Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KLSH: Mungesa e pajisjeve në spitalin onkologjik rrezikon jetën e 600 grave paciente

Mos funksionimi i pajisjeve në spitalin onkologjik ka vënë në rrezik jetën e 600 grave që trajtohen për sëmundjen e kancerit.

Ky konstatim vjen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili në raportin përfundimtar të auditimit të performancës “Trajtimi i sëmundjeve tumorale” nxjerr në pah disa parregullsi dhe shkelje sa i takon shëndetit të pacientëve që janë të prekur nga sëmundjet tumorale.

“Pajisja mjekësore tjetër që nuk është funksionale prej datës 02.11.2022 është Ortovoltazhi, për shkak të një defekti serioz që nuk lejon trajtimin e pacientëve që vuajnë nga tumoret e lëkurës (Melanoma) (karcinomave me qeliza bazale dhe skuamoze, Lentigo malinje, sarkoma kaposi, Limfomat me qeliza T, Karcinoma me qeliza bazale merkel, Tumoret e gjëndrave të djersës, tumori i buzës, etj.)”,-thuhet në raportin e KLSH-së.

Ndërsa, sipas raportit mungesa e aparatit të Ortovoltazhit që trajton tumoret e lëkurës, prej nëntorit të 2022-it nga Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka sjellë mostrajtimin e 200 pacientëve, të cilët nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi.

Po ashtu, vihet re mungesa edhe e një sërë elementësh të tjerë në njësinë e Radioterapisë.  Ndër to janë tubusat e aparatit të shiringës elektrike që janë mjaft të rëndësishme për vizualizimin e targetit tumoral me saktësi të lartë nga mjeku radioterapeut; pompa që hërben për fryrjen dhe zbrazjen e ajrit të dyshekëve me vakum si dhe maskat termoplastike individuale që shërbejnë për pozicionimin e pacientëve me tumore të kokë-qafës.

Sipas raportit të KLSH-së “mos sigurimi i maskave termo plastike, për 250 pacientë përbën shkak për pasoja serioze për shëndetin e pacientëve të cilët kanë nevojë, pasi devijimi nga targeti për shkaqe të i mobilizimit jo të saktë mund të ketë pasoja fatale për pacientin duke dëmtuar indet rrethuese me funksione jetike”.

Spitali Onkologjik ndër të tjera sipas raportit ka prani të lagështisë në tavan në katin e tretë si dhe vijon të mbetet problem sistemi i ftohjes gjatë verës.

“Kati nëntokë me sipërfaqe prej 490,9 m 2 është i papërdorshëm dhe është kthyer në një ambient ku mbizotëron lagështia, është i pa pastër, rezultojnë pajisje mjekësore të papërdorshme, rafte, tavolina, ku pamjet flasin për një situatë kaotike, e cila përbën një risk potencial për infektimin e ambienteve më sipër, nga ekzistenca e brejtësve dhe mikrobeve të ndryshme që mund të jenë në katin nëntokë”, -nënvizon raporti.

Në përfundim të auditimit, KLSH-ja shprehet se shpenzimet financiare për trajtimin e sëmundjeve tumorale nuk janë rritur edhe pse numri i pacientëve të diagnostikuar dhe të trajtuar me sëmundje tumorale është në rritje.

“Sikurse rezulton pesha në buxhet për trajtimin e sëmundjeve tumorale për vitin 2020 ka zënë 11.7%, për vitin 2021 ka zënë 7.4% dhe në vitin 2022 ka zënë 7.9% të shpenzimeve faktike totale të QSUNT”, -thuhet në raport.

Burimi: KLSH

Numri i pacientëve në rang vendi është në rritje, gjë që tregon agresivitetin e sëmundjeve tumoriale.

Burimi: KLSH

Sipas raportit të auditimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk disponon raporte monitorimi apo vlerësimi për ecurinë e kancerit për vitet 2021-2022 si dhe nuk ka të dhëna në kohë reale të rasteve të reja për ecurinë e sëmundjeve tumoriale apo mortalitetin e shkaktuar nga kanceri.

Numri i kontrolleve mbetet larg parashikimeve

Sipas auditimit të KLSh-së ‘Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka përcaktuar qartë objektivat në lidhje me numrin e depistimeve (kontrolleve) të kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës në Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë 2021-2030 krahasuar me Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2021- 2030 për depistimet e kryera për vitin 2022, si dhe nuk i kanë realizuar objektivat e parashikuara për këto depistime”.

Sipas raportit për vitin 2022 janë kontrolluar për kanceri ne gjirit 26,464 gra, ndërsa targetet e përcaktuara në Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit për vitin 2021-2030 kanë qenë 50.000 gra në vit.

Ndërsa për vitin 2022 sipas raportit janë depistuar për kancerin e qafës së mitrës 10,421 gra, edhe pse targetet kanë qenë 20,000 gra në vit.

Raporti thekson se “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk argumenton kostot e shpenzimeve për depistimin e kancerit të gjirit dhe kancerit të qafës së mitrës për periudhën e auditimit”.

Burimi: KLSH

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *