Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tropojë: Protestat e banorëve mbyllin fabrikën e asfalt-betonit që operonte pa leje mjedisi

Fabrika e prodhimit të asfaltit dhe betonit në Fierzë ka ndaluar punimet pas protestave të banorëve të zonës. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i konfirmoi Citizens Channel se subjekti “Byberi shpk” rezulton pa leje mjedisore aktive.

Rreth dy javë më parë, banorët organizuan dy protesta ku bllokuan qarkullimin e automjeteve. Ata ngritën shqetësimin e ndotjes mjedisore nga fabrika dhe dëmin që ajo sjell në turizëm dhe cilësinë e jetesës në atë zonë.

Drejtuesi i “Byberi Shpk”, Avni Byberi i tha më herët Citizens Channel se zotëron leje mjedisore dhe se në sajë “të teknologjisë së zhvilluar të makinerive”, fabrika nuk do të shkaktojë dëme në mjedis.

Kërkimet në regjistrin e Qendrës Kombëtare të Biznesit, “Byberi Shpk” konfirmojnë se subjekti rezulton me një leje mjedisi të tipit B.

Citizens Channel iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit, për të qartësuar pretendimet e administratorit të fabrikës rreth lejes mjedisore.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit sqaruan se leja mjedisore është pezulluar me urdhrin nr. 206, të datës 08.07.2022. Ndërsa shtuan se leja nuk është e vlefshme pasi nuk ka akt miratimi dhe “për arsye teknike ka ngelur në sistem me status aktive”.

“Turizmi përballë betonit”

Banorët kundërshtojnë operimin e kësaj fabrike prodhimi asfalt-betoni, e cila në rast veprimtarie, do të prodhojë 400 ton beton në ditë. Ata pohuan për Citizens Channel se e ardhmja e Tropojës është turizmi dhe agrobiznesi dhe se niveli i lartë i ndotjës do t’i detyrojë ata të zhvendosen.

Banorët kanë protestuar edhe më herët kundër “Byberi Shpk”. Në korrik të vitit të shkuar, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit, pas protestës së banorëve, ka pezulluar veprimtarinë e fabrikës “Byberi Sh.p.k” duke arsyetuar se shoqëria nuk ka kryer procedurën e heqjes së një sipërfaqeje prej 0.47 ha tokë nga fondi pyjor publik, me të cilën është lidhur kontrata me Bashkinë Tropojë.

Sipas Udhëzimit nr.1 të Ministrisë së Mjedisit “Për rregullat, procedurat e kërkimit, të shqyrtimit e të miratimit të kërkesave për dhënie në përdorim të fondit pyjor”, një shoqëri, ndonëse mund të jetë pajisur me leje mjedisore, nuk mund të fillojë zhvillimin e aktivitetit deri në përfundim të procesit për heqjen nga fondi pyjor/kollusor.

Citizens Channel e pyeti Ministrinë e Turizmit nëse shoqëria “Byberi Shpk” ka aplikuar së fundmi për heqjen e kësaj sipërfaqeje nga fondi pyjor. Sipas përgjigjës së dhënë, përfaqësues të “Byberi Shpk” nuk kanë aplikuar për heqjen e kësaj sipërfaqeje.

Në tetor të vitit të shkuar, përfaqësues ligjorë nga “Byberi Shpk” kanë apeluar vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit që pezullon lejen mjedisore.

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka marrë masën “Sigurim Padie”, duke pezulluar vendimin e Ministrisë së Mjedisit me arsyetimin se ekzekutimi i pezullimit të punimeve do t’i sjellë dëme të pariparueshme për shoqërinë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *