Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Studentët i dhurojnë Ministrisë së Arsimit kartolina me premtimet e pambajtura

Një tufë kartolinash u vendosën në murin rrethues të Ministrisë së Arsimit nga studentët dhe përfaqësuesit e Kongresit Studentor.

Në ndryshim nga tradita e urimeve për festat e fundvitit, në to u shkruan problematikat e pazgjidhura dhe premtimet e pambajtura të ministrisë gjatë këtij viti që po lemë pas.

Kolindo Vjerdha, student

Sot kemi një krizë kërkimi shkencor, ku renditemi të fundit në Evropë, me gjashtë kërkime për 100 mijë banorë. Krizë në degët prioritare, ku 41% e tyre rrezikojnë të mbyllen. 30% e degëve në përgjithësi në universitetet publike të vendit rrezikojnë të mbyllen se kanë më pak se 10 studentë të regjistruar. Sot rektorët e disa prej universiteteve kanë probleme me drejtësinë, por ata akoma vazhdojnë të jenë pjesë e këtyre institucioneve të arsimit të lartë. Ndërsa nga ana tjetër studentët edhe pse po mbyllet ky vit akoma nuk i është alokuar bursa ndonëse të fituara me meritë. Kjo është mbështetja e munguar e këtyre institucioneve”,- u shpreh Kolindo Vjerdha, student e përfaqësues i Kongresit Studentor.

Sipas studentëve, kërkimi shkencor, kriza në degët prioritare, buxheti i ulët dedikuar arsimit janë disa nga problematikat më të thella që kanë qenë të pranishme përgjatë këtij viti.

Armelda Ago, studente

“Kur isha më e vogël u zhgënjeva kur kuptova se babagjyshi nuk ekzistonte sepse asnjë dëshirë e imja që i shpreha nuk u plotësua kurrë. Ishte thjesht një fasadë e bukur që ju paraqitej fëmijëve Sot kam të njëjtin zhgënjim të atij fëmije që Ministria e Arsimit nuk ekziston. Është thjesht një fasadë e bukur që ju paraqitet studentëve. Gjendja në arsim është alarmante e cila finalizohet në auditorët e universiteteve, por zanafillën e ka që në bankat e fillores”,-u shpreh Armelda Ago, studente e infermierisë së përgjithshme.

Sipas studentëve, në krye të universiteteve vijojnë të qëndrojnë rektorë që kanë probleme me drejtësinë, ndërsa kërkuan veting në radhët akademike.

Armando Lekaj, student

“Përfaqësimi i studentëve në procesin e zgjedhjeve për organet drejtuese në universitete, ku aktualisht studentët kanë vetëm 10% të peshës së votës përfundimtare. Pra pjesa më vitale, më jetike, më e madhe, ka vetëm 10% të forcës për të zgjedhur dhe për t’u përfaqësuar që është një shpërfillje totale. Vendosja e një standardi në mjediset e institucioneve të arsimit të lartë publik në Republikën e Shqipërisë duhet edhe në lidhje me procesin e vetingut ndaj strukturave drejtuese në universitetet tona”,-u shpreh Armando Lekaj, student i administrimit publik.

Shpallja e zgjedhjeve për Senatin Akademik dhe reagimi i Ministrisë për ligjin e arsimit të lartë, ishin dy dëshirat kryesore që Jesmina Sengla, studente e shkencave politike shprehu në kartolinat drejtuar Ministrisë së Arsimit.

Jesmina Sengla, studente

“Unë do të doja që Ministria e Arsimit të ushtrojë presionin e nevojshëm ndaj universiteteve që ata të shpallin zgjedhjet për Senat Akademik dhe krahas tyre edhe zgjedhjet për Këshillat Studentorë, duke marrë në konsideratë faktin që ka një neglizhencë të madhe nga institucionet e arsimit të lartë deri në momentin që flasim. Dhe së dyti ne duam që Ministria të reagojë në raport për ligjin për arsimin e lartë dhe të na njoftojë nëse do të ketë një datë të mundshme në të cilin ky ligj do të rishikohet dhe të marrë masat që ne si studentë të jemi të përfaqësuar në rishikimin që do të bëhet për këtë ligj”.

Studentët shprehen se përpos ligjërimit çdo vit të këtyre problematikave, nuk ka reflektim dhe punë nga ana e Ministrisë për t’u dhënë zgjidhje.

Gentjan Tufa, student

“Dëshirat e mia janë  edhe dëshirat që kanë shprehur studentët gjatë këtyre viteve të fundit të paktën, që janë rritja e buxhetit për arsimin e lartë, rritja e peshës së votës studentore, riinfrastrukturimi i universiteteve dhe demokratizimi i tyre që më në fund të kemi integritet në universitet si nga figurat e pedagogëve, lektorëve ashtu edhe në kushtet e universitetit. Mua më shqetëson largimi i të rinjve për të mos u kthyer më kurrë. Më shqetëson edhe rikthimi i atyre të rinjve të cilët shkollohen jashtë dhe nuk gjejnë dot vende pune në Shqipëri, se edhe këtë harrojnë ta përmendin ndonjëherë këto institucione. Më shqetëson mungesa e meritokracisë dhe mungesa e garës në çdo institucion publik në administratë, në sistemin arsimor dhe jo vetëm”,- u shpreh për Citizens Channel, Gentjan Tufa.

Studentët kërkuan reflektim dhe punë nga ana e Ministrisë, për t’u dhënë zgjidhje këtyre çështjeve të ligjëruara çdo vit, por pa asnjë zgjidhje.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *