Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kush e kontrollon median në Shqipëri?

“98.34% e audiencës në tregun audioviziv zotërohet nga kompani ose nga individë të cilët kanë influencë ose lidhje politike“- tha gazetari Besar Likemeta për Citizens Channel gjatë prezantimit të studimit dhe data bazës elektronike të Monitoruesit të Pronësisë së Medias 2023 (MOM) në Shqipëri.

Monitorimi i Pronësisë së Medias gjeti se audienca dhe të ardhurat në tregun shqiptar mbeten shumë të përqendruara në duart e pak grupimeve nën pronësi familjare, të cilat dominojnë tregun e medias.

Ka një përqendrim të madh të audiencës ke grupe mediatike që janë kryesisht të bazuara në pronësi familjare, tregon që ka një përqendrim  të lartë të ardhurave, tregon që ke këto pak pronarë mediash, që kontrollojnë audiencën dhe pronësinë e medias ka një ndikim të lartë të politikës nëpërmjet subvencioneve që i jepet bizneseve të tjera të këtyre grupeve mediatike“- thekson Likmeta.

Shqipëria u rendit në vendin e 96-të nga 180 vende në “Indeksin e Lirisë së Shtypit” të Reporterëve pa Kufij për vitin 2023. Kjo paraqet një përmirësim në renditje krahasuar me vitin 2022, kur Shqipëria renditej e 103-ta.

“Kjo bën që pluralizmi i medias në Shqipëri të jetë në një risk të lartë dhe të jetë i influencuar nga grupe interesi. Kjo pastaj sjellë pasoja negative si vet censura, pavarësia e gazetarëve, cilësisë së informacionit që njerëzit marrin dhe pluralizmit të zërave që përfaqësohen edhe këto grupe mediash“- përfundon Likmeta.

Nga 12 indikatorët e riskut së pluralizmit të medias Shqipëria ka risk të lartë në tetë indikatorë, përmendim këtu : përqëndrimi i audiencës së medias, përqëndrimi në tregun e medias, masat mbrojtëse rregullatorë, përqëndrimi ndërsektorial i pronësisë së medias, masat ligjore mbrojtëse dhe ka risk mesatarë në katër indikatorë, përmendim këtu: transparenca e pronësisë, kontrolli politik mbi infrastrukturën, masat ligjore mbrojtëse, kontrolli shtetëror ndaj resurseve të medias.

Sipas një sondazhi mbi konsumin e medias të publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri në korrik 2023, 82 për qind e të anketuarve përdorin mediat sociale si burim për të marrë lajme dhe informacione mbi ngjarje sociale, politike, ekonomike lokale. Vlerësohet se ka rreth 900 media digjitale vendase në internet në Shqipëri, shpesh të referuara në vend si portale lajmesh. Megjithatë, shumica e mediave online, me pak përjashtime, nuk kanë burime financiare, kanë redaksi të vogla dhe struktura të dobëta editoriale.

Pronësia e medias

Sipas studimit “Monitorimi i Pronësisë së Medias“ në tregun e televizioneve, dy pronarët e mëdhenj – familjet Hoxha dhe Frangaj – kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut me 71.7%.

Të katër pronarët më të mëdhenj në tregun komercial të televizioneve pa pagesë janë: Familja Hoxha me Top Media, Familja Franga me Klan, Familja Dulaku me Media Vizion dhe biznesmeni Irfan Hysenbelliu me Neës 24. Hysenbelliu është gjithashtu lojtari më i madh në tregun e shtypit me Panorama Group, e cila publikon gazetën më të madhe të përditshme në vend si për sa i përket lexueshmërisë, ashtu edhe sa i përket të ardhurave.

Pronësia familjare është e pranishme edhe në Yldon Media Group, e cila ka nën pronësi Ora Neës TV, Channel One dhe Radio Ora Neës, dhe që është nën pronësinë e familjes Ndroqi.

Media dhe gazetarët nën sulm

Sipas Mapping Media Freedom Database, 64 shkelje të lirisë së medias janë regjistruar në Shqipëri nga viti 2020 deri në 2023, nga të cilat tre të pestat ishin sulme verbale, duke përfshirë kanosje dhe kërcënim, përpjekje për të diskredituar gazetarët, fyerje dhe abuzime, tallje dhe trolling, ndërsa pjesa tjetër përfshinte sulme fizike, kërcënime ligjore, censurë dhe sulme ndaj pronës. Numri i incidenteve të regjistruara në vitin 2023 është pothuajse dyfishuar krahasuar me një vit më parë.

Studimi merr në shqyrtim rastin e gazetares Ola Xama ku në korrik 2023 kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi një “vrasëse me pagesë” kur ajo e kontaktoi atë për të komentuar për një investigim me interes publik për kontratat e menaxhimit të mbetjeve.

Në mars dhe korrik 2022, kryeministri Edi Rama i ndaloi gazetarëve Ambrozia Meta dhe Klevin Mukaj pjesëmarrjen në konferencat për shtyp të qeverisë, pasi ata bënë pyetje që ishin në interes publik. Rama pretendoi se gazetarët kishin vepruar në mënyrë joprofesionale dhe kishin nevojë për tre muaj “riedukim”, një term i përdorur gjatë regjimit komunist të Shqipërisë për intelektualët që dërgoheshin të bënin punë krahu pasi hynin në telashe me autoritetet.

Kush e kontrollon median në Shqipëri?

Hulumtimi i ekipit të MOM Albania nxjerr në pah shtrirjen e ndikimit politik, duke zbuluar se pothuajse e gjithë pjesa e audiencës në mediat transmetuese (98.1%) kontrollohet nga pronarë me përkatësi politike specifike.

Një shembull i qartë , i marrë nga studimi është familja Hoxha, pronare e “Top Media”, e cila merr financime nga bashkia e Tiranës dhe Ministria e Turizmit për programet televizive nëpërmjet Fondacionit Mediatik Dritan Hoxha. Në mënyrë të ngjashme, familja Dulaku siguron subvencione nga qeveria si “investitor strategjik” për projektet e zhvillimit të pasurive të paluajtshme, ndërsa vëllezërit Ulaj përfitojnë nga koncesionet fitimprurëse në sektorët e energjisë dhe ndërtimit të autostradave.

Në analizën e fundit të kryer nga Qendra Medialook në tetor 2023, 10 media perceptohen si shumë të prirura drejt një qëndrimi pro-qeveritar, lajme që shfaqën një shkallë të jashtëzakonshme përputhshmërie me njoftimet për shtyp të ardhura nga Bashkia e Tiranës. Shkalla befasuese e ngjashmërisë, 93-99.5%, nënvizon një përafrim shqetësues midis narrativës mediatike dhe komunikimit zyrtar, duke ngritur pikëpyetje kritike për pavarësinë e gazetarisë dhe vërtetësinë e shpërndarjes së lajmeve në këtë peizazh.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *