Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Oborret që i rezistojnë kohës

Në oborrin e vilës së familjes Begeja, monument kulture i kategorisë së dytë, u zhvillua dje takimi i parë i projektit “n’oborr”.  Nisma lindi përgjatë shkollës “Tirana Spring School”,  ku arkitektë dhe antropologë bashkëpunuan për të studiuar bimësinë e pragjeve hapësinore të rrugës së Dibrës.

“Për ne është e rëndësishme që të vihet theksi tek rijetëzimi i arkitekturës popullore dhe asaj që ajo ka përreth, si në këtë rast për shembull oborret dhe bimësia e saj, por edhe praktikat shoqërore, për shembull mbjellja e pemëve të ndryshme nga banorët e lagjeve ”, – tha Arba Bekteshi, antropologe urbane për Citizens Channel.

Arba thekson se përgjatë vëzhgimit ka konstatuar se bimët po tkurren vazhdimisht për shkak të ndryshimeve urbane dhe ndërtimeve të reja.

“Të paktë janë oborret që mbillen, më së shumti në rrugën “Ali Begeja”, në rrugën e “Saraçëve”, ajo ka marrë një karakter më tregtar, për këmbësorët që i drejtohen Pazarit të Ri”, – pohon ajo.

Pjesëmarrësit në takim u ishte kërkuar që të sillnin me vete një bimë me të cilën kishin një lidhje të caktuar shpirtërore. Studenti Kristi Dashi solli një degë selvie, duke kujtuar lojërat me shokët në gjimnaz me boçet e kësaj peme.

Pamje gjate punes ne takim

“Më përpara e kam parë më shumë, tani edhe te lagja i kanë prerë se kanë vendosur karrige pë kafet aty kanë qenë bimët më përpara”, – tregon Kristi.

Portat e hapura”, një projekt për rijetëzimin e vilave të vjetra tiranase

Në oborrin e vilës Begeja pema më e vjetër, plot 101 vjeçare është një fik. Xhimi Begeja rrëfen se në traditën tiranase për çdo djalë që lindej, mbillej një fik. Ai kujton me nostalgji disa bimë të cilat ndër vite janë zhdukur dhe nuk mbillen më.

“Ka qenë lule e akullit, që e mbillnin gratë në shtëpi, ajo shërbente kur kishte djegie, në mënyrë kurative. Hidreshaja gjithashtu është ajo bima që ka aromë dhe i hidhet reçelrave”, – tregon Xhimi.

Arkitekti Irvi Çela thekson se marrëdhëniet e njerëzve me njëri – tjetrin, por edhe ndër udhëtimet e tyre kujtimore janë të asociuara me vende shumë specifike të këtyre vilave të vjetra.

“Ajo çka praktikohet në shtëpi me shumë kujdes dhe me shumë dashuri, përçohet edhe rrjedh edhe përtej mureve të shtëpisë, tek rruga apo tek oborri, që shumë herë bëhen edhe momente të vogla të përdorimit publik ku banorët e komshinjtë mblidhen me njëri – tjetrin”, analizon Irvi Çela.

Kjo është pikërisht ajo çfarë ka ndodhur me një grup familjesh që janë mbledhur bashkë për të zhvilluar projektin “Portat e hapura”, që ka si qëllim të ruajë disa nga godinat e vjetra të zonës së Selvisë, duke e lidhur me zonën e Pazarit të Ri.

Duke pasur një bashkëveprim me rreth 15-20 familje, ata u dakordësuan që nëntë nga vilat që kanë në pronësi të restaurohen. Një pjesë e tyre që nuk mund të restaurohen për shkak të degradimit, do të rindërtohen në harmoni me stilin e dikurshëm.

Kësaj nisme i janë bashkuar Ambasada Franceze, universiteti “Polis” dhe organizata të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të cilët krijuan “Tirana Urban Youth Competition”, ku studentët patën mundësi të propozonin ide për restaurimin e zonës.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *