Trokitja e lehtë në derën e jashtme të avllisë nuk i tërhoqi vëmendjen Fatmirit, ndërsa thirrjes ‘a ka njeri?’ iu gjegj me zë të lartë.
E ndërsa na mirëpret brenda portës e dëgjon ç’na solli në shtëpinë e tij nxiton të gjejë karrige për katër të rinj, ndonëse të panjohur.
Pas viteve ´90 ai u largua nga vendlindja e tij në Kukës, për të kërkuar një jetë më të mirë.
“Vendosëm me ardh të gjithë se u braktis fshati, e braktisën njerëzit. Edhe më tepër perspektiva e fëmijëve. Shkolla larg, një orë e ca në një borë të madhe, në kufi me Serbinë e kena pas”,-rrëfen Fatmiri ndërsa dredh duhan.
Boshatisja e fshatit ku jetonte nga njerëzit e tij të afërm, mungesa e infrastrukturës, shërbimit mjekësor e atij arsimor e detyruan të mblidhte teshat e të tentonte për të ndërtuar një tjetër realitet, më të mirë.
“Merre metrin, sipas terezisë prishe bunkerin se të hup një kat. Po nuk pate, bëje shpinë mbi bunker e dil n´kolona“, -tregon ai komunikimin e parë me atë që i shiti tokën.
Pasi mblodhi 1 milion lek tek të afërmit, ai bleu tokën e nisi të ndërtojë banesën, ashtu sikurse shumë tjerë, që sot i ka komshinj e të afërm.
Shtëpia e tij qëndron në kurrizin e një bunkeri, duke i lenë mjaftueshëm hapësirë për të marrë frymë lirshëm e madje edhe nëse i shtie në mend edhe të kthejë anë.
“Eh, ç’ka ka bo ajo, ka marrë krejt dherin dhe e ka pru këtu. Sot vuan nga hernie diskale e lodhjet e tmerrshme, edhe tani vazhdon e punon”,-rrëfen ai gjithë mirënjohje për gruan e tij si bashkëpunëtorja e ngushtë në ndërtimin e shtëpisë.
Ashtu sikurse Fatmiri, të njëjtën histori shpërnguljeje ndajnë edhe të tjerë banorë të Bathores. Histori të thurura me dëshirën primare, atë të një jete më të mirë për fëmijët e tyre.
Sot, 30 vite më pas duket sikur shteti i ka njohur, përtej retorikës skajuese që i ka shoqëruar në kaq vite tranzicion; duke ju shtruar rrugët me asfalt, ndërtuar kalldrëme e ndriçim publik. Mirëpo, në 30 vite e vetëm një tog-fjalësh nuk ka ndryshuar: “shtëpia është në proces legalizimi”. Premtim i kahmotshëm e po aq i përsëritur ndër vite, që ende vijon ti lerë me frikë për të ardhmen.
“Përvijime të Kamzës”, nëpërmjet lenteve të antropologjisë
Hans Peter Jost duke radhitur fotografitë e shkrepura në Bathore 30 vite më parë
30 vite më parë fotografi zviceran Hans Peter Jost, memorizoi përmes aparatit të tij fotografik banesat e para të Bathores në Kamëz. Disa baraka larg nga njëra tjetra, rrethuar me masa të gurëve të bëra gati për ti përforcuar ato.
“Në vitin´93 shkrepa këtë foto nga Bathorja si një kujtim, 30 vite janë shumë për të kujtuar ekzaktësisht vendin dhe madje edhe emocionin”, tregon Hans, i cili shton se sot e kishte të vështirë ta njihte vendin që kishte fotografuar.
“Mbaj mend që isha i tërhequr pas këtyre vendbanimeve, nga shtëpitë prej druri dhe kufijtë e krijuar me gurë. Ata vendosën vijëzime për të thënë që ky është kufiri i tokës sime”, rrëfen ai, ndërsa shpjegon ndjesitë që përshkoi teksa u rikthye në të njëjtin vend që fotografoi 30 vite më parë.
Fotoja e tij shërbeu si zanafillë e punës së Laboratorit të Antropologjisë Urbane që u mbajt në Kamëz nga grupi ATA dhe Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit. Në vitin e tij të katërt që zhvillohet, ky laborator u përqendrua kësaj here në dokumentimin e historive të familjeve ta ardhura në Kamëz pas viteve ’90 dhe rrëfimin e tyre përmes videove the ilustrimeve fotografike.
Fotografi e Bathores në vitin 1993
“Rikthimi në terren ka qenë shumë i bukur, për shkak se banorët janë njohur me fotografinë, e kanë marrë, e kanë parë. Secili kishte interpretimin e vet. Disa mendonin që ndoshta do duhet të ishte në një lagje më sipër, disa të tjerë e spostonin diku tjetër”,-rrëfen për Citizens Channel Diana Malaj nga Grupi ATA e njëkohësisht bashkë organizatore e punishtes së laboratorit.
Sipas Dianës, kjo është edhe një nismë për të sfiduar narrativën e diktuar nga pushteti dhe nga qendra, në të shumtën e herëve skajuese dhe nënçmuese ndaj qytetarëve të Kamzës.
“Secila në mënyrën e vet, sidomos narrativa e Partisë Socialiste, e cila e ka identifikuar qytetarin e Kamzës si tjetrin inferior. Tjetrin, i cili ia ka mvesh disa cilësi që janë përçmuese dhe skajuese”, –argumenton Diana.
Për të rinjtë e laboratorit antropologjik, pjesëmarrja u ka krijuar mundësinë të thyejnë stereotipat që iu kanë diktuar për zonën.
“Një person na shpjegoi sot më qartë që kur erdhëm këtu ndjeheshim të sigurt vetëm për pjesën që ishin të gjithë në një stad, e filluan të gjithë nga zero. Dhe kjo i bënte të ndjeheshin shumë bashkë”, tregon Anxhela Pipero, mësuese e artit, ndërsa shton se është ndjerë shumë mirë nga mikrpritja që i kanë bërë banorët e Kamzës.
Për studiuesin Nebi Bardhoshi, Kamza është rasti tipik si portretizohet një qytet i krijuar nga njerëzit e ardhur.
“Ka pasur arsyet ndonjëherë politike, për tu shpërdorur “i ardhuri” si figurë për të kundërshtuar kundërshtarin politik. Dhe në këtë lojë të pandershme politike kryhet mes dy forcave kryesore që ne i dimë kush janë e ka pësuar banori i Kamzës dhe prej këtu vetë qyteti i Kamzës, por edhe vetë qyteti brenda nesh si kulturë ku e kemi shtuar shpeshherë dozën e ksenofobisë ose një farë doze anti të ardhurit në qytet”,-shpjegon studiuesi i antropologjisë.
Nebi Bardhoshi – Antropolog
Sipas tij dokumentimi i pranisë njerëzore përmes rrëfimeve të vetë njerëzve të kësaj zone, është mes të tjerash edhe një formë rezistence.
“Mendojmë se dokumentimi është një formë rezistence ndaj harresave ose strukturave amnezike që veprojnë sidomos në shoqëri që janë zhvillime të shpejta, shpeshherë të papërgatitura ose të pa njoftuara që do ju ndodhë siç ishte shpërthimi demografik i ikjes prej vendeve më të skajuara të shoqërisë shqiptare, prej një diktature totalitare më të egrës në Evropë.”
Portretizimi i Kamzës në mediat shqiptare pas viteve´90
Krahas punës në terren dhe dokumentimit fotografik, pjesëmarrësit e punishtes së antropologjisë urbane u bënë pjesë edhe ligjëratave dhe njohjes me dokumente ndër vite sa i takon pasqyrimit të Kamzës. Ndër to, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe shtypi.
Sipas aktivistëve, në shumicën dërrmuese të rasteve, Kamza dhe njeriu i saj i ardhur është portretizuar në format më përçmuese në shtypin vendas.
“Dikush shkruan me humor, dikush shkruan me ironi therëse, dikush tjetër me përçmim. Janë autorë të cilët shprehen anti-njeriut të Bathores”,-konstaton Diana Malaj.
Ajo rendit disa nga perceptimet e gazetarëve dhe shkruesve në media për Kamzën deri në vitet e mëvonshme.
Diana Malaj – Aktiviste e Grupit “ATA”
“Rudina Xhunga e quan Bathoren ferr-parajsë dhe ajo ka disa konkluzione të përshpejtuara mbi njerëzit e Kamzës. Dikush thotë revolucioni i Bathores, dikush thotë me teleferik për në Bathore, dikush thotë mes Bathores dhe Brukselit. Mustafa Nano na thotë Bathorja antishtet dhe shteti i bathorizuar. Edmond Tupja na tregon me ironi një fantazi mbi Bathoren. Ben Andoni vazhdon jo vetëm në vitet ’90 dhe 2000, por edhe së fundmi në 2011 për shembull ka guximin me ia mvesh qytetarit të Kamzës lloj lloj epitetesh, duke e quajtur atë primitiv. Ka nga ata autorë të cilët praktikisht e fajësojnë ose i mveshin një farë dhune të jashtëzakonshme qytetarit të Bathores dhe e zbusin qytetarin e Tiranës. Ka një pranëvendosje antagoniste, konfliktuale mes njeriut të Bathores dhe njeriut të qytetit”, –rendit Diana.
Ndërsa nuk ngurron të përmendë edhe autorë që problemin e gjejnë diku tjetër.
“Por është patjetër e rëndësishme me e theksu që ka nga ata autorë si për shembull Fatos Baxhaku i cili kujdeset në momentin kur bën një analizë të situatës në vitet 2003 duke e gjetur problemin tek pushteti dhe mënyrën se si pushteti e ka përdorur gjendjen e skajuar të qytetarit të Bathores, ndryshe nga kolegët e tij, të cilët nuk ia kanë kursyer fjalët e këqija njeriut të Bathores”,-përmbyll Malaj.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).