Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Zbulimet në Shpirag, një “ngjarje e krijuar” ku u anashkaluan pyetjet me interes publik

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt ka reaguar ndaj qëndrimeve të Kryeministrit Edi Rama në konferencën e ditës së martë për çështjen e naftës në Shpirag.

Kryeministri thirri një konferencë për media, për të shpallur zbulimin e naftës në Shpirag dhe u kërkoi gazetarëve të mos bënin asnjë pyetje përtej kësaj çështje, që ai e gjykoi si “më e rëndësishmja për momentin”.

Megjithëatë Rama pranoi se nuk ka ende diçka konkrete rreth zbulimit të naftës në këtë zonë, duke u mbështetur “tek ndihma e zotit” që testet e kompanisë “Shell” në janar të vitit të ardhshëm të jenë të suksesshme.

Kjo pasiguri nuk e pengoi Kryeministrin të shpallte krijimin e një “fondi sovran”, që këtë pasuri të pretenduar do ta vërë në funksion të rritjes së pensioneve, pagave dhe investimeve, sipas modeleve të vendeve të pasura në resurse si Novergjia apo Emiratet Arabe.

Në vitin 2019, Rama premtoi se na ndanin “edhe pak javë” nga zbulimi i resurseve në Shpirag, të cilat do të kishin një impakt të konsiderueshëm në ekonomi duke nisur nga viti 2020.

Gjatë konferencës, Kryeministri i shmangu të gjitha pyetjet rreth çështjeve të aktualitetit, që nga inceneratorët tek koncesioni i sterilizimit i cili çoi në arrest emra zyrtarësh të lartë.

“Ju thashë në fillim që kjo konferencë nuk është për asgjë tjetër. Është vetëm për këtë zbulim të rëndësishëm, historik për Shqipërinë”, u shpreh Rama teksa nuk ju përgjigj asnjërës prej pyetjeve.

Gjuha intimiduese dhe ironizuese ndaj gazetarëve nuk mungoi as në këtë konferencë të kryeministrit, i cili pasi nuk ju përgjigj pyetjeve u tha gazetarëve “Shpresoj që kjo mos të sjellë një protestë për lirinë e shtypit”.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt shprehet në deklaratën për media se kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama ka këtë qasje ndaj gazetarëve.

“Tendencë e tij për të kritikuar gazetarët për pyetje që ai i sheh si të papërshtatshme dhe udhëzimin e tyre se cilat pyetje mund të pyesin ka ngritur shqetësime më parë midis mbrojtësve të lirisë së medias dhe gazetarëve”, thuhet në reagimin e rrjetit.

Ndër të tjera Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt thekson se kjo lloj qasje ngre shqetësime mbi transparencën dhe përgjegjshmërinë e liderëve ndaj medias dhe, në një kuptim më të gjerë, ndaj publikut.

“Mosdhënia e përgjigjeve ndaj pyetjeve të interesit publik, veçanërisht mbi çështje shumë shqetësuese, krijon një vijë të paqartë midis qëndrimit brenda temës së konferencës dhe krijimit të pengesave për marrjen e informacionit”, thuhet në deklaratë.

Liria e medias në Shqipëri është në nivele shqetësuese referuar raporteve ndërkombëtare.

Shqipëria shënoi regres në indeksin për sigurinë e gazetarëve.

Sipas Treguesit të Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri”, sistemi mediatik në Shqipëri dominohet nga mediat klienteliste dhe lidhjet e fshehta mes mediave, politikës dhe biznesit. Raporti sjell në vëmendje kufizimin e plotë për mediat nga ana e Prokurorisë së Tiranës  për publikimin e të dhënave nga dosjet e hakuara gjatë sulmeve kibernetike.

Në Indeksin e Reporterëve ka Kufij për vitin 2021, Shqipëria shënoi renditjen më të ulët për lirinë e medias, duke u renditur në vendime 103 nga 180 vende.

Shqipëria është vlerësuar në raportet e ndryshme ndërkombëtare si një vend jo i lirë për gazetarët për të ushtruar profesionin e tyre, kjo si pasojë e pronësisë së medias dhe lidhjet e mediave me politikën.

Të dhënat flasin për mungesë të pluralizmit mediatik ndërsa kuadri i dobët ligjor dhe institucionet e brishta i zbehin ndarjet mes medias, politikës dhe biznesit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *