Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjykata e Strasburgut vendos në favor të viktimave të tragjedisë së Gërdecit

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) vendosi në favor të familjeve të prekura nga tragjedia e Gërdecit. Gjykata u shpreh se viktimave iu hoq mundësia për të marrë pjesë në mënyrë efektive në gjykimin penal ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Për më tepër, procedimi penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, për shpërdorim detyre është ende në pritje, duke lënë kështu kërkuesit pa një vendim përfundimtar për përgjegjësinë e tij edhe më shumë se 14 vjet pas shpërthimit”,-thuhet në vendimin e Gjykatës.

Në mesin e 17 paditësve nga Shqipëria janë edhe prindërit e Erison Durdajt, 7-vjecari, i cili bashkë me kushëririn e tij Roxhens po i dërgonin drekën nënës së Roxhensit që punonte te fabrika.

“Erison Durdaj mbeti i plagosur rëndë në shpërthim dhe si pasojë vdiq më 3 prill 2008. Roxhens Durdaj, atëherë 11 vjeç, pësoi djegie të rënda. Të 13 aplikantët në aplikimin nr. 46707/13 dhe kërkuesi i dytë në kërkesën nr. 46714/13 (Alketa Hazizaj), ishin duke punuar në objekt dhe u plagosën rëndë nga shpërthimi”.

Si pasojë e shpërthimit në Gërdec mbetën të vrarë 26 persona dhe u dëmtuan 300 të tjerë. Sipërfaqja e tokës në Gërdec, e cila ishte nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes iu vu në dispozicion me qira kompanisë amerikane “SAC”, për procesin e demontimit të municioneve.

“Nga ana tjetër, SAC nënkontraktoi punën me Albademil Ltd., një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e inkorporuar në Shqipëri”,-thuhet në vendimin e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.

Ish- ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu pas ngjarjes së Gërdecit dha dorëheqjen, duke  hequr dorë nga imuniteti, me qëllim gjykimin e tij nga drejtësia.

Rizgjedhja e tij si deputet në vitin 2009, bëri që Gjykata e Lartë ta pushonte çështjen me pretendimin se Kuvendi duhet të votonte sërish heqjen e imunitetit të tij.

“Që nga 26 tetori 2012, imuniteti parlamentar nuk ka qenë pengesë për institucionin apo vazhdimin e një hetimi penal për një deputet. Edhe pse kërkuesit bënë disa përpjekje për të rifilluar procedimin penal kundër F.M. për shpërdorim detyre, ato u rifilluan vetëm në vitin 2021, pas një hendeku nëntë vjeçar në ndjekjen e tij. Procedimi penal ndaj tij është ende në pritje”,-thuhet në komunikimin e Gjykatës.

Ndaj, 17 paditësit e prekur nga ngjarja e Gërdecit sipas GJEDNJ-së kanë mbetur pa një vendim përfundimtar në lidhje me përgjegjësinë e tij më shumë se 14 vjet pas shpërthimit.

“Ndërsa Gjykata nuk po mbante qëndrim për përgjegjësinë penale të F.M., ajo konsideroi se, duke pasur parasysh provat e mbledhura kundër F.M., kërkuesit si dhe publiku i gjerë kishin të drejtë të dinë jo vetëm rrethanat në të cilat kishte ndodhur humbja e jetës dhe plagosjet e rënda, por edhe rolin e saktë që ish-ministri i Mbrojtjes kishte luajtur në ngjarjet”.

Gjykata vendosi se Shqipëria duhej t’i paguante 12,000 euro, bashkërisht Zamira Durdajt dhe Feruzan Durdajt dhe 10,000 euro secili për ankuesit e tjerë për dëmin jopasuror, dhe 8,000 euro së bashku për të gjithë ankuesit për shpenzimet.

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit: Mirëpresim vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut 

“Ne ndihemi të përligjur nga mbështetja që kjo gjykatë supreme i dha dy ankesave tona kryesore dhe konkretisht: Gjyqi penal nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen tonë të plotë dhe se autoritetet e hetimit dhe gjykimit kanë vonuar padrejtësisht zbardhjen e plotë të rolit dhe të përgjegjësisë penale të mundshme të ish Ministrit të Mbrojtjes”,-tha përmes një komunikimi për shtyp Shoqata.

Sipas Shoqatës, tanimë Gjykata e Strasburgut konfirmoi se kishin pasur të drejtë gjatë kohës kur drejtësia shqiptare ka shpërfillur çdo kërkesë.

Në komunikimin e saj Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit saktëson se “e drejta kryesore e fituar në këtë çështje është pjesëmarrja aktive e të dëmtuarve në procesin penal, duke kërkuar marrje provash, pyetje dëshmitarësh, e çdo gjë tjetër që palët e tjera në proces kanë të drejtë të ushtrojnë”.

  • Së dyti, vendimi i Gjykatës së Strasburgut vulosi faktin që kjo është një çështje e pastër juridike dhe jo politike ndaj askujt. Zbardhja e plotë e rolit të ish Ministrit të Mbrojtjes është detyrë e gjykatave vendase dhe pa realizuar këtë aspekt, shkelja e konstatuar nga Gjykata e Strasburgut nuk riparohet;

  • Së treti, të respektohet plotësisht e drejta e Z. Mediu për prezumimin e pafajësisë. Që nga fillimi dhe deri në fund, kërkimi ynë lidhet me zbardhjen e të vërtetës dhe jo me hakmarrje;

  • Së katërti, të kuptohet që dëmshpërblimet e dhëna nga Gjykata e Strasburgut nuk janë për humbjen e jetës, nuk zëvendësojnë asnjë drejtësi të mohuar dhe nuk janë as në fokusin e viktimave, por kjo është një mënyrë normale e të vepruarit të kësaj gjykate kur ajo konstaton se ata kanë kaluar në andralla procedurale, pa arritur të realizojnë të drejtat e tyre;

  • Së fundi, gjetjet dhe arsyetimi i Gjykatës së Strasburgut janë komplekse dhe me shumë interes për të vënë organet vendase të drejtësisë përpara një presioni pozitiv për të përmbushur të drejtat e ligjshme të familjarëve të viktimave dhe të plagosurve.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *