Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studimi: Qytetarët nuk po përdorin konsultimin publik; Ligji ka nevojë për amendime

Qytetarët nuk po i përdorin mekanizmat e konsultimit publik. Sipas një studimi të realizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), të prezantuar sot para grupeve të interesit, pas pothuajse një dekade nga miratimi i ligjit “Për njoftimin dhe Konsultimin Publik”, ai ka një zbatim të vakët, ndërsa ka nevojë për amendime.

Sipas studimit qindra dokumente përjashtohen çdo vit nga procesi i konsultimit, duke mos pasur një arsyetim për publikun.

“Ajo që kemi venë re është se ndër vite ka renë numri i akteve të konsultuara, pra faktike nga parashikimi i tyre. 2020 mund të konsiderohet si viti më i mirë në aspektin e sasisë pasi ka qenë dhe viti i asistencës së BE-së për zyrën e Kryeministrit për të gjithë procesin e konsultimit publik”, shprehet Besjana Kuçi, bashkë-autore e studimit. 

Ndërsa shumë prej konsultimeve kryhen në periudha festash apo pushimesh. 

“Ministria e Mjedisit në periudhën fund të korrikut deri në gusht nga 54 raste, 44 prej tyre ishin konsultuar vetëm këtë periudhë. Ose strategji të rëndësishme, projektligje të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme janë konsultuar në fund të vitit, në 20 dhjetor e tutje”,-thekson Besjana Kuçi. 

Megi Reçi dhe Besjana Kuçi, autore të studimit

Sipas studimit, shpesh konsultimet e hapura shihen si një instrument lobimi. 

Shpeshherë edhe në perceptimet e të intervistuarve apo ekspertëve shihet si lobim apo në një kufi të paqartë me lobimin, i cili po ashtu është një proces i parregulluar me ligj në Shqipëri. Shpeshherë krijohet perceptimi, duke mos pasur kontroll apo monitorim të këtyre proceseve krijohet perceptimi se një vendimmarrje apo ligjbërje e caktuar është krijuar për ti shërbyer një interesi apo një aktori të caktuar”,-thekson Megi Reçi.

Studimi nxjerr në pah mes të tjerash se Regjistri Elektronik i Konsultimeve përdoret më shumë si kanal informimi publik dhe jo si hapësirë për të ndërvepruar me institucionet. 

“Këtë e konfirmojnë edhe shifrat e raportuara në portalin e të dhënave të hapura
të qeverisë, duke treguar se gjatë viteve 2021-2022, RENJKP ka arritur në 123,116
shikime, ndërsa ka marrë vetëm 69 komente”,-thuhet në studim.

I pranishëm në prezantimin e studimit ishte edhe Komisioneri për të Drejtën e informimit dhe Mbrotjen e të Dhënave personale, Besnik Dervishi. Ai u shpreh se detyra e Komisionerit në këtë ligj është shumë periferike.

“Zyra e komisionerit ka një detyrë shumë periferike përsa i përket ligjit për kosnultim publik. Por që në perceptimin e përgjithshëm ne kemi konstatuar që konsiderohet në shumë aspekte Komisioneri si organ përgjegjës për njoftimin e konsultimin publik.Ne kemi bërë propozim që ndoshta duhet ta shikojmë ligjin nga pikëpamja e ndërtimit institucional. Jo se unë drejtoj sot institucion të pavarur por në përgjithësi detyrat që çvishen nga qeveria dhe u lihen institucioneve të pavarura në përgjithësi fillojnë dhe funksionojnë më mirë”,-u shpreh Komisioneri.

Sa i përket metodave të konsultimit, studimi thekson se institucionet mbështeten gjerësisht në regjistrin elektronik, duke çuar kësisoj në një rënie të përdorimit të metodave të tjera të konsultimit publik siç mund të jenë takimet publike.

Besjana Kuçi, u shpreh se që të përmirësohet planifikimi i konsultimeve publike duhet të përfshihen edhe grupet e interesit në konsultimin e Planit Vjetor të konsultimeve publike, me qëllim që të mundësojnë një diskutim të hapur.

“Ajo që kemi vënë re në regjistrin elektronik të konsultimeve është që raporti individual i konsultimit, ai që është për njoftimin e grupeve të interesit është i shkruar në kohën e shkuar dhe është hedhur pasi është realizuar konsultimi. Është dukshëm që ministritë vetë, por edhe zyra e Kryeministrisë këtë moment të publikimit të të gjithë paketës informuese për aktin që po konsultohet nuk është se monitorohet në termat e kohës, pra nëse është përpara momentit që realizohet konsultimi, apo hidhet thjesht për të qenë formalisht korrekt me parashikimet e ligjit apo për procedurë”, –theksoi Besjana Kuçi.

Në përfundim, një serë rekomandimesh u propozuan me qëllim përmirësimin e funskionimit të ligjit. Ndër to nevoja për tu përforcuar roli i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave; Ndërgjegjësimi i nëpunësve të niveleve të larta drejtuese në lidhje me rëndësinë dhe avantazhet e proceseve të konsultimeve publike; Rritja e aksesueshmërisë së RENJKP për personat me aftësi të kufizuara etj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *