“Si rrjedhojë e efekteve të Hartës së Re Gjyqësore, 18 gjykata rezultojnë të shkrira ose 47.3 % e gjykatave. Me hyrjen në fuqi të saj, kostot e shërbimit avokator janë rritur në masën 50%-200% të tarifave të mëparshme “- është një nga përfundimet e raportit krahasimor mbi situatën e respektimit të të drejtave të njeriut për vitet 2022 – 2023 nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH).
Raporti i prezantuar sot, solli në vëmendje disa nga problematikat e shfaqura përgjatë monitorimeve të kryera nga KShH.
Monitorimi nga vëzhguesit e KShH-së të zgjedhjeve vendore (të pjesshme në 2022 dhe ato të plota në 2023) evidentoi problematika sistemike të mbartura, si shpërdorim të aseteve publike, raste të votimit familjar, pretendime për shitblerje votash, disa prej të cilave në hetim nga prokuroria.
“Me keqardhje konstatojmë se, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore vazhdon të mos funksionojë“- theksohet në raport.
Gjithashtu, vijon të mbetet i pa ekzekutuar, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përsa i takon detyrimit që ka Kuvendi për plotësimin e boshllëkut ligjor, që mundëson ushtrim efektiv të së drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve.
Të drejtat e personave të ndodhur në kushtet e privimit të lirisë
Gjatë vitit 2023, tre nga rastet e monitoruara nga KShH në sistemin e burgjeve kanë të bëjnë me humbjen e jetës së tre shtetasve të privuar nga liria, një prej të cilëve vetëvrasje. Në të treja këto raste, problematikë mbetet mungesa e monitorimit periodik të gjendjes shëndetësore nga ana e stafit mjekësor, dhe ndjekjes së menjëhershme të shqetësimeve të shfaqura nga të burgosurit.
Numri më i madh i ankesave që vijnë në KShH i përkasin shtetasve të dënuar dhe paraburgosur. Nga një total prej 584 ankesash të marra përgjatë dy viteve, 50% e tyre i përkasin këtyre shtetasve, të cilët ankohen më së shumti për sistemin e drejtësisë, si dhe për kushtet e të drejtat e tyre në sistemin e burgjeve, transferimet pranë familjarëve, lejet shpërblyese, masat e padrejta disiplinore, etj.
“Vonesa në transportimin urgjent drejt ambienteve spitalore civile, të shtetasit të arrestuar L.K., rezultoi fatale për jetën e tij“- pohon raporti.
Në vijim të monitorimeve të realizuara për situatën e respektimit të të drejtave të personave të ndaluar apo shoqëruar në komisariate, janë konstatuar problematika të natyrës infrastrukturore, mungesë të ajrimit dhe dritës natyrale të mjaftueshme, mbipopullim në rast të shoqërimit të protestuesve.
Liria e Medias dhe të drejtat e gazetarëve në vendin e punës
Vijon të jetë shqetësues fakti se afro një në dy gazetarë ndihen të censuruar nga struktura hierarkike dhe drejtuese e redaksisë dhe po kaq prej tyre kanë pësuar vetë-censurë. Ndërkohë, pjesa më e madhe e të anketuarve apo 68% e tyre (2.5% më shumë se vitin e shkuar) përceptojnë se media në Shqipëri është pak ose aspak e lirë.
KShH vlerëson se përpjekjet për organizimin sindikal nuk janë konkretizuar ndërkohë që gazetarët pranojnë se ndihen të frikësuar nga punëdhënësit e tyre dhe efektet që do të krijonte ky organizëm në marrëdhëniet e tyre aktuale të punës. Në sajë të përfaqësimit ligjor të 3 punonjësve të medias gjatë viteve 2022-2023, KMD konstatoi se shoqërimi nga punonjësit e policisë të një gazetari pranë Komisariatit Lezhë kishte ndodhur për shkaqe diskriminuese. Kufizimi i të drejtës dhe lirisë së ushtrimit të profesionit ndaj gazetarit Xh.M. nga ana e forcave të Policisë, u konstatua i paligjshëm nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, e cila vendosi dëmshpërblimin e tij për dëmin jo pasuror moral të përjetuar.
Në dhjetor 2023, KShH reagoi publikisht lidhur me kontrollin personal të gazetarit Elton Qyno, banesës së tij si dhe të zyrave të TV “ORA NEWS” ku ai punon, si dhe për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike dhe mjeteve të tij të punës me kërkesën e SPAK dhe vendimin e GJKKO112, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së burimeve gazetareske dhe zbatimin e standardit ndërkombëtar të elaboruar nga GJEDNJ, në raste të tjera kundër Shqipërisë.
Të drejtat e azilkërkuesve dhe emigrantëve
Në vitin 2023, rruga e migracionit të parregullt në Ballkanin Perëndimor ka pasur disa ndryshime, duke përfshirë rënien e flukseve migratore dhe rritjen e përdorimit të rrugës së Mesdheut Qendror nga emigrantët e parregullt dhe kontrabandistët. Autoritetet vendase, raportojnë se vijojnë të mbeten vendkalimet kryesore të migracionit të parregullt, rajoni i Korçës, kryesisht në zonën e Kapshticës; rajoni i i Gjirokastrës, kryesisht në zonën e Kakavijës dhe rajoni i Sarandës, kryesisht në zonën e Konispolit (drejtim Qafë Botë). Kufiri me Greqinë mbetet një zonë problematike. Kryesisht emigrantët e parregullt të kapur në territorin e Republikës së Shqipërisë rezulton të jenë të ardhur nga Bangladeshi, Afganistani, Algjeria, Eritreas, Siria, Somalia dhe Nepali.
Referuar të dhënave të një kampioni të vendimeve gjyqësore të studiuara për vitet 2015-2021 kontrabandistët shqiptarë janë përfshirë në operacione të organizuara të ndihmës së kalimit të paligjshëm të kufirit kundrejt pagesave tepër të larta që janë paguar nga emigrantët, duke variuar nga 5000 deri në 8000 euro. Është pozitiv fakti se në shumicën dërrmuese, gjykatat nuk kanë dhënë dënime penale për të huajt që janë ndihmuar për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, duke reflektuar praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare për përjashtimin e tyre nga ndjekja penale.
Në Shkurt 2023, misioni i vëzhguesve të KShH-së u ndërpre nga Qendra Kombëtare Pritëse Babrru, ku janë të akomoduar azilkërkuesit. Shkak sipas autoriteteve ishte argumenti se mungonte autorizimi i drejtpërdrejtë nga Ministria e Brendshme.
E drejta për arsim
Disa nga problematikat në ushtrimin e të drejtës për t’u arsimuar në vendin tonë përgjatë viteve 2022-2023, janë të mbartura nga vitet e mëparshme. Përmendim: infrastruktura jo e përshtatshme në disa shkolla publike dhe mungesat e aksesit të përshtatshëm të fëmijëve në disa fshatra që udhëtojnë në kushte të vështira për të marrë arsim të detyrueshëm, rënia e cilësisë së mësimdhënies, mungesa e laboratorëve, rënia e numrit të nxënësve si pasojë e fenomenit të emigrimit, mangësitë në mësim nxënie që krijoi sistemi online i arsimit gjatë pandemisë, miratimi i ligjit tashmë të pezulluar në Nëntor të këtij viti nga Gjykata Kushtetuese, për detyrimet ndaj studentëve të fakultetit të mjekësisë.
Në Shtator 2022, u vendos mbyllja e Kolegjit Turk “Mehmet Akif Ersoy”. Monitorimi i KShH-së evidentoi se vendosja e masës më të ashpër dhe të pamotivuar nga Ministria e Arsimit, ishte e nxituar, joproporcionale dhe me pasoja të dëmshme për vijueshmërinë e arsimit të rreth 159 nxënësve.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.