Spitali Universitar i Traumës (SUT) nuk ka ambient dhe nuk është i pajisur me frigorifer – morg për të bërë administrimin e trupave të pacientëve që ndërrojnë jetë në SUT. Ky dhe përfundime të tjera mbi organizimin dhe funksionimin e spitalit janë bërë publike nga auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për periudhën nga data 2021- 2022. Në vitin 2021 pranë këtij spitali kanë ndërruar jetë 90 pacientë.
“Në magazinën e farmacisë se SUT dhe ne pavijone deri në fund te periudhës se auditimit, gjendet një sasi me medikamente të skaduara ne vlerën totale 9,275,420 lekë, e cila përbën një shpenzim jo eficent për SUT duke sjellë një efekt financiar negativ për buxhetin e shtetit”, citohet në publikimin e KLSH – së.
Gjithashtu është konstatuar se magazina e mallrave të SUT nuk plotëson në asnjë drejtim kushtet e ruajtjes së barnave duke shtuar këtu se në këtë ambient gjenden dhe pajisje mjekësore jashtë përdorimit si radiografi etj., kjo në mospërputhje me urdhrin nr.660 datë 20.09. 2018 të MSHMS, për miratimin e rregullores mbi praktikat e ruajtjes dhe shpërndarjes së mirë të barnave, neni 5 pika 2.
“Barnat nuk duhet të jenë në kontakt të drejtpërdrejtë me dyshemenë dhe muret e të kenë hapësirë të përshtatshme për të lejuar pastrimin dhe inspektimin”, parashikohet sipas rregullores së mësipërme.
Nga verifikimi i realizuar në datën 13 janar 2023 i pasqyruar në akt verifikimin nr.1 u verifikua një sasi e madhe e medikamenteve ishin pa vulën e kuqe me mbishkrimin,“për përdorim spitalor ndalohet shitja”. Boja që përdorët për stampimin e vulës duhet të jetë me ngjyrë të kuqe që nuk fshihet.
Auditimi ka nxjerr në pah gjithashtu se shpenzimet për energji elektrike dhe ujë kanë rënduar Buxhetin e SUT.
“SUT të marrë masa, të analizojë shkaqet, arsyet dhe përgjegjësitë për mos përdorimin me eficiencë, ekonomicitet dhe efektivitet të fondeve buxhetore në vlerën 17,064,960 lekë, si dhe të kërkojë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ri negocimin e kontratës për pikën 19.5., ku shpenzimet e energjisë elektrike, ujë, avull, vepra civile, impiante etj., të jenë detyrime të Koncensionarit dhe jo buxhetit të spitalit”, ka rekomanduar KLSH – ja.
Për vitin 2021 nga ana e bllokut operator qendror, nuk janë dokumentuar 667 operacione dhe 811 për vitin 2022.
“Për veprimet dhe mosveprimet e mësipërme ngarkohen me përgjegjësi Znj. Edlira Bode në cilësinë e Drejtorit të SUT-së dhe Znj. E. K. në cilësinë e shefit të shërbimit të farmacisë së SUT-së”, theksohet në raport.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.