Bunkerët që dikur kanë pasur funksion ushtarak janë kthyer tanimë në një ekomuze. Thoma Leka, banues në Vlorë dhe prej vitesh i angazhuar në çështje mjedisore kishte ndjerë mungesën e një muzeu për të promovuar natyrën në peizazhin e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Ekomuzeumi i Zvërnecit do të shërbejë si një instrument për ti dhënë vëmendje zonës së mbrojtur si dhe për të tërhequr turistët e për t’i njohur ata me ato që ofron zona.
“Dy tre vjet më para duke operuar në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë, na lindi ideja që turistët të cilët kalonin në mënyrë sporadike të kontaktonim me ta dhe të merrnim interesin e tyre. Që këtu lindi ideja për ndërtimin e një ekomuzeumi”, thotë Thoma Leka për Citizens Channel teksa na ka bërë turin e muzeut dhe bunkerëve.
Thoma Leka, CERCI
Vëmendje të veçantë në këtë proces ka pasur dhe rehabilitimi i bunkerëve të cilët kanë pasur funksion ushtarak. Thoma Leka sëbashku me disa vullnetarë kanë hapur këto bunkere duke i rijetëzuar dhe dhënë një funksion të ri. Tashmë sëbashku me muzeun në hyrje, kushdo që e viziton mund të bëjë një tur në brendësi të bunkerëve. Në dalje të tyre në kodrën e Farit të Zvërnecit, mund të shihet dhe një pamje atraktive. Me kthimin e tyre në muze përpos natyrës i jepet një vëmendje dhe historisë që këto bunkerë mbartin.
“Impianti që zgjodhëm është pjesë e këtyre bunkerëve dhe galerive që janë të pafundme në këtë kodrën e farit me pamjen e magjishme siç e shikoni nga kanali i Otrantos dhe Sazani por impiantin e ngritëm në fjetinën e ushtarëve ku kryenin jo vetëm shërbimin po edhe qetsoheshin pas shërbimit më shumë se 100 e ca ushtarë”, thotë Leka.
Hyrja ne ekomuzeumin e Zvërnecit
Zona ka pasur muze më herët të cilët nuk ekzistojnë më, shpjegon Leka dhe prandaj e sheh me një rëndësi të veçantë jetëzimin e këtij ekomuzeumi.
Ekomuzeumi u inaugurua të mërkurën, ku pati të pranishëm banorë të zonës, organziata mjedisore, ambientalistë si dhe krytetari i bashkisë. Teksa të gjithë u prezantuan me ekomuzeumin dhe qëllimin e tij, në vëmendje u soll dhe ndërtimi i aeroportit të Vlorës në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
“Ne jemi dëshmitarë që disa ndërhyrje të ndryshme në zona të mbrojtura kanë cënuar ciklet natyrore dhe kanë dëmtuar ekosisteme dhe rrjedhimisht komunitete”, u shpreh Rodion Gjoka i Co-Plan, teksa shtoi se do të ishte pozitive që të kishte më shumë ndërhyrje si ekomuzeumi në zonat e mbrojtura.
Ne brendesi te ekomuzeumit te Zvernecit
“Uroj që shpendët shtegtarë simbol të kësaj zone të mos ja lënë përgjithmonë vendin shpendëve motorik që do të ngrihen 7 kilometra më larg se sa këtu”, shtoi Gjoka.
Kryetari i Bashkisë Vlorë Ermal Dredha teksa përshëndeti inaguruimin e muzeut, nuk u rezervua në mbështetjen e ndërtimit të aeroportit në zonë të mbrojtur.
“Sa i përket projektit të aeroportit të Vlorës patjetër që mund të ketë një farë debati këtu me të gjitha shoqatat ambientaliste që promovojnë ambientin por ne duhet të ecim paralel, të ruajmë, ta konservojmë me shumë fanatizëm pjesën e të gjitha specieve domethënë që janë këtu. Por patjetër që ne duam njëkohësisht që të zhvillojmë dhe ekonominë”, u shpreh kryebashkiaku Ermal Dredha.
Ndërtimi i aeroportit të Vlorës pranë zonës së mbrojtur Vjosë- Nartë është kundërshtuar nga shumë organizata mjedisore, përmes deklaratave, hulumtimeve mbi zonën, protestave etj.
Në nëntor të vitit 2022, pas rishikimit të zonave të mbrojtura, zona ku sot po kryhen punimet, u hoq nga Peizazhi i Mbrojtur “Vjosë-Nartë” dhe u mor vendimi për krijimin e një zonë të re të quajtur “Peizazh i Mbrojtur Pishë Poro-Nartë”. Një territor prej 310 ha u hoq nga zona e mbrojtur.
Organizatat mjedisore po e ndjekin ndryshimin e zonave të mbrojtura në rrugë ligjore dhe në vitin 2022 kërkuan pavlefshmërinë e kontratës së aeroportit të Vlorës në Vjosë-Nartë. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi të mos e shqyrtojë padinë e ngritur. Ky vendim u apelua nga organizatat mjedisore.
Pak ditë më parë 30 organizata mjedisore nga “Aleanca e Mesdheut për Ligatina”, një rrjet ndërkombëtar nga 15 shtete kanë kërkuar të ndalohen punimet e aeroportit të Vlorës në Vjosë-Nartë, duke e konsideruar vijimin e punimeve si “shkatërrimtare për xhevahirin mesdhetar që është shtëpi për 70 specie të rrezikuara, 200 lloje shpendësh apo llojesh endemike”. Më herët Konventa e Bernës përmes një vendimi i ka kërkuar autoriteteve shqiptare të pezullonin punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë derisa të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis
Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.