“Albania Refining and Marketing of Oil”(ARMO), rafineria shqiptare e naftës e trashëguar që prej periudhës komuniste, u privatizua në 2008 për 128 milionë euro te biznesmeni Rezart Taçi, përmes një kompanie të regjistruar në Zvicër, AMRA Oil. Operacioni i privatizimit u financua nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit. Pas privatizimit, ARMO u përball vazhdimisht me probleme të mospagimit të taksave dhe tatimeve.
Pas ndryshimit të qeverisë në vitin 2013, ARMO u shit sërish tek një fond azer investimesh i regjistruar në parajsa fiskale, ndërkohë që detyrimet ndaj Tatimeve, bankave dhe palëve të treta arrinin në dhjetëra milionë dollarë.
Ndërkohë që në rafineri u shfaqën disa “investitorë” të rinj, naftëtarët u përballën me vonesa të përsëritura të pagave dhe periudha të gjata pa punë. Pavarësisht premtimeve, protestat e tyre i zgjidhën vetëm pjesërisht problemet.
Fundi i rafinerisë erdhi në 2021, kur Rafineria e Naftës në Ballsh u ble nga kompania Shijaku tek Banka Credins për 9 milionë euro për t’u kthyer në skrap, por ARMO vijon të marrë kërkesa për sekuestro si pasojë e borxheve.
Në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) shihen se ka dhjetëra kërkesa nga përmbaruesit i drejtohen QKB për bllokimin e kuotave të kompanisë.
Dogana e Fierit, përmes përmbaruesit ka kërkuar sekuestron ndaj ARMO-s në QKB.
ARMO ka 120 milionë lekë borxh ndaj doganës së Fierit, një borxh i krujuar që në 2013. Urdhri i ekzekutimit me frocë është lëshuar që në 2016, teksa borxhi është krijuar kur kompania ka qenë në funksion. Edhe pse rafinieria u shit për skrap, që ishte linja kryesore e ARMO, doganat kërkojnë arkëtimin e borxhit.
Sipas të dhënave të përditësuara në QKB, vetëm në vitin 2023 kanë shkuar një sërë kërkesash nga përmbarimi për sekuestrim.
ARMO ka ende status aktiv në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Kompania zotërohet 85% nga ANIKA MERCURIA REFINERY ASSOCIATED OIL dhe 15% nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
ARMO rezulton edhe në listen e debitorëve të mëdhenj në tatime me një borxh prej 8.4 miliardë lekësh deri në fund të 2020.
“Shteti mbylli sytë përballë shitjes së rafinerisë për skrap”
Mbi 800 naftëtarë dolën në protëstë gjatë 2021 për të kërkuar 13 pagat e prapambetura.
Më 2 dhjetor të vitit 2021, naftëtarët e Ballshit u zgjuan nga zhurmat e makinerive që po çmontonin rafinerinë dhe u rrethuan nga forca të shumta poliicie. Ata nuk kishin informacion se çfarë po ndodhte me rafinerinë.
Forca të policisë në hyrje të rafinerisë – Foto: Citizens Channel
Uzina e Përpunimit të Thellë të Naftës ishte aseti kryesor i gjigandit shqiptar të hidrokarbureve, ARMO dhe burimi kryesor i punësimit për qytetin e Ballshit. Por pas kolapsit të ARMO-s, rafineria i kaloi bankës “Credins” si kompensim për një kredi të pashlyer përmes një ankandi të vitit 2016.
Pesë vite më pas, “Credins” e shiti rafinerinë te kompania e materialeve të ndërtimit “Shijaku” sh.p.k, e cila e çmontoi dhe e ktheu në skrap.
Demontimi i rafinerisë së Ballshit; Video: Citizens Channel | Dhjetor 2021
Qeveria shqiptare vazhdon të zotërojë formalisht 15 për qind të aksioneve. Në një hulumtim të Citizens Channel rezultoi se ministria e trajtoi shitjen e rafinerisë si një çështje mes privatësh dhe nuk bëri asnjë lëvizje për ta shpëtuar atë.
Ndërsa përfaqësuesit e bankës “Credins” e konsideruan të drejtë shitjen e aseteve pas një kredie problematike, ndërsa shtuan se kompania blerëse “Shijaku” po vepronte “sipas planeve të saj të biznesit”.
Historia e rafinerisë së naftës është e lidhur ngushtësisht me atë të qytetit të Ballshit, i cili u krijua dhe u rrit paralelisht me ngritjen e industrisë së naftës në zonën e Mallakastrës.
Sipas censusit të vitit 2011, Bashkia e Ballshit numëron një popullsi prej 27 mijë banorësh dhe një pjesë e madhe e familjeve kanë lidhje punësimi me rafinerinë.
Me mbylljen e rafinerisë qyteti “po mbaron”. Naftëtarë shpreheshin të demoralizuar dhe të pa shpresë pas shitjes së rafinerisë për skrap. Një pjesë kishin nisur të emigronin, teksa të tjerë ishin duke këkruar për këtë mundësi.
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.