Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Askush nuk e mat realisht ndotjen e ajrit urban”

Autor: Xhevahir Zhabina  | Citizens Channel | Tiranë

Çdo ditë, 15 persona humbën jetën në mënyrë të parakohshme në Shqipëri si pasojë e ndotjes së ajrit në 2016. Kështu thuhet në raportin e Agjencisë Evropianë të Mjedisit i publikuar në vitin 2019 dhe që është bërë pjesë e një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit që ka të bëjë me ndikimin që ka transporti rrugor në cilësinë e ajrit.

Sipas të dhënave, 5350 persona kanë vdekur në mënyrë të parakohshme nga ekspozimi ndaj PM 2.5 (Lënda e ngurtë pezull ), NOx (Oksidet e azotit) dhe  CO (Monoksidi i karbonit).

Një tjetër dokument që ngre shqetësimin për situatën e monitorimit të ndotjes së ajrit është Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë në kapitullin 27 “Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike”. Aty thuhet se monitorimi i cilësisë së ajrit nga institucionet shqiptare nuk është në standardet e BE-së dhe e gjithë kjo ndodh për shkak të mungesës së fondeve.

Ndotësi kryesor i ajrit në pjesën më të madhe të qyteteve është transporti dhe ka një pranim universal që trajtimi i këtij problemi është çelësi për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Ekspertët mjedisorë ngrenë shqetësimin se në Shqipëri mungojnë të dhënat nga institucionet dhe çështja e cilësisë së ajrit nuk merret seriozisht nga ana e tyre.

“Shqipëria kë një trend 2700 deri 3000 vdekje të parakohshme dhe një impakt të përgjithshëm prej rreth 188 ditësh të humbura për personat e ekspozuar ndaj ajrit të ndotur. Në rastin tonë Instituti i Shëndetit Publik  ka rreth një dekadë që nuk e publikon raportin e shëndetit mjedisor urban” – tha Rodion Gjoka nga Instituti “Co-Plan”.

Ekspertët listojnë një sërë arsyesh që lidhen me mënyrën se si po zhvillohen zonat urbane e deri tek trafiku dhe vjetërsia e makinave që qarkullojnë në rrugët e qyteteve tona.

“Lidhet kryesisht me rëndimin e trafikut në zona urbane bashkë me flotën e vjetër të makinave, si dhe me aktivitetin e lartë ndërtues (urbanizues) në qytetet e mëdha” – tha Arion Sauku nga organizata mjedisore Mileukontakt Albania.

“Ka një konstante e cila është gjithmonë rritje i cili është transporti  ku ndikon me çlirimin e PM 2.5 kryesisht CO . Trafiku bën të vetën pasi në këtë moment lënda djegëse nuk digjet siç duhet dhe emetimet janë të larta”  – tha Rodion Gjoka nga Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.

“Rritet mosha e makinave që udhëtojnë në Shqipëri”

Kontrolli i Lartë i Shtetit auditoi katër institucione që kanë lidhje direkt me transportin rrugor dhe mjedisin: Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si edhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Gjetjet janë vërtet shqetësuese dhe fillimisht do të ndalemi në auditin që i është bërë DPSHTRR-së. Mosha mesatare e makinave që udhëtojnë rrugët e vendit është 18 vite, duke pësuar rritje në vitin 2022.  Në këtë fenomen, sipas KLSH, ka ndikuar rritja e numrit të mjeteve me moshë më të madhe se 20 vjet.

“Për periudhën 2020-2022 ka pasur një rritje të kësaj kategorie me afërsisht 93,000 mjete, përkatësisht nga 104,473 mjete rrugore në vitin 2020 në 197,383 mjete rrugore në vitin 2022, ç’ka do të thotë se kemi pasur një rritje të raportit të këtyre mjeteve kundrejt totalit me 9.3 % në vitin 2022 krahasuar me vitin 2020″, thuhet në raportin e KLSH.

Sipas ekspertëve kjo situatë ndikon në cilësinë e ajrit kryesisht urban, pasi qytetet bëhen gjithmonë e më të ndotura dhe nga ana tjetër  institucionet neglizhojnë.

“Gazrat që çlirohen nga automjetet, benzina apo nafta, janë të rrezikshme pasi këto gazra futen lehtësisht në organizëm dhe shkaktojnë sëmundje të rënda. Nga ana tjetër, mirëmbajtja e automjeteve shpeshherë nuk kryhet në përputhje me rekomandimet e fabrikuesit, gjë që shkakton një shkarkim të konsiderueshëm të gazrave dhe të sub­stancave jo të djegura mirë”- tha Arion Sauku nga organizata mjedisore Mileukontakt Albania.

Sipas të dhënave zyrtare në rrugët e Shqipërisë lëvizin rreth 796 mijë mjete. 99 % e tyre punojnë me lëndë djegëse naftë, benzinë ose gaz. Vetëm 1% e tyre është elektrike, shifër e cila na rëndit në vendin e fundit në rajon.

“Askush nuk mat realisht cilësinë e ajrit”

Për të kuptuar nivelin e ndotjes që vjen nga transporti KLSH ka trokitur në derën e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, e cila monitoron cilësinë e ajrit.

Pyetja që KLSH i drejton  Agjencisë Kombëtare të Mjedisit është nëse janë siguruar të dhëna të besueshme dhe mjaftueshme për vlerësimin e gjendjes së cilësisë së ajrit?

Përgjigja ka ardhur nga raportet e gjendjes në mjedis për vitet 2019,2020 dhe 2021 sipas të cilave treguesit janë brenda standardeve.

Megjithatë, duke analizuar me kujdes procesin e monitorimit të kryer nga AKM  vërehen mangësi thelbësore  në mbulimin kohor, mungesën e të dhënave për disa ndotës në qytete të caktuara, apo edhe saktësinë e të dhënave, thotë KLSH në raport.

Monitorimi e cilësisë së ajrit urban, për vitin 2021, është kryer në qytetet kryesore të vendit: Durrës, Shkodër, Korçë, Fier, Berat, Lezhë dhe Vlorë, për treguesit kryesorë të ndotjes së ajrit .

Në Regjistrin e Gjendjes së Mjedisit  e këtij viti nuk janë paraqitur të dhëna për monitorimin e cilësisë së ajrit në qytetin e Tiranës. Nga tabela më sipër shihet qartë se për qytetet ku janë të instaluara stacione fikse automatike të monitorimit nuk janë matur të gjithë elementët që ato kanë kapacitetin të masin.

Cilësia e ajrit urban ka qenë objekt i një monitorimi të kryera nga disa organizata mjedisore në kuadër të projektit Green Al. Sipas tyre të dhenat e përftuara janë shqetësuese sidomos në kryeqytet.

“Në Tiranë kemi rreth 300 pika të ndryshme të shtrira në të gjithë qytetit. Situata është alarmante në disa momente të caktuara, në disa qytete sidomos në Tiranë ku është përqendruar numri më i madh i popullsisë”- tha Rodion Gjoka nga Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.

“Parametrat në qytetin e Tiranës  të CO2, NO2, PM10 dhe PM2.5 është vërejtur se vlerat e dala nga matjet e kryera janë dyfish më të larta se normat e vendosura nga BE për NO2 dhe pesëfish më të larta për CO2. Ndërsa PM10 dhe PM2.5 janë brenda normës për shkak të motit të paqëndrueshëm dhe shirave që kanë ulur pluhrat”, tha Arion Sauku nga organizata mjedisore Mileukontakt Albania

Në inventarët e hartuar nga Agjencia e Mjedisit nuk është e specifikuar vlera e shkarkimeve për sektorin e transportit dhe as kategorive që përbëjnë atë. Aty jepen vetëm vlerat totale kombëtare të shkarkimeve në ajër.

KLSH ka evidentuar  një çudi  mbi vlerat e paraqitura për vitet 2019, 2020 dhe 2021, të cilat siç shihet nga tabela janë të pa ndryshuara për të pestë elementët. Ky fakt  hedh dyshime të forta mbi vërtetësinë, besueshmërinë dhe saktësinë e këtyre vlerave.

“Për momentin AKM-ja nuk e ka mundësinë teknike pasi mungojnë teknologjia dhe specialistët për ta kryer monitorimin e cilësisë së ajrit prandaj nga publikimet e saj vjetore mbi cilësinë e mjedisit në Shqipëri seksioni i ajrit urban është më i dobëti që përsërit veten vit pas viti pa të dhëna të reja apo indicie që gjërat po përmirësohen”, tha Rodion Gjoka nga Co-Plan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka siguruar mbulimin kohor të mjaftueshëm për monitorimin e cilësisë së ajrit. Në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit kërkohet që monitorimi i cilësisë së ajrit të kryhet për 90 % të vitit.

Aktualisht AKM ka në administrim 7 stacione automatike të monitorimit të cilësisë së ajrit njëri prej tyre i lëvizshëm.

“Numri i stacioneve fikse të monitorimit të cilësisë së ajrit nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhëna përfaqësuese dhe të besueshme. Mungesa e fondeve, metodologjia jo e përditësuar, parametra të ndryshëm matur në kohë të ndryshme është një panoramë e gjendjes së cilësisë së ajrit”, tha Arion Sauku nga organizata mjedisore Mileukontakt Albania

Si konkluzione KLSH thotë se ka munguar bashkëpunimi ndërinstitucional dhe kërkohet që Ministria e Mjedisit të propozojë pranë Kryeministrisë ngritjen e Komisionit Kombëtar për Ajër të Pastër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *