Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

10 vite pas miratimit të ligjit, televizionet nisin lajmet në gjuhën e shenjave

Që prej muajit dhjetor personat që nuk dëgjojnë dhe njohin gjuhën e shenjave mund të informohen në edicionet informative të televizioneve kombëtare, Klan (të enjten 19:30), Top Channel (të premten 19:30) dhe RTSH 2 me një edicion të dedikuar (të dielën 20:00).

Personat që nuk dëgjojnë në Shqipëri përbëjnë 1.7% të personave me aftësi të kufizuar, afërsisht 39.000 persona, referuar censit të fundit të mbajtur në Shqipëri në vitin 2011.

Deri më tani sipas përfaqësuesve të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA-s) mungesa e informacionit për këtë grup në televizionet shqiptare ka ardhur si pasojë e mungesës së interpretëve të gjuhës së shenjave. Sot në Shqipëri ka vetëm katër interpretë të gjuhës së shenjave të licencuar.

Duke qenë se numri i interpretëve është shumë i kufizuar, u ra dakord që fillimisht ky projekt të fillonte në mënyrë pilot me OSHMA-të me licencë kombëtare. Pra të gjtha OSHMA-të ju janë ndërmjetësuar kontaktet dhe pritet që ata të lidhin marrëveshjet e tyre përkatëse me interpretët”,- u shpreh për Citizens Channel, Mirela Oktrova, përfaqësuese e AMA-s, pak para se të lidhej marrëveshja mes televizioneve dhe interpretëve të gjuhës së shenjave.

Sipas nenit 67, pika 2/dh të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” përfshirja e interpretit të gjuhës së shenjave në edicionet informative është një detyrim ligjor.

Është një komunikim shumë i gjatë që shtrihet në disa vite, i cili nuk ka çuar asgjëkundi, për shkak të mungesës së interpretëve”, –deklaron Mirela Oktrova.

Sfidat e të jetuarit në Shqipëri si një person që nuk dëgjon 

Në dokumentarin e fundit të publikuar nga Citizens Channel të titulluar “Ndjesia e Heshtjes” komuniteti i personave që nuk dëgjojnë rrëfeu sfidat e përditshme të të jetuarit në Shqipëri.

Mungesa e informacionit, ndjekja e arsimit universitar, vështirësi për t’ju drejtuar gjykatave, sistemit shëndetësor dhe çdo lloj shërbimi në bashki apo institucione të tjera. Të gjitha këto si pasojë e mungesës së interpretëve apo formave të përshtatura të ofrimit të informacionit.

“Në fillim u përballa me shumë vështirësi në komunikimin në klasë pasi askush nuk fliste gjuhën time, por me ndihmën e shoqeve të klasës, të cilat komunikonin me mua nëpërmjet shkrimit, u ndjeva pak më mirë. Informacioni nga mësueset ishte i pakuptueshëm për mua. Pas përfundimit të arsimit të mesëm 4-vjeçar, unë u regjistrova në universitet, por përsëri ishte shumë e vështirë mungesa e komunikimit në klasë. Një nga shoqët e klasës më ka mbështetur shumë gjatë periudhës së Universitetit dhe angazhimin tim në projekte të ndryshme me shoqërinë civile”, -shprehet Eliona Topi, një e re, e cila ka humbur dëgjimin për shkak të një temperature të lartë në moshë të vogël.

Gjuha e shenjave u njoh zyrtarisht nga qeveria shqiptare në vitin 2014. Për Franceska Xhungën, 27 vjeçaren nga Tirana, gjuha e shenjave është identiteti i saj gjuhësor.

“Në fillim që prindërit më çuan në kopësht shihja plot fëmijë që flisnin, doja dhe unë të flisja. Por duke qenë se në shtëpi i gjithë komunikimi realizohej me shenja, me pak komunikim në gjuhën e folur, ishte pak e vështirë. Situata në shkollë ishte tjetër sepse ndonëse në familje le te themi babai ishte person që nuk dëgjon, mamaja ishte person që dëgjon, pra komunikimi ishte pak i vështirë, se nëna fliste. Edhe në kopsht ishte një situatë e njëjtë me gjeste, me shkrim. Kur fillova shkollën pranë shkollës së nxënësve që nuk dëgjojnë, komunikimi ishte vetëm në gjuhën e shenjave”, -shprehet Françeska.

Në Shqipëri, në vitin 1963 u themelua një shkollë për personat që nuk dëgjojnë, i quajtur Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë, me qendër në Tiranë. Megjithëse kishte një institucion të tillë, sërish shfaqja dhe integrimi i personave që nuk dëgjojnë në shoqëri ishte i pakët.

Lefterie Alla

“Në fillimet e mia ka qenë vështirësi komunikimi me këta fëmijë. Mbaj mend njëherë i kemi nxjerrë shëtitje fëmijët jashtë mureve dhe u vinte turp që të flisnin jashtë mureve të shkollës. Unë kur i pyesja qoftë edhe me shenjë aq sa mund të dija, nuk më jepnin përgjigje. Edhe i thoja pse nuk flisni në ambiente kështu? Na vjen turp mësuese, na vjen turp ne të flasim sepse nga bullizojnë. Kurse sot shikoj që këta fëmijë, kudo që ti cosh, nëpër teatro, nëpër aktivitete që ka zhvilluar shkolla, Ministria këto na kanë bërë krenarë”,-rrëfen Lefterie Alla, mësuese pranë Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë.

Megjithë punën ndërgjegjësuese të kryer nga Instituti dhe mësuesit, sërish shumë prindër për shkak edhe të pamudësive ekonomike dhe largimit të fëmijëve nga familja që në moshë të vogël, nuk zgjedhin të dërgojnë fëmijët e tyre në Institutin e Nxënësve që nuk Dëgjojnë.

“Është problemi se gjithmonë ndonjëherë familjet gjejnë zgjidhjen më të lehtë. Një shkollë që është afër shtëpisë. Një shkollë që nuk do impenjim që ta sjellë fëmijën dhe ta marrë. Dhe mendojnë që është më mirë për fëmijën që të jetë me fëmijë të tjerë që flasin. Patjetër që kjo se fëmija socializohet, por nëse nuk ka njerëz që dinë gjuhën e shenjave dhe që mund ti asistojnë ata dhe ti ndihmojnë, fëmija nuk mund të evolojë”,-shprehet Orjola Idrizaj, drejtuese e Institutit të Nxënësve që nuk Dëgjojnë.

Sipas Florjan Rojbës nga Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk Dëgjojne (ANAD), ndjekja e një arsimi të lartë nga personat që nuk dëgjojnë është një sfidë dhe pengesë e qenësishme. Mungesa e shërbimit të interpretëve në shkolla, universitete dhe të tjera institucione ua pamundëson atyre gjithëpërfshirjen.

Në fakt në të gjithë botën, personat që nuk dëgjojnë janë të barabartë, sepse kanë kapacitete për të ndjekur një formim, për të marrë një profesion akademik. Në Shqipëri jo. Sot për momentin edhe cilësia e edukimit nuk është e mirë. Më përpara arsimi 9-vjeçar edhe pse ishte 9-vite, kurrikula zhvillohej për katër vite. Sot ka ndryshuar, është njëlloj si arsimi i zakonshëm, arsimi 9-vjeçar. Fat që kemi përfshirë gjuhën e shenjave shqipe për herë të parë. Ndërkohë që universiteti është një institucion i hapur. Por për ne zgjidhja do të jetë që të kemi një interpret të gjuhës së shenjave atje. Sepse vetë një person që nuk dëgjon e ka të pamundur të ndjekë universitetin”,-rrëfen Florjan Rojba.

Sipas Komisionerit Kundër Diskriminimit, personat që nuk dëgjojnë janë ndër komunitetet më të diskriminuara në Shqipëri.

“Personat që nuk dëgjojnë janë një nga kategoritë më të diskriminuara në kategorinë e personave me aftësi të kufizuar për shkak se Shqipëria është akoma në nivele fillestare, për ti garantuar atyre aksesin në informacion dhe aksesin në komunikim. Bëhet problematike në kontakt me gjykatat sepse do të duhet të mbrosh të drejtat dhe nuk arrin të garantohet një kontradiktoritet. Siç bëhet problematike në përditshmëri, sepse nevoja për të komunikuar dhe për të treguar dhe për të kuptuar është e përditshme dhe në momentin që kjo nuk garantohet atëherë kuptohet që krijon vështirësi shtesë”,- u shpreh Robert Gajda.

Përpos këtyre, personat që nuk dëgjojnë kanë vështirësi në punësim. Sipas një studimi të ANAD, ku janë intervistuar 324 persona që nuk dëgjojnë në Shqipëri, 46%  e tyre ishin të papunë. Sipas statistikave të INSTAT-it, shkalla e përgjithshme e papunësisë së qytetarëve nga mosha 15-64 vjec në Shqipëri është 15%. Krahasuar me këtë, shkalla e papunësisë te personat që nuk dëgjojnë është 3 herë më e lartë në krahasim me personat pa aftësi të kufizuar.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *