Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Skavica” në Gjykatën Kushtetuese

“Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”, “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit e Zi” si dhe “Komiteti Shqiptar i Helsinkit”, janë tre organizatat që dërguan në Gjykatën Kushtetuese projektin e hidrocentralit të Skavicës.

Në seancën e mbajtur sot në Gjykatën Kushtetuese organizatat kërkuan shfuqizimin e ligjit nr.38/2021 që i jep dritën jeshile kompanisë amerikane “Bechtel” të projektojë dhe ndërtojë hidrocentralin e Skavicës dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kontratën e fazës së parë për shërbime teknike.

Pranë Gjykatës Kushtetuese ishin të pranishëm edhe banorë të Dibrës, të cilët e kundërshtojnë këtë projekt, pasi sipas tyre shuan një rajon të tërë.

Fadil Xhari, banor

“I jam mbështetur shokëve dhe miqve dhe fshatarëve të mi për të mbrojtur trojet tona, varrezat tona, tokat tona. Duke lenë diçka fëmijëve tanë një pasuri edhe të kthehen gjithmonë te traditat e vjetra dibrane që të mos i harrojmë… I lutem shumë Gjykatës Kushtetuese, duke qenë njerëz të ligjit, të mendojë shumë për ne, të mendojnë shumë për njerëzit. Të mendojë shumë për natyrën që e ka dhuruar zoti, atë Drin, ato troje…”-u shpreh për Citizens Channel Fadil Xhari.

Avokati Dorian Matlija, përfaqësues i organizatës “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit e Zi”, u shpreh se janë kundër këtij projekti pasi janë prishur të gjitha garancitë kushtetuese.

Dorian Matlija, avokat

Me këtë ligjin këtu nuk është thjesht se u zgjodh një kompani, por u prishën të gjithë garancitë kushtetuese dhe sot gjithë projekti në fund fare që do të ndërtohet do të përmbysi të gjithë zonën duke përmbytur jetën e njerëzve, pronat e tyre, kujtimet e tyre, trashëgiminë kulturore, duke cenuar mjedisin, duke e shkatërruar në mënyrë të përhershme të gjithë zonën. Për çfarë? Për një hidrocentral, i cili e ka jetën e përkohshme dhe për më tepër akoma, kur ka shumë mundësi të tjera ky shtet të ndërtojë vepra energjetike që nuk cenojnë asnjë të drejtë nga ato që cenohen në këtë rast konkret”,- argumentoi avokati Matlija.

Avokatët parashtruan sot para gjykatës të gjitha pasojat që sjell hidrocentrali për zonën e Dibrës.

Jordan Daci, avokat

“Sigurisht argumentet janë të shumëfishta. Nuk mund të mbulohet dielli me shoshë. Është fare e thjeshtë ajo çfarë pritet të ndodhë, është një genocid i ri për Dibrën. Shfuqizimi i ligjit dhe i VKM-së dhe shkaqet janë që nga shkelja e trashëgimisë kulturore, historike e trashëgimisë në përgjithësi, deri te shkelja e të drejtës për të jetuar, mjedis të përshtatshëm, të drejtë për tu informuar, disa Konventa Ndërkombëtare të cilat ne i kemi saktësuar, objektivat sociale dhe shumë të drejta të tjera të karakterit ekonomik dhe social. Dhe padyshim ndryshimi i pa zhbëshëm i klimës dhe i territorit”,- u shpreh avokati Jordan Daci, përfaqësues i “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”.

Ferzileta Gjika tha se parashtruan në gjykatë të gjitha pasojat negative që sjell ndërtimi i këtij hidrocentrali.

Një argument tjetër shumë i rëndësishëm ishte fakti që Lugina e Drinit të Zi quhet hambari i Dibrës, por është edhe hambari i të gjithë Shqipërisë. Humbet një tokë shumë e mirë pjellore që ka produkte të ndryshme blegtorale, bujqësore, frutikulturë, bimë mjekësore që janë ndër më të veçantat, më të mirat që kemi në Dibër. Gjithashtu u theksua fakti që rrëqebulli i Ballkanit, speciet endemike, qoftë edhe bimë endemike që janë të specifikuara në studime shkencore që ne kemi paraqitur pranë kësaj gjykate, që nuk janë marrë parasysh. Është një shkatërrim komplet i rajonit të Dibrës dhe çdo të mirë që ka ky rajon”.

Ndërsa theksoi se beteja ligjore do të vijojë, përpos çdo vendimi të marrë nga Gjykata Kushtetuese.

Ferzileta Gjika

Lufta jonë ligjore do të vazhdojë, nuk mbaron këtu. Por ne kemi shumë shpresë që të mbarojë këtu. Ky ligj të shfuqizohet sepse është anti-kushtetues që mbron interesat e një kompanie private dhe jo interesat e banorëve. Por në qoftë se kjo nuk do të ndodhë ne do ta vazhdojmë rrugën ligjore deri në instancat ndërkombëtare si në Evropë dh gjithandej ku të mundemi. Ne e kemi sensibilizuar çështjen edhe në SHBA. I kemi komunikuar dhe kemi korrespondencë edhe me senatorë amerikanë dhe kemi prezantua çështjen edhe në Kongresin Amerikan dhe në Senatin Amerikan dhe do të vazhojmë me të gjitha mënyrat për ta bërë një gjë të tillë”,-përfundoi Ferzileta Gjika.

Organizatat kërkuan edhe thirrjen nga Gjykata të organizatave ndërkombëtare të natyrës për të bërë një pasqyrim të ndikimit në mjedis që sjell ndërtimi i hidrocentralit, mirëpo gjykata vendosi të mos e pranojë këtë kërkesë.

Në përfundim të seancës Gjykata Kushtetuese vendosi të mbajë një tjetër seancë, duke ju dhënë kohë palëve të dorëzojnë të gjitha provat e tyre me shkrim.

Si datë përfundimtare për të paraqitur qoftë provat, qoftë përgjigjet me shkrim është data 27 dhjetor 2023, ora 16:00. Data e seancës së ardhshme për konkluzionet përfundimtare dhe për administrimin e provave ësht data 10 janar 2024 ora 10:00”,-u shpreh gjykata.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *