Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Në qeli për një parrullë”

Ndërkohë që në Tiranë zhvillohej Samiti i Procesit të Berlinit, Arilda, Arbri dhe Adriatiku hapën një banderolë ku shkruhej: “Sanksiononi Ramën dhe Vuçiç”,  me shpresën se ky mesazh do të shikohej nga ndërkombëtarët.

Parullën e hapëm në orën 13:30 në bulevardin “Bajram Curri” në anën jugore të hotel Dajtit”, – thotë për Citizens Channel Arbër Lleshi.

Mesazhi qëndroi shumë pak kohë e hapur, pasi u pengua nga forcat e policisë dhe të tre aktivistët u shoqëruan menjëherë në komisariatin numër 1.

As një minutë nuk e kemi mbajtur të hapur edhe vjen policia sepse ishin shume afër nesh dhe na tërhoqën banderolën”, – rrëfen Arilda Lleshi, e cila e inicioi këtë aksion. Ky veprim shkaktoi irritim te aktivistët që kërkuan të dinë arsyen e ndalimit të aksionit. Policia u  komunikoi se ata duhet të ishin 15 metra larg perimetrit të sigurisë

Ne ishim 15 metra larg perimetrit të sigurisë, pavarësisht se nuk e dinim këtë rregull. Shumica e njerëzve po kalonin lirshëm, pra zëre se po kalonim edhe ne”, – shtjellon Arilda për Citizens Channel.

Momenti kur tre të rinjtë shpalosin banderolën

Policia e Shtetit nuk ka nxjerrë asnjë njoftim mbi shoqërimin e aktivistëve, të cilët qëndruan më shumë se katër orë në komisariat.

Hyra me një ndjesi pafuqie ndaj të padrejtës dhe më sekuestruan sendet personale. Pak me vonë, për çudi çelësin e makinës ma kthyen”, – kujton Arbri, i cili tregon se çelësin e përdori për të shkruar mbi derën e qelisë parullën që nuk mundi ta shfaqë në shesh.

Më pas, Arbri tregon se përmes një dokumenti, ai u njoh me të drejtat e tij si i shoqëruar, të cilat i lexoi me zë të lartë. “Sipas të drejtave që përmendeshin, duhej të më sqaronin pse më kanë shoqëruar dhe nuk mund të më mbanin më gjatë sesa është e nevojshme për verifikimin e çështjes”.

Edhe Arilda Lleshi pohon se ka kërkuar të dijë arsyet pse janë shoqëruar, por nuk i është dhënë asnjë sqarim, përveçse që çështja do t’i kalojë prokurorisë.

Na morën numrin e telefonit për kontakt edhe kaq, nuk e dimë fare se si do vijojë”, – shprehet Arilda.

Në orën 18.45 aktivistët dolën nga komisariati. “Isha entuziast që dola, aq dhe i irrituar mendërisht nga pafuqia para këtij institucioni që kreu mbi mua një akt të pastër censure”, – vijon më tej Arbri.

Arbër Lleshi pohon se ka ngulmuar edhe një herë të fundit ta dijë pse i mbajtën në komisariat dhe të marrë me vete një kopje të procesverbalit. “Më gjithë insistimin tim krejt të logjikshëm, bazuar mbi të drejtat që ata vetë mi kishin dhënë me shkrim, më lanë vetëm të fotografoj foton e të drejtave”, – përfundon ai.

“Ndalimi i aktivistëve cenon lirinë e tubimit”

Avokatja Gjyljana Bakall shpjegon se duke u bazuar në legjislacionin shqiptar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, aktivistët do duhej të kishin lajmëruar Policinë e Shtetit mbi aksionin, por gjithsesi, lajmërimi nuk është i detyrueshëm. “Edhe kur ka samite ndërkombëtare, protesta ka gjithmonë”, – shton ajo.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shfuqizuar në vitin 2021 nenin 262 të Kodit Penal, që ndalon protestat të cilat nuk marrin më parë leje nga Policia e Shtetit.

Ndërsa neni 109 i ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” parashikon rastet kur lejohet shoqërimi në polici që lidhen kryesisht me rrezikshmërinë që paraqesin të shoqëruarit të cilët mund të kenë kryer ose parashikojë të kryejnë një vepër penale ose kur ka moszbatim të urdhrave të gjykatës apo të detyrimeve ligjore.

Asnjë nga parashikimet nuk vlen për rastin e shoqërimit të personave që mbanin banderolë”, – citon Gjyljana Bakalli.

Sa i përket akuzës së përfolur se aktivistët kanë shkelur perimetrin e sigurisë, Bakalli shpjegon se kjo do të konsiderohej “kundërshtim i forcave të policisë”.

Kundërshtimi i forcave të policisë është gjë shumë më e rëndë dhe shkon për masë sigurie. Të shoqëruarit i mbajnë në paraburgim derisa merret vendimi dhe dalin në gjykatë për vendosjen e masës së sigurisë”, – shtjellon më tej Bakalli.

Organizatat e shoqërisë civile reagojnë kundër shoqërimit të aktivistëve

Nëntë organizata të shoqërisë civile kanë reaguar pas shoqërimit të aktivistëve duke e quajtur këtë një veprim të pajustifikuar.

Aktivistët po ushtronin të drejtën e tyre themelore për lirinë e shprehjes dhe protestën paqësore, një shtyllë thelbësore e çdo shoqërie demokratike”, – shkruhet në deklararën e tyre.

Shoqërimi i aktivistëve, thuhet në deklaratë, përhap frikë dhe dobëson demokracinë. “Veprime të tilla jo vetëm që shkelin parimet themelore të të drejtave të njeriut, por gjithashtu përhapin frikë dhe krijojnë shoqëri në trysni të vazhdueshme, e cila me vonë zgjidhjen e gjen tek largimi”.

Organizatat kërkojnë nga autoritet të respektojnë dhe të mbështesin të drejtat e qytetarëve për të shprehur lirisht mendimet e tyre dhe për t’u përfshirë në protesta paqësore, pa pasur frikë nga ndëshkimi dhe persekutimi.

Një shoqëri demokratike lulëzon nga diversiteti i zërave dhe opinioneve, dhe është përgjegjësi e shtetit që t’i mbrojë dhe ushqejë këto të drejta themelore”, thuhet në mbyllje të kësaj deklarate.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *