Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Institucionet shqiptare sofistikojnë pengimin e së drejtës për informim

8 vite pas miratimit të ligjit “Për të Drejtën e Informimit”, situata me zbatimin e këtij ligji mbetet e përkeqësuar.

Një raport i qendrës Respublica ka analizuar nivelin e reagimit të institucioneve ndaj kërkesave për informacion.  “Duket se nuk ka prirje pozitive, madje shihet si situata më e keqe e katër viteve të fundit”, thuhet në raport.

Autoritetet japin përgjigje të pjesshme kur bëhet fjalë për prokurime publike, kontrata koncesionare apo çështje të tjera me interes publik.

8 vite pas miratimit të ligjit “autoritetet publike kanë sofistikuar metodat e veprimit për të penguar aksesin në informacione sensitive”, thuhet në raportin e Respublica.

Gjatë vitit 2022 ankesat drejtuar zyrës së Komisionerit për të drejtën për informim janë rritur krahasuar me vitet e mëparshme. Në 2022 janë regjistruar 1032 raste, ndërsa ankesat janë rritur, por raporti nuk është i njëjtë me numrin e vendimeve të marra nga komisioneri.

“Nga të dhënat rezulton se vitet e fundit, numri i vendimeve të dhëna nga Komisioneri është në rritje që nga viti 2019 kur u shënua numri më i ulët i vendimeve. Duhet thënë që ky numër është ende shumë i ulët në raport me numrin e ankesave të paraqitura”, thuhet në raport.

Shifrat e ankesave tregojnë për një rritje të ndërgjegjësimit të qytetarëve për të ushtruar të drejtën për informacion, teksa nga ana tjetër pasqyrohet një refuzim nga institucionet për të dhënë informacion.

Sa i përket reagimit të institucioneve ndaj kërkesave fillestare për 2022, pra pa ndërhyrjen e komisionerit, paraqitet si më e keqja në katër vitet e fundit.

Përgjigje e plotë është dhënë në 54% të rasteve, përgjigje e pjesshme në 18% të rasteve dhe mospërgjigje në 28% të rasteve.

Viti 2022 ka shënuar një përkeqësim të situatës me kthimin e përgjigjeve nga institucionet.  Ka një ulje të rasteve ku kthehet përgjigje e plotë, sipas raportit, teksa përgjigjet e pjesshme nuk kanë ndryshuar. Por nga ana tjetër ka një rritje të mospërgjigjeve krahasuar me një vit më parë.

Ky raport ka analizuar dhe kohëzgjatjen e kthimit të përgjigjeve. Autoritetet priren të shpenzojnë 15 ditë kalendarike për kthimin e përgjigjes. Por krahasuar me vitet e mëparshme ka përmirësim të situatës.

“Megjithëse ky tregues është përmirësuar, përsëri mesatarja është pak përtej afatit ligjor, ndërkohë që autoriteteve publike nuk i mungon as infrastruktura dhe as njohja e ligjit për të kthyer përgjigje më shpejt. Ky tregues nuk përfshin kohëzgjatjen e kthimit të përgjigjes për ato raste kur është vijuar ankim tek Komisioneri”, thuhet më tej në raport.

Me 19 shtator komisioni i ligjeve miratoi pa debat ndryshimet në ligjin “Për të Drejtën e Informimit”.

Ligji “Për të Drejtën e Informimit”, po ndryshohet për herë të parë që pas miratimit në vitin 2014. Ndryshimet janë pritur me kritika nga aktorë të medias dhe shoqërisë civile.

Ky propozim për ndryshime në ligj, u hodh fillimisht për konsultim nga Ministria e Drejtësisë. Ligji parashikon një sërë ndryshimesh thelbësore si ulja e gjobave ndaj autoriteteve publike, shtimi i pagave për koordinatorët e të drejtës së informimit dhe prezantimin e konceptit të kërkesave abuzive apo me karakter përsëritës. Por ky propozim u ndryshua më vonë pas kritikave nga media dhe shoqëria civile për t’u tërhequr nga neni për “kërkesat e abuzive”.

Ndryshimet në ligj të propozuara nga Ministria e Drejtësisë janë kritikuar nga ekspertët e fushës të cilët vlerësuan se kërkesat abuzive dhe gjobat nuk kanë qenë problemi kryesor i ligjit të vjetër.

Sipas ndryshimeve të reja në ligj, komisioneri pas hetimit mund të vendos gjoba ndaj titullarit të institucionit apo zyrtarit i cili nuk ka penguar dhënien e informacionit.

Blerjana Bino nga rrjeti “Safe Jounralists” shprehet sa i takon ndryshimeve ligjore, se është e nevojshme të bëhet monitorimi i tyre se si do të zbatohen në praktikë.

Ajo nënvizon se ka disa përmirësime tek këto ndryshime pas sugjerimeve nga shoqëria civile.

Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt

“Është hequr neni për kërkesat abuzive pas shumë përpjekjeve dhe reagimit të organizatave të shoqërisë civile dhe mbrojtjes së medias, megjithatë situata në realitet nuk ka ende përmirësim”, tha Bino për Citizens Channel.  Ajo shton më tej se zbatimi i ligjit është një problem i pa zgjidhur në këtë fushë. 

“Ka vonesa me kthim pergjigje ose përdorimi i çdo mekanizmi apo hapësire per mos ta dhënë informacionin në kohë apo formën e duhur”, thotë Bino.

Sipas saj mungon vullneti politik dhe ende vazhdon kultura e fshehjes dhe e mbajtjes së informacionit në institucione. Bino thekson se nuk ka transparencë dhe llogaridhënie dhe nga këtu duhet nisur.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *