Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tropojë: 320 banorë kallëzojnë në SPAK kreun e Bashkisë, Policinë dhe të afërmit e tij

320 banorë të Tropojës kallëzuan në SPAK kryetarin e bashkisë Rexhë Byberi, të afërmin e tij Avni Byberin i cili është drejtues i firmës “Byberi Shpk” dhe shefin e komisariatit të Tropojës Përparim Allmuça.

Komuniteti prej muajsh proteston kundër ndotjes nga fabrika e prodhimit të asfalt-betonit, që është në zotërim të Avni Byberit, një prej të kallëzuarve.

Kryetari i Bashkisë Tropojë Rexhë Byberi është kallëzuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe për “Shpërdorim detyre” me pretendimin se ka favorizuar të afërmit e tij me dhënien e lejeve për ushtrim aktiviteti dhe tenderimin për punë publike. Banorët kallëzuan edhe shefin e komisariatit Allmuça, me pretendimin se nuk ka marrë masa për të parandaluar punimet e paligjshme në fabrikën e prodhimit asfalt-beton.

Më tej, banorët kanë kallëzuar përfaqësuesin e “Byberi Shpk” me akuzën e “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Banorët argumentojnë në padi se nuk janë ftuar për të marrë pjesë në dëgjesat publike për çështje që lidhen me mjedisin.

Komuniteti kundër fabrikës së asfalt-betonit

Në muajin gusht, dhjetëra banorë të Fierzës, Rajës, Dushajt dhe Geghysenit protestuan kundër fabrikës së asfalt-betonit që kishte rinisur punimet, pas një viti ndërprerjeje.

Në protestën e dytë, policia shoqëroi pesë protestues që po procedohen në gjendje të lirë. Mbi ta rëndojnë akuza që lidhen me organizimin e manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të policisë dhe pengim të qarkullimit të mjeteve.

Fabrika “Byberi Shpk”, në pronësi të Avni Byberit do të prodhonte 400 ton asfalt-beton në ditë, veprimtari që ka hasur edhe më herët kundërshtinë e banorëve.

Kjo kundërshti ka bërë që në verë të vitit të shkuar, Ministria e Mjedisit të pezullojë pezullojë veprimtarinë duke arsyetuar se shoqëria nuk ka kryer procedurën e heqjes së një sipërfaqeje prej 0.47 ha tokë nga fondi pyjor publik, me të cilën është lidhur kontrata me Bashkinë Tropojë.

Citizens Channel komunikoi me drejtuesin e kësaj fabrike, Avni Byberin, i cili pohoi se zotëronte të gjitha lejet mjedisore. Ministria e Mjedisit e hodhi poshtë pretendimin e Byberit. Përmes një përgjigje zyrtare, Ministria e Mjedisit i konfirmoi Citizens Channel se “Byberi Shpk” nuk ka leje aktive mjedisore.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *