Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Indeksi Global: Shqipëria mbetet nën ndikimin e krimit të organizuar

Sipas indeksit global të krimit të organizuar të publikuar së fundmi nga Iniciativa Globale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria vijon të ketë elementë të pranishëm të krimit në fusha të rëndësishme jetësore sikurse tregtia, mjedisi, ekonomia e siguria kibernetike.

Sipas raportit, Shqipëria vazhdon të luftojë me ndikimin kriminal, i cili krijon varësi reciproke midis partive politike dhe grupeve kriminale duke reduktuar kështu aftësinë e shtetit për të luftuar krimin e organizuar.

Raporti thekson se: “Aktorët kriminalë shqiptarë dyshohet se janë përgjegjës për një numër të madh viktimash trafikimi në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, me shumicën e grave dhe fëmijëve të transferuar nga Shqipëria. Shfrytëzimi seksual i viktimave shqiptare në vendet e Evropës Perëndimorë mbetet forma më e përhapur e këtij krimi”.

Ndërsa nuk përjashton shfrytëzimin e fëmijëve romë që lypin në rrugë brenda vendit.

Po ashtu, vendi ynë shërben edhe si një zonë tranziti për azilkërkues dhe refugjatë të kontrabanduar nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, që udhëtojnë përmes Greqisë dhe Malit të zi.

“Megjithatë, numri i kalimeve të parregullta të regjistruara në këtë rrugë në fund të vitit 2022 është pak më i ulët se vitet e mëparshme për shkak të kontrolleve më të forta kufitare nga Greqia”, -thekson raporti.

Tregtia

Sipas raportit trafiku i armëve mbetet i kufizuar krahasuar me vendet e tjera të ballkanit për shkak se vendi nuk është prodhues i armëve apo municioneve.

Megjithatë “armët nga trazirat civile të vitit 1997 në Shqipëri janë ende në qarkullim, duke krijuar themelin për një treg të kufizuar kriminal të armëve të vogla dhe të lehta dhe pjesëve të armëve të çmontuara”.

Një karakteristikë e fushës së tregtisë në vend është futja e mallrave të falsifikuara, kryesisht nga Kina dhe nga Turqia.

“Artikujt e falsifikuar duke përfshirë veshjet, aksesorët dhe grimin mund të gjenden në dyqane dhe tregje online.Për më tepër, produktet farmaceutike të kontrabanduara dhe të falsifikuara po bëhen gjithnjë e më shumë të përhapura në vend”.

Mjedisi

Krimi mjedisor zë vend të konsiderueshëm në raport. Sipas raportit Shqipëria është një vend burimi dhe tranzit i lëndës drusore ilegale në Evropë.

“Prerjet e paligjshme janë veçanërisht të përhapura në rrethin verilindor të Elbasanit dhe në qarkun jugor të Vlorës. Një ndalim 10-vjeçar i eksportit u vendos në vitin 2016 dhe frenoi me sukses disa prerje të paligjshme”.

Trafikimi dhe tregtia e paligjshme e kafshëve dhe hspendëve është një formë e zakonshme sipas raportit.

“Megjithëse një ndalim mbarëkombëtar i gjuetisë ka kërkuar të kufizojë gjuetinë pa leje, aktivitete të tilla vazhdojnë të jenë të përhapura për shkak të zbatimit joadekuat të këtij ndalimi. Trafikimi i paligjshëm në internet i lëkurës së gomarit është bërë i përhapur vitet e fundit”.

Nxjerrja e paligjshme e burimeve natyrore vijon të mbetet një problem thekson raporti. Lehtësuar kjo edhe nga korrupsioni në zyrat shtetërore.

“Si një vend prodhues nafte, Shqipëria është shtëpia e një tregu të vogël, por të dukshëm për nxjerrjen e paligjshme të naftës, i cili lehtësohet nga praktikat korruptive nga ana e zyrtarëve shtetërorë”.

Pavarësisht statusit të veçantë të mbrojtur, nxjerrja e paligjshme e gurit dhe mermerit është evidentuar edhe në vargmalin e Tomorrit, thuhet më tej në raport.

Drogërat

Shqipëria mbetet një vend tranzit edhe për drogën. Sipas raportit, heroina trafikohet nga Turqia, Irani, Afganistani dhe Pakistani përmes Ballkanit.

“Pjesa më e madhe e heroinës trafikohet në Shqipëri nga toka përmes Maqedonisë së Veriut, por laboratorët e përpunimit të heroinës janë zbuluar brenda vendit nga policia shqiptare. Pavarësisht nga roli i vazhdueshëm i vendit në tregtinë transnacionale të heroinës, konsumi i saj lokal mbetet i kufizuar”, -thekson raporti.

Ndërsa shërben si vend tranzit edhe për kokainën të trafikuar kryesisht nga  Amerika Latinë në Evropë.

“Grupet kriminale shqiptare të përfshira në tregun e kokainës në Evropën Perëndimore kryejnë aktivitete trafikimi, ruajtjeje dhe shpërndarjeje nëpër vendet e BE-së. Grupet shqiptare të stilit mafioz dihet se krijojnë komunitete satelitore shqipfolëse jashtë vendit që rekrutojnë bashkëqytetarë, me synimin për të zgjeruar trafikun e drogës në qytetet kryesore në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe Gjermani, ndër të tjera”.

Sipas raportit, Shqipëria është gjithashtu një vend destinacioni për kokainën, por në një masë më të vogël, sepse konsumi i brendshëm është relativisht i ulët.

Ekonomia e madhe informale në vend ka lehtësuar edhe krimet në nivel financiar. Sipas raportit “krimet financiare, duke përfshirë mashtrimet telefonike, evazionin fiskal dhe mashtrimin e TVSH-së, skemat piramidale, përvetësimet, shpërdorimet e fondeve publike, si dhe korrupsioni i kryer nga organizata kriminale, aktorë të sektorit privat dhe aktorë të përfshirë nga shteti janë të përhapura në Shqipëri”.

Krimet kibernetike 

“Shqipëria është një vend burim për krimet e varura nga kibernetikë në Evropë, të cilat kryhen nga autorë vendas dhe të huaj, duke përbërë më shumë se 10% të të gjitha sulmeve kibernetike që ndodhin në Evropë. Mashtrimi financiar duke përdorur tregtimin e kriptomonedhave është në rritje në vend pavarësisht nga legjislacioni përkatës”,-thekson raporti.

Shqetësim kryesor po bëhen po ashtu edhe aktivitetet kripti, të kontrolluara kryesisht nga grupe të njohura të krimit të organizuar.

Aktorët kriminalë 

Sipas raportit edhe pse grupet mafioze shqiptar lehtësohen nga lidhjet familjare, ato janë të organizuara në grupe më të vogla me marrëdhënie të përkohshme, të ndryshme nga grupet e tjera mafioze të mëdha si mafia italiane.

‘Këto grupe janë të përfshira kryesisht në trafikun e drogës, kontrabandën e qenieve njerëzore, dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Grupet e stilit mafioz ndikojnë në politikë dhe në prokurimet publike në vend, veçanërisht në qytetet ku ata mbajnë një prani të fortë. Grupet e stilit mafioz shqiptar janë të përhapura në vende të tjera, ku janë integruar në kriminalitetin lokal”,-thuhet ndër të tjera në raport.

Sipas raportit grupet kriminale kanë lidhje edhe me shtetin shqiptar.

“Anëtarët e grupeve kriminale thuhet se janë emëruar në poste politike në nivele të ndryshme të aparatit shtetëror. Rrjetet kriminale janë shumë të ngulitura në strukturat e nivelit lokal dhe rajonal, operojnë me policinë dhe marrin mbrojtje politike”.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *