Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Pse u ‘mund’ nga flakët pallati në Tiranë?

“Flaka u përcoll se fasada ishte me polisterol,” rrëfen Elmas Jaupi, njëri nga dëshmitarët e zjarrit në pallatin 10 katësh pranë ish-parkut të Autobusëve në Tiranë.

Zjarri rrezikoi jetët e banorëve, të cilët arritën të evakuohen në kohë, por shkrumboi totalisht katër apartamente, ndërsa 12  banesa u dëmtuan rëndë.

Arkitekti Arnel Çela shpjegon se materiali i fasadës së objekteve është kusht teknik që të jetë material zjarrdurues ose material që digjet, por nuk merr flakë.

“Sipas normativave që kemi sot për sot janë disa materiale që lejohen dhe disa që nuk lejohen, polisteroli p.sh. është kategorikisht i ndaluar në përdorimin në soleta dh në veshjen e fasadave pikërisht për këtë arsye sepse është material që merr flakë”, analizon Çela.

Ai shton se ky është një material i rrezikshëm, por nuk mund të garantojë nëse është i ndaluar ose jo pasi nuk ka një certifikim të tillë.

“Materialet që marrin flakë janë më të lira dhe zakonisht përdoren më shumë nga ndërtuesit dhe bëhet pak e vështirë me kontrollin e objekteve të reja, për të kontrolluar a kanë përdor materialin e duhur apo jo dhe ndodhin incidente të tilla si këto”, përfundon ai.

Blloqet e banimit pa sisteme infrastrukturore kundër zjarrit

“Kam dëgjuar që janë ankuar, e kanë ngritur si  problem deri lart dhe s’është marrë parasysh asgjë”, tregon Elmas Jaupi për denoncimet e vazhdueshme të banorëve të pallatit që mori flakë, për afërsinë me godinat përqark.

Arkitektia Doriana Musai tregon se një pallat në flakë mund të shërbej si efekt domino për të gjithë serinë e pallateve nëse ndërhyrjet nuk janë eficente.

“Afërsi e godinave pamundëson dhe vështirëson shumë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës dhe po të shohim të gjitha hapësirat rreth e përqark, ngushticat midis pallateve, e kanë vështirësuar mënyrën sesi ka ndërhyrë zjarrfikësi,” thekson ajo.

Musai analizon se çfarë mungon në këtë rast është mungesa e hidrantëve të brendshëm, që është kusht ligjor për të patur brenda pallateve, pra hidranti i lidhur me depozitat e ujit.

“Zjarrfikësi të komunikojë nëpërmjet objektit brenda shkallës së pallatit, e cila ka zjarr durueshmëri dhe nëpërmjet asaj njësie qendrore të fiki zjarrin, jo të vijë me një shkallë dhe të bëjë këtë akrobaci që po bëjnë këto zjarrfikës që janë heronj në fakt, pasi kushtet janë tërësisht të papërshtatshme,” përfundon ajo.

Shkelqim Goxhaj, drejtor i zjarrfikëses sqaron për Citizens Channel se zjarret në banesë parandalohen nga qytetarët vetëm nëse qytetarët janë prezentë në banesë dhe të kenë pajisje fikse dore, ndërsa përsa i përket pajisjeve të tjera përdoren nga shërbimi zjarrfikës.

Në lidhje me pajisjet e skuadrës së zjarrfikëses, Goxhaj konfirmon se nuk kanë mungesa apo nevoja të paplotësuara.

“Shërbimi zjarrfikës i Tiranës, përsa u përket kokoreve dhe pajisjeve të tjera të mbrojtjes nga zjarri shpërndan në të gjitha stacionet e shërbimit zjarrfikës të Republikës; bën dhurata, dhurata të cilat i mundëson nga shtete të ndryshme të Evropës siç është Austria, Gjermania, Hollanda, Suedia dhe këto pajisje dhe mjete ne i shpërndajmë edhe në stacione të tjera“, përmbyll ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *