Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gratë në këshillat bashkiakë pengohen nga mentaliteti dhe mungesa e infrastrukturës

Valbona Lluku ka qenë pjesë e Këshillit Bashkiak të Vaut të Dejës përgjatë viteve 2019-2022, pozicion të cilën ajo e ka përdorur plotësisht në shërbim të nevojave të grave dhe vajzave në komunitetit e saj. “Jam munduar të jem një zë i barabartë me burrat, shpeshherë ndoshta edhe më i lartë se i tyre, sepse e ndjeja si detyrë për të ngritur problematikat e grave”, – tregon Valbona.

Në vitin 2015 u bënë ndryshime të mëdha zgjedhore, ku përqindja e kërkuar e grave në listat e kandidatëve partiakë u rrit nga 30 në 50 dhe së dyti, pozita e grave në listat e kandidatëve ndryshoi nga “një në çdo tre emra” në “një në çdo dy emra”.

80% e grave që iu bashkuan këshillave në vitin 2015 ishin anëtare reja. Studimet tregojnë se gratë e zgjedhura me kuota, krahasuar me homologet e tyre pa kuota, ishin më të reja, kishin më pak përvojë politike dhe kishin më shumë gjasa të jetonin në zonat rurale.

Megjithëse detyrimi ligjor është plotësuar, Valbona rrëfen se gratë dhe vajzat në këshillat bashkiake vijojnë te hasin sfida që në përgjithësi nuk rëndojnë mbi burrat. Një ndër problemet kryesore është mungesa e transportit, të cilën e ka vuajtur edhe vetë.

Unë ose do të bëhesha me ndonjë shoqe që do të vinte të më merrte me makinë ose do të më dërgonte një familjar, ose do të gjendej një zgjidhje tjetër për të shkuar në takime”, – pohon Valbona për Citizens Channel, teksa kujton se mungesa e transportit publik është artikuluar gjatë mbledhjeve, por sërish vijon të jetë kërkesë e paplotësuar.

Valbona e veçon veten duke e konsideruar me fat që është rritur në një familje që e ka trajtuar si të barabartë me vëllezërit dhe e ka lënë të lirë, stil jetese që e praktikton edhe sot, por ajo është e vetëdijshme që ky nuk është realiteti i grave që jetojnë në zonat rurale.

Për mua nuk është problem nëse vonohem, nëse më zë nata jashtë. Një grua e asaj zone nuk del dot nga shtëpia pasi erret nata, jo më të jetë në rrugë diku të presë makinë për t‘u kthyer“.

Denada Shpuza nga organizata “Hapa te Lehtë” në Shkodër thotë se kufizimi i lëvizshmërisë, gërshetuar me faktorë të tjerë, rëndon vëçanërisht mbi gratë këshilltare, të cilat, ndryshe nga burrat mbajnë mbi shpinë dhe mentalitetin.

Grave u duhet të punojnë edhe në këtë drejtim; të bindin burrin, familjarët për të marrë pjesë në këto mbledhje”, – thotë Shpuza, e cila llogarit dhe punën e papaguar si faktor pengues në angazhimin e grave.

Gratë, edhe pse marrin pjesë në politikë, atyre në asnjë moment nuk u hiqet ngarkesa e punëve të papaguara siç janë: kujdesi ndaj punëve të shtëpisë, familjarëve, apo bujqësia dhe blegtoria”, – saktëson ajo.

Por nga ana tjetër, disa prej problematikave që janë ngritur nga gratë këshilltare në Vaun e Dejës kanë marrë tashmë zgjidhje, siç është furnizimi me ujë të pijshëm, apo shëndetësi 24 orë.

E njëjta gjë ka ndodhur dhe në bashkinë Shkodër, ku është plotësuar kërkesa e parashtruar nga gratë e këshillit bashkiak për pasjen e mësuesve mbështetës në çerdhe dhe kopshte. Po ashtu, në këtë bashki gratë kryefamiljare janë përjashtuar nga tarifave e çerdheve dhe kopshteve, pasi problematika është ngritur në këshillin bashkiak.

Sa i përket transportit publik, ajo problematikë nuk mund të zgjidhet vetem me fondet e bashkisë“, – shpjegon Shpuza, duke sjellë në vëmendje buxhetet e ulëta që këto institucione kanë.

Kuotat gjinore në praktikë

Kërkuesja Marsela Dauti ka kryer një studim mbi përfaqësimin politik të grave dhe vajzave në Këshillat Bashkiakë, studim i realizuar përgjatë përiudhës gusht – dhjetor 2016 dhe në vitin 2018.

Dauti pohon se në 24% te këshillave, kryesisht këshillat e komunave, nuk kishte asnjë grua. Përqindja e grave në këshillat bashkiakë në 2011 ishte 12.3%

Të dhënat e studimin tregojnë se pavarësisht progresit, këshilltaret gra vijojnë të ndeshen me pengesa të vazhdueshme.

Gratë mjedisin politik e përshkruajnë si shumë të centralizuar”, – thotë për Citizens Channel studiuesja Dauti. “Ka dhunë psikologjike e cila shfaqet në forma të ndryshme si presioni që u bëhet grave, hiqen nga lista pa vullnetin e tyre ose vendosen në komisione pa dijeninë e tyre”, – shpjegon më tej ajo. Sa i përket burimit të dhunës, gratë pohojnë në studim se burimi kryesor i dhunës është vetë partia ku ato bëjnë pjesë.

Presioni shfaqet dhe në numrin e herëve që gratë marrin fjalën, krahas burrave. Sipas periudhës së marrë në studim, në 28.3% të rasteve fjalën e morën gratë në takimet e këshilleve bashkiake, ndërsa pjesa tjetër, 71.6% shkoi për burrat.

Po ashtu, ka rezultuar që gratë bëjnë më shumë kërkesa për transparencë, për më shumë informacion brenda këshillit bashkiak”, – thekson Dauti.

Një tjetër element pengues për gratë në këshillat bashkiake janë lidhjet fisnore, pasi ato pohonin se janë mbështetur te të afërmit për të pasur sukses në këshill.

Kjo është pengesë sepse në qoftë se futesh në këshillin bashkiak për arsye të këtyre lidhjeve, atëherë nuk e percepton as veten si agjente ndyshimi”, – thekson Marsela Dauti, e cila kujton rastet kur gratë këshilltare kanë dhënë numrin e bashkëshortëve apo emailin kur janë pyetur për kontakte të metejshme gjatë zhvillimit të studimit.

Sa i përket perceptimit mbi kuotat, qëndrimet janë të ndara prerazi. “Gratë kishin më shumë gjasa të kishin një qëndrim mbështetës, pozitiv”, – shprehet Dauti. “Ndërkohë burrat ishin ekstremi tjetër. Një nga argumentet kryesorë ishte që me kuotat gjinore cilësia e qeverisjes do të dobësohet, sepse kuotat promovojnë gra që nuk janë të kualifikuara”, – përfundon ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *