Lulishtja pas Pallatit të Operas dhe Baletit në qendër të Tiranës u rrethua mesnatën e djeshme me blloqe betoni. Një kullë prej 185 metrash do të ngrihet në këtë hapësirë të gjelbër, duke shënuar rekordin e ri për ndërtesën më të lartë të Tiranës.
Projekti i studios Daneze CEBRA, u zgjodh nga një juri e përbërë nga katër arkitektë, Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj në tetor 2022 dhe mori miratimin e Këshillit Kombëtar të Territorit në mars të këtij viti.
Kulla “Tirana Mount” – Foto: CEBRA
Aktivistët e Lëvizjes Bashkë denoncuan sot tjetërsimin e kësaj hapësire publike, duke i bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë për të ndaluar betonizimin e mëtejshëm të qytetit.
“Në vend që ti mbrojmë dhe ti përmirësojmë këto hapësira, vizioni i bashkisë së Tiranës dhe qeverisë është që të ndërtojë akoma më shumë kulla dhe më shumë beton. Kujt i leverdis më shumë ndërtimi i kësaj kulle?“, u shpreh Mirela Ruko, përfaqësuese e lëvizjes Bashkë në Këshillin Bashkiak.
“Tirana është një qytet ku fëmijët, të moshuarit, qytetarët e zakonshëm nuk kanë më hapësira publike, nuk kanë ku të marrin frymë. Tirana është një qytet jo vetëm i ndotur por edhe i shkatërruar edhe i kanibalizuar nga pikëpamja urbanistike. Të gjitha këto që po ndodhin kanë fajtorë, kanë njerëz që duhet të dalin përpara ligjit”, tha Arlind Qori, kryetar i Lëvizjes Bashkë.
“Qendra e Tiranës, një shesh ndërtimi pa kriter”
Qendra e Tiranës
“Mount Tirana” (Mali i Tiranës) është kulla e gjashtë që po ngrihet në qendrën e kryeqytetit, një zonë ku qeverisja qendrore dhe lokale i kanë lënë dorë të lirë investitorëve, duke neglizhuar miratimin e Planit të Detajuar Vendor, që përcakton koeficientet e shfrytëzimit, lartësisë dhe përdorimit të truallit.
Një investigim i Citizens Channel, shpjegon si Bashkia e Tiranës dhe qeveria shqiptare po zëvendësojnë godinat historike me kulla shumëkatëshe, duke anashkaluar një sërë procedurash ligjore.
Citizens Channel ka zbuluar se përgjatë viteve 2015-2021, 36 objekte monument kulture në Tiranë janë zhveshur nga statusi i mbrojtjes dhe deri tani 17 prej tyre janë kthyer në pallate.
“Amnisti dhe marrëveshje me ndërtuesit e kullave pa leje”
Në shtator 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një Vendim për sekuestrimin e sipërfaqeve të ndërtuara në tejkalim të lejes së ndërtimit. Vendimi u ndoq nga 10 akte konfiskimi, ku të gjitha ndërtimet pa leje i përkisnin zonave më të lakmuara të kryeqytetit, si qendra e Tiranës, Liqeni Artificial, Myslym Shyri, rruga Kont Urani dhe rruga e Elbasanit.
Citizens Channel analizoi vendimet, duke konstatuar se sipërfaqja e konfiskuar është 71,989 m2, barabartë me një kullë prej 144 katesh me një vlerë prej 127 milionë euro në çmimin e tregut.
Në qershor të këtij viti, VKM-ja u shoqërua me një projektligj që i jepte të drejtë pronarëve të riblenin katet e ndërtuara pa leje, ose t’i dhuronin ato duke i shpëtuar përgjegjësisë penale.
Shkelja e ligjit dhe ndërtimi pa leje nuk e frenoi Bashkinë e Tiranës që të lidhë marrëveshje të reja me kompanitë që abuzuan me lejet e ndërtimit.
Në mars të këtij viti, kompania “Ideal Konstruksion”, së cilës iu sekuestruan 4,646 m2 ndërtim në Kullën “Eyes of Tirana”, përfitoi 1042 metrat e godinës së ish-Dhomë së Tregtisë në qendër të Tiranës. Në këtë sipërfaqe do të ngrihen 24 kate ndërtim, ku 50% do i shkojnë Bashkisë së Tiranës.