Autor: Artan Rama | Citizens Channel
Qeveria shqiptare është vënë sërish nën presion këtë fillim vjeshte, pasi Konventa e Bernës (Traktati Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës) ka rekomanduar ndalimin e punimeve të aeroportit kontinental që po ndërtohet në ekosistemin ligatinor të Nartës. Komisioni Europian, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues të Konventës e mbështeti vendimin. Të gjitha palët anëtare të Komitetit Drejtues e mbështetën atë unanimisht.
Vendimi është marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme (online), paraditen e 26 qershorit (2023) të Byrosë së Komitetit Drejtues, në përgjigje të situatës urgjente në terren, ku ndërtimi i aeroportit ka filluar prej kohësh. Aksioni është një përpjekje për të ndaluar avancimin e mëtejshëm të punimeve në një territor, i cili konsiderohet me rëndësi ekologjike dhe biologjike të lartë, subjekt i mbrojtjes nga disa konventa dhe traktate ndërkombëtare (Ramsar Convention, Emerald Network, IBA, Adriatic Flyway Site etj.).
Vendimi u zyrtarizua këtë javë, në 13 shtator, duke çuar në tre numrin institucioneve politike europiane që kundërshtojnë ndërtimin e aeroportit, qysh nga çelja e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian (BE). Më herët në korrik të këtij viti edhe Parlamenti Europian kërkoi ndalimin e aeroportit.
Vendimi i Komiteti Drejtues (Berne Convention) shtrihet vetëm për pikën e parë të rekomandimit, që përmban në vetvete elementin e urgjencës për ndalimin e menjëhershëm të punimeve. Berna ka premtuar të tjera masa në nëntor, për të miratuar të tjera elemente nga rekomandimi, në mbledhjen vjetore të Komitetit Drejtues.
Rama e ka shpërfillur Bernën publikisht, ndaj nuk mbetet shumë entuziazëm për një reagim pozitiv nga qeveria shqiptare, e cila u tregua indiferente edhe gjatë shkëmbimit të letërkëmbimeve (informacioneve) me Konventën, veçanërisht në vitin e fundit (2023). Kujtojmë se çështja është prezantuar në Strasburg për herë të parë, në vitin 2016, në kontekstin e ndikimeve negative të kontratave koncensionare për ndërtimin e hidrocentraleve të planifikuara në Vjosë. Por në vitin 2019, EcoAlbania, një organizatë mjedisore lokale (Shqipëri), me një kontribut në mbrojtjen e Lumit Vjosa, i referoi Bernës se qeveria shqiptare po planifikonte të ndërtonte një aeroport të madh në grykëderdhjen e lumit.
Miratimi i rekomandimeve prej shteteve anëtare të Konventës ka një histori të gjatë komunikimesh mes palëve. Por autoritetet shqiptare janë treguar përherë të rezervuara dhe të paktën, gjatë vitit të fundit ato kanë heshtur, duke mos iu përgjigjur nevojave të palëve të ngritura për aeroportin. Duke njohur nga afër inertësinë që ka vendimmarrja burokratike e institucioneve europiane, duke kontrolluar dhe parashikuar çdo detaj, shumëkush mund të arrijë në përfundimin se vendimi për t’i kërkuar qeverisë shqiptare ndalimin e punimeve përbën një arritje në favor të natyrës dhe konservimit të saj.
Organizata për Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) pritet të organizojë një protestë, sot pasdite, për të nxitur qeverinë që të rishikojë qëndrimin e saj refuzues. Veç kësaj Aleanca për Mbrojtjen e Ligatinave (Mediterranean Alliance for Wetlands) dhe 33 organizata, i kane dërguar letra te dedikuara, Komisionit Evropian, IATA-se dhe Kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar ndalimin e këtij aeroportit dhe mbrojtjen e zonës. 33 organizata të tjera mjedisore që përfaqësojnë 26 vende, i kërkuan dje në mbrëmje Kryeministrit Rama ndalimin e aeroportit.
Deri pak ditë më parë, qeveria ka shpresuar që çështja do të lihej për t’u diskutuar pas disa muajsh, në mbledhjen e 43-të të Komiteti Drejtues të Konventës së Bernës në fund të vitit, me shpresë që punimet në kantier të avanconin. Më herët, ajo kishte kërkuar kohë të mjaftueshme për verifikimin e fakteve dhe të situatave, duke pretenduar çeljen e një konsultimi ndërministror brenda qeverisë. Ajo premtoi gjithashtu se do të ofronte të tjera argumente për të justifikuar qëndrimin e saj.
Por në një vit, qeveria shqiptare nuk respektoi asnjë premtim, asnjë afat. Reagimi i saj i fundit ishte pretendimi, drejtuar Komiteti Drejtues fund vitin e shkuar (dhjetor 2022), që çështja e aeroportit të mos përfshihej, krahas çështjes së Vjosës. Por një numër anëtarësh, përfaqësues shtetesh të Komitetit Drejtues kundërshtuan pretendimin dhe theksuan se për aq kohë që Laguna e Nartës është pjesë e Vjosës, ndërtimi i një aeroporti pranë kësaj lagune e përfshin edhe atë. Gjatë një mbledhjeje online (mars 2023), Byroja e përkrahu këtë mendim, dhe e rrëzoi përfundimisht pretendimin e qeverisë për ndarjen e çështjes së aeroportit nga çështja e Vjosës dhe konkretisht, Byroja vendosi përditësimin e emrit të dosjes për të reflektuar edhe zhvillimet aktuale në: “Ndikimi negativ i pretenduar i zhvillimeve në lumin e Vjosës që përfshin…dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës”.
Dhe ndoshta ky qëndrim i Bernës meriton po aq vëmendje prej palëve sa rekomandimi për ndalimin e aeroportit. Sepse ai demaskon fushatën propagandistike të qeverisë për Vjosën, duke na mësuar (për të disatën herë në historinë e aktivizmit) leksionin e padiskutueshëm se vendimmarrja e gjelbër nga lart nuk garanton një të ardhme të gjelbër.
Për aq kohë sa në deltën e Vjosës do të ketë një aeroport me itinerare kontinentale, në dëm të natyrës, “Vjosa Park Kombëtar” do të mbetet një farsë.