Citizens.al

Teatri “Ora jeme” rrëfen rezistencën e komunitetit në mbrojtje të lumit Valbona

Këtë të diel u dha në Tropojë shfaqja teatrale “Ora jeme”. Shfaqja u mbajt në qendër të qytetit të Bajram Currit, në të njëjtën ndërtesë ku qëndron i varur slogani “Mos ma prek Valbonën”.

Ligji-ligj, leku-lek por edhe lumi-lumë e zana-zanë”, – thonë tre zanat në hapje të shfaqjes, që trajton historinë e ndërtimit të hidrocentralit mbi lumin Valbonë dhe gjithë çka pasoi më pas.

Në këtë vepër shfaqet lobisti, i cili takon komunitetin dhe u flet për të mirat e hidrocentralit: “Do prodhojmë energji, drita për fshatin edhe më gjerë. Do të ketë ndryshime vetëm për mirë. Për të mirën e të gjithëve”.

Dhe për ta arritur këtë ai shprehet se duhen marrë medoemos firmat, qoftë edhe të të vdekurve: “Fap çohesh, fap firmos, fap prapë në varr”.

Kjo pjesë e veprës i referohet proces-verbalit të konsultimit për publikun, kryer nga “Dragobia Energy” në vitin 2013, ku rezultojnë se kanë marrë pjesë 20 banorë të Tropojës dhe kanë shprehur miratimin e tyre për ndërtimin e HEC-eve në lumin e Valbonës. Në këtë listë janë firmëtarë edhe njerëz që nuk jetojnë më.

Çobani, një tjetër nga aktorët në shfaqje, është i dashuruar me zanën e malit. Ai bindet nga premtimet e lobistit mbi zhvillimin dhe të mirat që do të marrë Tropoja pas ndërtimit të këtij hidrocentrali, por humbet dashurinë e jetës, atë të zanës.

“Orët dhe zanat, qeniet mitike që mbrojnë natyrën”

Zanat ndëshkojnë lobistin, duke e përndjekur në çdo fjalë që ai thotë. Kur ndërtuesi i HEC-it thotë ujë, zanat i përgjigjen kujë, kur ai thotë lek, zanat ia kthejnë fjalën në lak, kur ai thotë progres, zanat e rrethojnë dhe e shprishin fjalën… “regres”.

Zana është e drejtë, është mbrojtësja e mjedisit. Zana bëri gjënë e duhur, duke vënë drejtësinë, gjë që autoritetet shqiptare nuk e bënë”, – thotë për Citizens Channel Elisa Hamzo, aktorë në këtë shfaqje, duke iu referuar fundit të kësaj vepreje.

Desara Hyseni, një tjetër aktore në ketë shfaqje tregon për përvojën e saj dhe lidhjen me personazhet që luajti në këtë vepër. Ajo luante rolin e zanës dhe njëkohësisht ishte banore e komunitetit që kundërshtonte veprën hidrike.

Roli i dytë është roli im i preferuar sepse isha kundër ndërtimit dhe shkatërrimit të Valbonës”, – shprehet Desara.

Aktorët nuk kanë formim në arte, por janë amatorë, zgjedhje e qëllimshme për t’u dhënë mundësi të rinjve të angazhohen. Premiera u dha në Kamëz, në një shtëpi ta papërfunduar.

Kemi tentuar ta kombinojmë me hapësira të boshatisura, hapësira që nuk përdoren zakonisht për teatër, për të krijuar një skenë të re teatrale”, – rrëfen Hana Qena, regjisorja e veprës.

Zanat si figura mitologjike në folklorin tonë kanë fuqi të mbinatyrshme. Ky element është përdorur si simbolike në këtë vepër.

Në këtë shfaqje kemi tentuar bashkë me çikat t’u japim zë atyre dhe për të folur për probleme shumë madhore siç janë ndërtimet e hidrocentraleve, shkatërrimin e natyrës”, – përmbledh Hana Qena.

Rea Nepravishta nga qendra “Uja” në bashkëpunim me grupin ATA në Kamëz, kanë ideuar këtë projekt duke pasur në mendje dy elemente.

E gjitha kjo ka nisur nga dëshira për të pasur një gjurmë të gjithë atyre viteve aktivizëm, humbje, ringritje, shpresë, dëshpërim. Ishte një lloj dedikimi ndaj njerëzve, por gjithashtu ka qenë një dëshirë për të nxjerrë në pah pasurinë shpirtërore të Luginës së Valbonës”, – thotë Nepravishta për Citizens Channel.

Fillimisht janë mbledhur dëshmi përmes intervistave në Tropojë, përkatësisht me banorë të Rragamit, Dragobisë dhe Bujanit. Këto intervista më pas janë përpunuar për të sjellë skenarin final të veprës.

Ne bëmë një punishte për shkrimin e veprës, në mënyrë të tillë që edhe të ndërtohet një vepër teatrale që i përshtatej luginës së Valbonës”, – thotë Diana Malaj nga grupi ATA.

“Edhe një herë për Valbonën”

Në vitin 2007 u miratua leja për ndërtimin e hidrocentralit “Dragobia”, në Valbonë. Shoqëria “Gener 2”, nënshkroi kontratën koncensionare me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, si autoritet kontraktues.

Fillimisht ishte menduar që të ndërtoheshin katër hidrocentrale brenda zonës së mbrojtur, duke shfrytëzuar burimet ujore të përroit të Çeremit, lumit të Valbonës, përroit të Matinës dhe atë të Milloshit për një periudhë 35-vjeçare. Më pas, kompania fituese u tërhoq nga vendimi për të ndërtuar katër HEC-e, duke i reduktuar në dy, “HEC Dragobia” dhe “HEC Çeremi”.

Komuniteti u angazhua kundër HEC-eve, ndërkohë që firma u akuzua se kishte falsifikuar nënshkruesit në konsultimet me publikun, ku rezultonin firmëtarë edhe persona të vdekur.

Në vitin 2021, Gjykata e Lartë e Apelit vendosi pezullimin e kontratës koncensionare dhe të çdo punimi, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë. Pavarësisht vendimit të gjykatës, hidrocentralet vijojnë të prodhojnë energji, në kundërshtim me ligjin.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW