Citizens.al

“Turizmi kundër betonit”, banorët e Fierzës protestojnë kundër fabrikës pranë bujtinave

Pesë qytetarë u ndaluan nga Policia e Tropojës, pasi protestuan kundër ndotjes nga fabrika e asfalt-betonint në fshatin Fierzë. Brenda një jave ata kanë organizur dy protesta,  ku bllokuan qarkullimin e automjeteve.

Pesë të shoqëruarit po procedohen në gjendje të lirë dhe mbi ta rëndojnë akuza që lidhen me organizimin e manifestime të paligjshme, mosbindje ndaj urdhrit të policisë dhe pengim të qarkullimit të mjeteve.

Një ndër të shoqëruarit është Paolo Gjoka, i cili është kthyer pas shumë vitesh në vendlindje për të investuar në një bujtinë agroturizmi. “Jam kthyer në Fierzë të Tropojës pas 26 vjetësh. Arrita të bëj një bujtinë, që është cilësuar si një nga më të mirat në Ballkan”, – thotë Gjoka për Citizens Channel.

Banorët protestojnë kundër fabrikës së prodhim asfalt-betonit në Tropojë duke bllokuar qarkullimin/ Foto: Citizens Channel

Në pak distancë nga bujtina qëndrojnë makineritë e shoqërisë “Byberi Sh.p.k”, të cilat do të përdoren për të prodhuar deri në 400 ton asfalt dhe beton në ditë.

Dy licenca të kundërta nuk mund të jepen; një për zhvillim dhe një për shkatërrim. Me pluhur, me zhurmë, me tymra, nuk ka turist që qëndron”, – tregon Paolo Gjoka.

Avni Byberi, drejtues i firmës që operon fabrikën, i tha Citizens Channel se veprimtaria nuk do të shkaktojë asnjë ndotje në mjedis.

Jam i pajisur me leje mjedisore, akt miratim leje. Për sa i përket mjedisit, ndotja do të jetë zero për arsye se filtrat janë të pavendosur në punë asnjëherë. Komplet të reja”.

Byberi pretendon se veprimtaria po kryhet brenda distancave të lejuara. “Distancat e shtëpive dhe të objekteve i kalojnë ato që thuhet nga ministria e Mjedisit. Nëse është 500 metra, këto kalojnë 700-800 metra vijë ajrore”.

Distanca mes bujtinave dhe fabrikës buzë lumit Valbona

Banorët nga ana tjetër pohojnë se do të ndikohen nga ndotja si pasojë e afërsisë me veprën në fjalë.

Në qoftë se është shtet i rregullt, besoj që nuk e le të bëhet kjo. Të dëmtosh gjithë këtë zonë, turistë, gjithçka… Jo normale”, – u shpreh një tjetër banore, Lule Pepkolaj.

Mirjeta Imeraj tregon se një veprimtari e tillë do të detyrojë banorët të zhvendosen.

Domethënë, shkurt ne na duhet të largohemi, ta lëshojmë këtë vend. Më mirë të largohet një fabrikë prej 15 vetë staf personash sesa të largohemi të gjithë banorët e katër zonave”, – citon ajo për Citizens Channel.

Ministria pezullon veprimtarinë e fabrikën, Gjykata e Tiranës rrëzon vendimin

Në korrik të vitit të shkuar, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka pezulluar veprimtarinë e kësaj fabrikës “Byberi Sh.p.k” duke arsyetuar se shoqëria nuk ka kryer procedurën e heqjes së një sipërfaqeje prej 0.47 ha tokë nga fondi pyjor publik, me të cilën është lidhur kontrata me Bashkinë Tropojë.

Shoqëria “Byberi Sh.p.k” e ka ndjekur çështjen në rrugë gjyqësore. Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka marrë masën “Sigurim Padie”, duke pezulluar vendimin e Ministrisë së Mjedisit me arsyetimin se ekzekutimi i pezullimit të punimeve do të sjellë dëme të pariparueshme për shoqërinë.

Nga ana tjetër, banorët pretendojnë se prodhimi i asfaltit do të ndikojë negativisht në turizëm.

Tropoja është në kulmin e zhvillimit rural. Njerëzit kanë filluar, komuniteti është angazhuar qoftë në prodhimin e produkteve bio, shumë gra po punojnë nëpër biznese të ndryshme”, – vijon në fjalën e saj Imeraj.

Kam ardhur të jetoj këtu, kam ndërtuar një shtëpi, jetoj këtu, kam tre fëmijë. Ata tani janë të pashpresë, këtu ndotet ambienti. Do jetë lëvizje, si para 30 vitesh”, – shprehet Pëllumb Gjoka, një tjetër banor.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW