Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Sjell monopolizim”, profesionistët kundër Urdhrit të Inxhinierit

Mes thirrjeve “Jo urdhrit të inxhinierit!”, “Jo monopol 60% të ekonomisë!”, inxhinierët u  mblodhën sot para kuvendit për të kundërshtuar krijimin e “Urdhrit të Inxhinierit”.

“Ata kanë përgatitur një projektligj për të ndërtuar një urdhër të inxhinierit, i cili do të kontrollojë dhe monopolizojë profesionin, nëpërmjet licencimit. Përse duhet të bëhet kjo? Është një pyetje e cila merr përgjigje të thjeshtë: për të kapur dhe për të monopolizuar profesionin e inxhinierit”,-deklaroi Dëshira Mena nga Unioni i Inxhinierëve Shqiptarë.

Sipas tyre, përmes krijimit të Urdhrit kërkohet  të merren atribute që tanimë janë të rregulluara me ligj.

Dëshira Mena

“Nuk po kërkojmë të çlirohemi nga përgjegjësia sepse ne sot nuk punojmë në mënyrë të papërgjegjshme. Ne sot punojmë sipas ligjeve dhe rregullave të shtetit, të cilat na detyrojnë të mbajmë përgjegjësi profesionale. E gjithë tentativa e tyre është për të kapur dhe për të mbërthyer inxhinierinë”,-deklaroi më tej Dëshira Mena.

Sipas inxhinierëve të pranishëm, ky projektligj tenton të marrë në provim inxhinierët që duan të licencohen, gjë që deri më tani e kanë kryer institucionet arsimore në vend.

“Urdhri kërkon që të marrë atribute që nuk i takojnë, të cilat janë edhe marrja në provim e inxhinierëve të cilët duan të licensohen. Gjë e tillë që në ligjin shqiptar vetëm institucionet arsimore e kanë këtë të drejtë që të përgatisin dhe të hartojnë tezat e provimit.”,-u shpreh një nga inxhinierët e pranishëm.

Sipas inxhinierëve, mënyra se si kanë funksionuar deri më tani Urdhrat e profesioneve të tjera, janë shembuj se pse Urdhri i Inxhinierëve nuk duhet të krijohet.

Gjergji Caca, arkitekt

“Në këtë tenxheren e madhe të urdhrave, ju po e shihni sot se çfarë po ndodh me urdhrin e stomatologut, urdhrin e mjekut dhe të gjitha janë kthyer në një lloj gjobvënie dhe për profesionistët dhe pastaj për tregun… Ja ku i keni vetëm dy shoqata duan të marrin gjithë këtë gjë në dorë dhe atëherë të komandojnë gjithë fushën e inxhinierisë, automatikisht shkon edhe te pjesa ekonomike, që po themi është gati 60% e ekonomisë së vendit”,-u shpreh për Citizens Channel arkitekti Gjergji Caca, në solidaritet me inxhinierët.

Sipas tyre, ky projektligj po kalon pa konsultime me grupet reale të interesit. Sot ishte dita e shqyrtimit të dy projektligjeve  për krijimin e urdhrit të inxhinierit dhe inxhinierit hidroteknik. Për shkak të ngjarjeve në Kuvend nuk u mbajt mbledhja në komisionet parlamentare.

“Profesionistët kundër qeverisë” 

Kjo nismë ligjore nisi të diskutohet që në 2019-ën, ndërsa të përfshirë në projektligj ishin edhe arkitektët, të cilët u shkëputën më pas.

“Nevoja e propozimit të këtij Projektligji vjen si pasojë direkte e boshllëkut ligjor krijuar që prej miratimit të ligjit nr.10171 “Për profesionet e rregulluara në RSH”, është një nga argumentet e paraqitura në relacionin e projektligjit për krijimin e Urdhrit të Inxhinierëve.

Relacioni sqaron se mes të tjerash projektligji synon të zhvendosë përgjegjësitë e shërbimeve dhe punëve inxhinierike nga administrata publike te mekanizmi i ri i Urdhrit Profesional të Inxhinierit, rregullimin e profesionit në funksion të interesit publik, korrektësinë dhe cilësinë e shërbimit si dhe lirinë e konkurrencës në këtë profesion.

Urdhri, sipas relacionit do të shërbejë si një ent publik kombëtar, jo fitimprurës dhe me një autonomi të plotë financiare dhe funksionale.

Projektiligji për Urdhrin e Inxhinierëve është propozuar në Kuvend në vitin 2022 nga deputetja Luljeta Bozo.

Lexo më shumë: Urdhri i Inxhinierit drejt miratimit pavarësisht kundërshtive nga profesionistët

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *