Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Librazhdi, qyteti pa një muze qëndror historik dhe etnografik

“Takohemi te muzeu” ka mbetur thjesht një shprehje për qytetarët e Librazhdit, pasi gjithçka ka mbetur nga muzeu i dikurshëm është një godinë e rrënuar dhe e kyçur.

Godina, e cila arriti ti mbijetojë zhvillimeve politike e historike, duke përfshirë edhe vitin 1997, përgjatë 20 viteve të fundit nuk ka parë asnjë investim apo vëmendje, duke humbur karakteristikat e saj muzeore.

Historiani Shaban Gjura rrëfen për Citizens Channel se godina e muzeut e përdorur fillimisht si spital e më pas në vitet ’70 e kthyer në muze, ishte një oaz i rëndësishëm i kulturës dhe historisë së zonës.

Shaban Gjura, historian

Nga viti ’74, deri nga viti ’79-’80-’81 apo ’82, u grumbulluan dhe u ekspozuan në dy muze, por që ishin shkrirë në një. Muzeu historik brenda dhe muzeu etnografik, këtu ku jemi ne, kjo salla ku është këtu. Kishte elementë të të gjitha kulturave materiale bujqësore që përdorte fshatari. Kishte të gjithë kulturën materiale të zbukurimit dhe të ornamenteve zbukuruese që përdornin të gjitha gratë apo burrat gjatë gjithë jetës së tyre. Kishte brenda edhe të gjitha elementet e veshjes, ku përfaqësoheshin të gjitha zonat. Me një dallueshmëri dhe me një mënyrë ndërtimi jashtëzakonisht të bukur, shumë të këndshme. Dhe muzeu etnografik dhe historik i rrethit të Librazhdit është muze i kategorisë së pare”,-kujton Gjura.

Sipas tij, lugina e Shkumbinit ka një histori mjaft të pasur që prej antikitetit, e cila ishte e pasqyruar dhe e ndarë në pavione.

“Të gjitha këto periudha, edhe epokën ilire me kandavët, edhe epokën e qëndresës anti-turke, edhe epokën bizantine me familjen e Arianitëve, edhe rezistencën kundër turqve ishin të pasqyruar në këto muze. Qëndresa anti-turke me betejën e Torviollit ose Domosdovës në 1444. Sepse Skënderbeu këtu ka disa pika interesante vëzhgimi. Siç është guri i Pishkashit, ose sofra e Pishkashit. Është guri i Skënderbeut që sot e kësaj dite i ka të gjitha elementet brenda. Pra ka elementët e një kulle, të një kalaje vrojtimi. Është kalaja e Zdrajshit, edhe ajo është kalaja e Skënderbeut e cila ka kulla vrojtimi e cila lidhej me kalanë e Petrelës dhe informacioni shkonte. Pra gjinin pasqyrim këtu”.

Muzeu kishte të ndërthurur pjesën historike dhe atë etnografike, e cila zinte vend edhe në oborrin e godinës.

Gjatë këtyre viteve që muzeu nuk funksiononte, banorë të zonës kanë ngritur në mënyrë private oaze kujtese për historinë dhe etnografinë e zonës.

Mallënjim Bicaku në lagjen e stacionit në Librazhd ka përshtatur një dhomë të shtëpisë së tij në një muze. Materialet e të cilit i ka grumbulluar nga takimet derë më derë me banorët ashtu sikurse edhe ia kanë dhuruar duke ditur pasionin e tij për koleksionimin e objekteve që tregojnë mënyrën e jetesës së banorëve ndër vite.

Pak më larg, në fshatin Gizavesh, mësuesi Ali Buzra, i cili tanimë ka dalë në pension ka shndërruar në muze një klasë të shkollës ku ka dhënë mësim. 500 objekte janë pasqyruar në këtë muze, i cili përpos shkollës i shërben edhe fshatit si një institucion kujtese.

Për historianin Shaban Gjura ringritja e një muzeu bashkëkohor është një domosdoshmëri për zonën, duke ndjekur edhe shembujt ndërkombëtarë.

“Më duket sikur është çështje botëkuptimore që ky institucion duhet të ringrihet mbi bazën e disa botëkuptimeve dhe koncepteve që ka Evropa, Bashkimi Evropian, që ka Amerika apo që kanë ta gjitha kombet dhe popujt e tjerë, për atë që quhet muze në tërësi. Këtu nuk është koha për të kërkuar fajtorët, sepse ndoshta fajtorët janë një cikë me përmasa shumë të mëdhaja dhe nuk është puna jonë. Këtu problemi është që ato vlera që ka pasur muzeu dhe që diku ruhen, ruhen janë ruajtur në një mënyrë ashtu siç janë ruajtur”.

Ai thekson se përpos godinës, e rëndësishme është edhe forca intelektuale që do të përfshihet në grumbullimin dhe seleksionimin e dokumentave historikë e materialeve muzeore.

“Projekti bëhet. Problemi është që a ka forca intelektuale në Librazhd që ta grumbullojnë dokumentin, ta seleksionojnë dokumentin. Por të sjellin edhe njëherë në fokusin e një muzeu sepse nga vitet 1990 dhe këtej ne kemi edhe një kapitull të çuditshëm të historisë sonë dhe ky kapitull është historia e gjenocidit komunist ndaj shumë figurave. Në këtë pikëpamje, ky kërkon forca intelektuale, kërkon mbështetje, kërkon bashkëpunim edhe me institucionet siç është Muzeu Kombëtar apo muzeu në Elbasan”. 

Deri më tani rijetëzimi i këtij institucioni ka qenë vetëm në vazhdën e premtimeve elektorale.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *