Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Jeta buron nga fshati”, një thirrje e grave për më shumë barazi dhe mbështetje

Mukades Gjona, përgatiti një kuintal brumë deri në orën 11 të mbrëmjes, ndërsa në mëngjes u zgjua herët për t’u nisur nga Leshnica e Pogradecit për në Tiranë.

Edicioni i tretë i Parlamentit Rural mblodhi vajza dhe gra që jetojnë në fshat, për të folur mbi sfidat dhe vështirësitë e përditshme dhe për t’i adresuar ato drejt institucioneve shtetërore.

Mukadesi, prej 10 vitesh prodhon dhe kultivon zahire të dimrit, ndërsa e ka kthyer këtë aktivitet në biznes familjar. Ajo tregon se punën e ka nisur si shitëse ambulante në autostradë.

Mukadez Gjona

“Mora prodhimet e mia, petka, trahana, fasule, ç ’kisha prodhime të miat i mora dhe i nxora në rrugë për të shitur. Shisja me orë të tëra gjatë gjithë ditës, ku aty kapa tregun”,-rrëfen Mukadesi.

Kërkesat e rritura për produktet që ajo përgatit solli nevojën edhe për të përfshirë gratë e tjera të fshatit ku ajo banon: “Unë organizoj gratë e të gjitha zonës. Ju them shtoni pulat se petka është e prodhuar me vezë fshati, trahanaja me gjalpë fshati, me vezë fshati, të gjitha me qumësht, sa i mjelin unë ua marr të freskët me çmim të mirë, të arsyeshëm”.

Bashkë me Mukadesin, në Tiranë ishin edhe dhjetëra gra të zonave rurale, të cilat kishin sjellë me vete edhe produktet e tyre në një panair dedikuar produkteve të fshatit.

Jetmira Kajoshi udhëtoi nga Shkodra për të sjellë sapunët artizanale dhe vajërat e bimëve medicinale që i krijon me produkte të zonës.

Përdorim bimë medicinale si lëndë e parë me qëllimin që të krijojmë një produkt me zero kilometër dhe të kemi një produkt natyral me lëndë të parë shqiptare. Unë bashkëpunoj me fermerë të zonës së Koplikut ku marrim lavandën dhe sherebelën kryesisht si lule dhe si vaj esencial të bimëve”,-tregon Jetmira.

Jetmira Kajoshi, Shkodër:

Në një tjetër stendë zunë vend reçelërat dhe llojet e ndryshme të trahanasë, të përgatitura nga duart e zonjave të Ersekës.

Donika Pinderi, Ersekë

“Kam 35 vite infermiere, por këto janë pasion, gjërat artizanale, punët e dorës dhe zahiret.. Jam lidhur me disa restorante që kanë dëshirë dhe kush ka provuar që merrnjë herë, merr përsëri vitin tjetër”,-rrëfen për Citizens Channel Donika Pinderi.

“Jeta buron nga fshati”

“Pro-Grave Rurale”, një ngjarje që zhvillohet për herë të pestë në Shqipëri, mblodhi grupe grash nga Erseka, Puka, Elbasani, Lushnja e Berati që punojnë në sektorin agro-ushqimor. Eventi përkon me Ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale që festohet çdo 15 tetor.

Nga dita e dytë e Parlamentit rural.

Ngjarja shërbeu edhe si një platformë për të sjellë përvojat, sfidat dhe vështirësitë që hasin vajzat dhe gratë në zonat rurale në përpjekjet e tyre të përditshme për më shumë të drejta dhe barazi gjinore në sektorin agro-ushqimor.

“Parlamenti i tretë rural shqiptar kishte një moto shumë domethënëse: “Jeta buron nga fshati”…Për të theksuar nevojën që duhet t’i kushtojmë mbështetjes së ekonomive të vogla bujqësore, fermerëve të vegjël, grave dhe vajzave që jetojnë në zonat rurale, të rinjve nga zonat rurale”,– u shpreh Evelina Azizaj, koordinatore kombëtare e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD).

Parlamenti zgjati tre ditë, dhe u përmbyll më pas me një deklaratë të përbashkët, që i adreson kërkesat tek institucionet lokale dhe vendore.

Evelina Azizaj, ANRD

“Si asnjëherë më parë, edicioni i pestë i “Pro-Grave Rurale” u pëfshi në platformën e parlamentit për të qenë një advokaci më e fortë”,-shprehet Evelina Azizaj.

Sipas vajzave dhe grave nga zonat rurale, sfidat mbeten të vijueshme.

“Vështirësitë kanë qenë në përballje me klientin, nga mosbesimi që kanë ndaj një produkti vendas. Dhe kjo ka qenë një ndër ato pikat që të rendon më shumë. Se edhe pa e provuar një produkt direkt thonë, jo po s’është gjë. Kemi shumë pak besim te produkti jonë, te produkti shqiptar”,-thekson Jetmira Kajoshi.

Ndërsa nevoja për mbështetje nga shteti vijon të adresohet prej tyre pavarësisht përgjigjeve jo pozitive.

“Kam aplikuar në shtet. Aplikova vjet në AZHBR, por projekti ishte për artizanët, për grepin. Kjo përgjigje m’u kthye. Bile kredi mora që bëra letrat. I nxora të tëra letrat paraprake që duheshin. Mirëpo më dhanë edhe një përgjigje tjetër që me të dalë projekti tjetër dhe kam shpresë në qoftë se do të më jepet një dorë, ne kemi nevojë për çdo gjë”,-përfundoi Mukades Gjona.

Sipas Evelina Azizajt, gratë në zonat rurale vijojnë të përballen me pabarazi dhe punë të pa paguar.

“Flasim ende që gruaja vuan nga varfëria, ndërkohë që punon. Punon edhe 24 orë në punë të pavlerësuar dhe të papaguar. Kujdeset për mbarëvajtjen e punëve në fermë por edhe të shtëpisë. Guraja rurale mban gjithë punët në fermë, ndërkohë që menaxhon pak fermën, ka shumë pak akses në informacion, në tregje në teknologji”,-tha Azizaj.

Gratë në zonat rurale dhe pabarazitë gjinore

Pabarazia gjinore është një pengesë serioze në reduktimin e varfërisë. Sipas një studimi “Hendeku gjinor në pronësi dhe trashëgimin e tokës në Shqipëri”, gratë rurale përballen me tre shtresa shtypjeje:

  1. Patriarkalizmi dhe autoritarizmi në qeverisje
  2. Hegjemonia mashkullore brenda komuniteteve dhe familjeve të tyre
  3. Varfëria, ndonjëherë ekstreme e shkaktuar nga një varësi e lartë nga bujqësia për mbijetesë.

“Vetëm 5% e përfituesve të subvencioneve bujqësore dhe pak më shumë se 10% e fermerëve që kanë pasur kontakte me agronomë profesionistë janë gra”, -thuhet në studim.

Sipas studimit, gratë në zonat rurale priren ti referohen vetes si “shtëpiake”, pa i mveshur vetes së tyre punën bujqësore.

“Në realitet, ata kryejnë një kombinim të punëve të shtëpisë dhe punës prodhuese bujqësore. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e grave në treg (shitja e produkteve ose blerja e mallrave shtëpiake dhe materialeve bujqësore) është shumë e kufizuar dhe e rastësishme. Në shumicën e rasteve, burrat janë përgjegjës për aspektet burokratike të drejtimit të një ferme dhe familjes (p.sh., taksat dhe shërbimet komunale pagesat). Me fjalë të tjera, burrat kryejnë shumicën e transaksioneve që përfshijnë para”, -thekson studimi.

Sipas një tjetër studimi të kryer nga UN WOMEN, rezulton se 80% e titujve të tokës bujqësore janë në emër të kryefamiljarit ose të ish-kryefamiljarit (vjehrrit, babait ose gjyshit). Ndërsa 60% e fermerëve nuk u njohin asnjë të drejtë trashëgimie grave të familjes së tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *