Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gazetarët pengohen të raportojnë ngjarjet në Kuvend

Gazetarët që raportojnë për Parlamentin deklarojnë se ditën e enjte u penguan të kryejnë raportimin e tyre nga punonjësit e Gardës së Republikës.

Gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri u ndalua të raportonte ditën e djeshme nga garda. 

“ Me justifikimin se ka ndryshuar rregullorja, (një rregullore që ndryshon çdo javë) nuk u lejua që tu drejtohej mikrofoni deputetëve të PS apo ministrave”, ka shkruar Omeri në Facebook.

Gazetari i News 24, Osman Stafa u shpreh për Citizens Channel se situata e djeshme ishte një rast flagrant pengimi. 

Osman Stafa, gazetar News 24

“Kolegia po tentonte të pyeste një ministër për një çështje aktuale dhe gardistët nuk e lejuan, me arsyetimin se ashtu e kishin urdhërin. Gazetarët e politikës me kësi problemesh përballen edhe në Komisionet Parlamentare ku nuk lejohen t’i pyesin deputetët, apo të filmojnë”, tha Stafa për rastin në fjalë.

Rasti i djeshëm nuk është i izoluar sipas gazetarëve, pasi ata shprehen se prej muajsh janë penguar të kryejnë punën e tyre. 

Isa Myzyraj, gazetar Ora News

“Këtë të enjte, ka pasur një urdhër tërësisht arbitrar që kishte si qëllim qartasi pengimin e punës së gazetarëve. Prej muajsh tanimë gazetarët nuk mund të aksesojnë ose e kanë shumë të vështirë të ndjekin, komisionet parlamentare, nisjen e seancave plenare, apo edhe lëvizjet në oborrin e Kuvendit”, tha Myzyraj për Citizens Channel.

Ai shton se urdhërat e tillë zbatohen me forcë nga efektivët e gardës së republikës, ndërsa diten e djeshme arritën deri në përdorimin e forcës për të penguar operatorët për të marrë pamje. 

“Gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të kornizohen në punën e tyre, as nuk mund të pengohen të lëvizin lirshëm nëpër hapësirat e Kuvendit, ndaj kësisoj ne u kemi kërkuar të gjitha organeve që të merren urgjentisht me këtë çështje”, tha më tej Myzyraj.

Edhe gazetarja e ABC Esiona Konomi i cilësoi si vendime arbitrare këto urdhra që pengojnë gazetarët të kryejnë punën. 

Esiona Konomi, gazetare ABC

“Vazhdimisht pengojnë të marrim prononcime. Oborri i Kuvendit është i vetmi vend ku ne mund të tentojmë ti kërkojmë llogari dikujt. Askund tjetër kamerat tona s’hyjnë dot. Aty Garda ushtron presion të paligjshëm. Kufizime në kundërshtim me rregulloren. Sot edhe tërheqje me forcë të operatorëve”, u shpreh për Citizens Channel Konomi.

Rasti u regjistrua edhe në platformën e Rrjetit te Gazetarëve të Sigurt që merret me sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e medias. 

“Raportimet e fundit të gazetarëve nga terreni në Kuvendin e Shqipërisë kanë ngritur shqetësime për lirinë e medias në Shqipëri, pasi ato janë përballur me pengesa në rritje”, thuhet në reagimin e rrjetit. 

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt ka ngritur shqetësime në vitin 2021 për rregulloren e re të Kuvendit të Shqipërisë mbi akreditimin e medias.

“Këto rregullore i kufizojnë gazetarët në një zonë specifike për raportim, duke u dhënë atyre akses tek deputetët ekskluzivisht në oborrin e parlamentit. Ndryshe nga transmetuesi publik, i cili lejohet të regjistrojë procedurat, organet e tjera mediatike duhet të funksionojnë nga një dhomë e caktuar, në varësi të një videoje të furnizuar nga parlamenti”, shprehet më tej Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *