtat poste dhe mund të postulojnë për të njëjtat poste për tetë vjet radhazi, duke e ndryshuar ligjin. Nuk ka asgjë. Çfarë objektivash kërkohen të arrihen kur propozohet që kryetari të vazhdojë të qëndrojë në detyrë edhe pas moshës 75 vjeç? Përderisa nuk ka objektiva, nuk mund të ketë dhe argumente që të justifikojnë ndryshimet ligjore për ti arritur ato objektiva. Përkundrazi, ka propozime për ndryshime ligjore pa objektivat që duhen arritur. Mua më duket se kërkesa proceduriale, jo vetëm që nuk është respektuar, por është kthyer mbrapsht”,-argumentoi Fuga.

Fuga u shpreh se “është një projekt-amendamen, i cili nuk ka asnjë gjurmë që të ketë ardhur si propozim i akademikëve”. 

Projektligji parashikon shfuqizimin e togfjalëshit “por jo radhazi” në nenin 3 të ligjit aktual, i cili kufizon mandatin e kreut të institucionit.

Ky ndryshim është akuzuar si i porositur nga kryetari aktual Skënder Gjinushi, që synon të rizgjidhet sërish në krye të Akademisë së Shkencave.

‘Ky propozim dëshiron të na japë një riformulim të ri sipas së cilit kryetari, zëvendës/kryetari, sekretari shkencor, drejtuesit e seksioneve, pra gjithë ekipi drejtues në bllok të kenë mundësi të rizgjidhen në funksion për dy mandate. Aktualisht është për dy mandate, jo në vazhdimësi. Që do të thotë, dy mandate, katër kaluan edhe 8 bëjnë 12. Edhe sikur të mos jetë kështu por praktika ka treguar që kështu është interpretuar, aktualisht që të kemi mundësinë e rimarrjes së mandateve”,– u shpreh Fuga.

Sipas Artan Fugës, Akademia e Shkencave vërtitet rreth tre funksioneve që nuk janë ato që duhet.

“E para, do të marrë rolin e një agjencie tutele mbi Institutet e Albanologjisë. E dyta, ka marrë pak rolin e një instituti kërkimesh pa pasur mjetet edhe njerëzit për të përballuar fusha heteroklite kërkimesh që fillojnë nga sizmologjia, nga teknologjia, gjuhësia, historia dhe me thënë të drejtën nuk njoh në botë ndonjë institut të kërkimeve shkencore të jetë ndërtuar në ketë mënyrë, ku mos të ketë një koherencë fushe. Së treti, ka marrë kuptimin e një agjencie që bën aktivitete shkencore ndihmëse, siç mund ti bënte një laborator. Që nuk janë absolutisht të pavlefshme, por janë ndihmëse”,-u shpreh akademiku Fuga para komisionit.

Teksa Kuvendi mbylli punimet, projektiligji për Minimumin Jetik i dërguar në Kuvend nga Lëvizja Bashkë më 21 nënshkrime qytetarësh, u la jashtë rendit të ditës dhe nuk u diskutua.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *