Citizens.al

Projektvendimi: Bashkia Tiranë ndryshon buxhetin; 5.6 milionë euro shtesë për inceneratorin

Bashkia Tiranë planifikon të ndryshojë buxhetin e qytetit, për të shtuar një pagesë prej 5.7 milionë eurosh për koncensionin e shumëpërfolur të Inceneratorit.

Shoqëria që administron koncensionin (aktualisht i sekuestruar nga SPAK) ka paralajmëruar se do të ndërpresë depozitimin e mbetjeve në rast se Bashkia Tiranë nuk kryen pagesat.

Bashkia e Tiranës ka hartuar projektvendimin për Programin Buxhetor 2023 – 2025, ku shpjegon se ka ezauruar të gjithë buxhetin e vitit 2023 për depozitimin e mbetjeve.

Bashkia i ka kërkuar fonde Ministrisë së Financave për të paguar inceneratorin, por kjo e fundit nuk i është përgjigjur thirrjes duke arsyetuar se është autoriteti kontraktor (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë), që duhet të përgjigjet për garantimin e fondeve në rastet e vështirësisë financiare.

Vendimi pritet të votohet në mbledhjen e sotme nga anëtarët e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak, të cilët përbëjnë shumicën.

SPAK vendosi nën sekuestro kompaninë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” që zotëron inceneratorin e Tiranës, dhe të gjitha pasuritë e tjera në emër të kompanisë, pas një procesi të gjatë hetimesh.

SPAK bëri me dije se po heton për disa vepra penale, si “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të kryera në bashkëpunim

Mediat zbuluan se sipas dosjes hetimore të SPAK, projekti i inceneratorit të Tiranës iniciuar nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Vleiaj.  Sakaq ministri i financave asokohe Arben Ahmetaj është nën hetim për aferën e inceneratorëve. Po ashtu raportimet kanë treguar se e gjithë procedura për marrjen e koncesionit të inceneratorit të Tiranës është drejtuar dhe koordinuar nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri dhe se pas premtimit të marrë nga zyrtarët, ata kanë nisur kërkimet për gjetjen e kompanive “prestigjoze” në fushën e menaxhimit të mbetjeve.

Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesa nga buxheti 5.5 miliardë lekë për 2019-2022. Në total sipas bilanceve ka arkëtuar 9.9 miliardë lekë për shkak se merr dhe pagesa nga bashkitë dhe për shërbimin e heqjes së dherave.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW