Dhjetëra banorë të fshatit Mezhgoran protestuan sërish sot para bashkisë Tepelenë.
Me thirrjet “Ndaloni punimet”, “Mos grabisni ujin” ata kërkuan për të disatën herë nga bashkia të tërhiqet nga ndërtimi i ujësjellësit që merr ujin e Mezhgoranit për ta çuar në fshatin Peshtan, ku po ndërtohet një resort turistik privat.
Banorët kërkuan nga bashkia Tepelenë transparencë, pasi ende sot nuk iu janë vënë në dispozicion dokumentat e projektit që po zbatohet nga dy kompani të kontraktuara.
“I kemi thënë, ne kemi ardhur për të vetmen arsye, kërkojmë ti jepet fund zvarritjes së dokumentacionit? Vijmë këtu na thoni drejtohuni gjykatës. Vemi te firma s’na jep dokument, na merr policia thotë shkoni në gjykatë. Atëherë na jepni ju dokumentet që të shkojmë në gjykatë, të na e thotë gjykata fjalën e fundit”,-tha për Citizens Channel Saimir Gjoni, banor i fshatit.
Banorët arritën të komunikojnë me kryetarin e bashkisë Tepelenë Tërmet Peçi, i cili sipas tyre u zotua t’ju verë në dispozicion dokumentacionin, por nuk do të tërhiqet nga projekti i ujësjellësit.
Prej muajsh ata po protestojnë kundër projektit të ujësjellësit për të cilin shprehen se është miratuar pa dëgjesa publike. Ndërsa gjatë protestave të tyre ka pasur edhe përplasje me policinë.
“Kërkuam pezullim punimesh, të qetësohen gjakrat se po na çojnë drejt përplasjes edhe me policinë, edhe me firmën. Sepse një firmë e cila nuk na tregon asnjë leje ndërtimi, as te tabela nuk e ka vendosur, si mund të vazhdojë punimet. Dhe ne i konsiderojmë provokime, duke marrë parasysh edhe faktin që ajo firmë vjen e shoqëruar me polici, me dy furgona policie. Prania e policisë tregon forcë”,- u shpreh Saimir Gjoni.
“Beteja për informim publik”
Gjatë protestës së ditës së sotme, në sheshin para bashkisë ka zbritur kreu i bashkisë Tërmet Peçi. Banorët janë përballur me të, duke i kërkuar kthimin e përgjigjes nga bashkia të kërkesës së drejtuar nga avokati i tyre për dokumentacionin e projektit të ujësjellësit.
Avokati i banorëve ka dërguar kërkesën e parë 20 ditë më herët, por nuk ka marrë një përgjigje konkrete, me pretekstin se nuk ishte specifikuar lloji i informacionit që kërkohej. Ndërkohë, më 26 tetor 2023 kërkesa për informacion iu adresua sërish bashkisë me pika konkrete që përfshinin: vendimin e këshillit, lejen e ndërtimit, miratimin e projektit si dhe dokumentacionin e firmës ndërtuese.
Kreu i bashkisë Tërmet Peçi në përballjen me banorët bëri ironi me të drejtën e tyre për të marrë informacion.
“Banori: -Do të na i dorëzosh sot? Kur do ti marrim tani?
Tërmet Peçi: -Tani do ti marrësh.
Banori: -Te zyra e informacionit?
Tërmet Peçi: -Tani do t’i nxjerr nga xhepi”.
Tetë nëntori është dita e fundit e bashkisë për të kthyer përgjigje, sipas ligjit për të drejtën për informim. Ligji përcakton se institucionet duhet të përgjigjen brenda 10 ditësh pune ndaj kërkesave për informacion. Deri atëherë, banorët shprehen se do të mbeten në pritje, përndryshe do të vijojnë të protestojnë para bashkisë, deri sa të marrin informacionin e kërkuar.
Kontrata për projektin e ujësjellësit është lidhur që në vitin 2021, por nuk është zbatuar për shkak të rezistencës së banorëve. Sipas projektit, kohëzgjatja e punimeve do të ishte 4 muaj.
Por tanimë, sipas tabelës së vendosur në hyrje të fshatit projekti do të zgjasë 12 muaj që prej nisjes së punimeve.
Të përfshirë në projekt janë 3 kompani. JV “G.P.G Company” shpk dhe “2T” shpk për kryerjen e punimeve dhe “Invictus “sh.p.k për mbikëqyrjen e punimeve.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).