“Gjatë këtyre muajve jemi njohur me vende, ngjarje, histori, legjenda, aq sa jemi habitur“, – u shpreh Andi Tepelena, një ndër organizatorët e ekspozitës “Mirdita në Fotografi”.
Ekspozita sjell punime në mediumin e foto – dokumentarit nga artistja Nadia Abazi, si dhe imazhe të kullave të zonës së Mirditës të realizuara nga dashamirës të trashëgimisë.
“Ajo çfarë më ka surprizuar gjatë projektit është se djemtë dhe vajzat e qytetit të Rrëshenit, ishin të gjithë të angazhuar në mësimin e instrumentit të çiftelisë, që është një instrument disa shekullorë, prezent në zonën e Mirditës“, – tha për Citizens Channel Abazi.
Një hapësirë e veçantë i kushtohet kujtesës kolektive mbi kampit të Spaçit me video-instalacionin e titulluar “Saharaja” të artistes vizuale, Abi Shehu. Po ashtu, ekspozohen disa nga veshjet tradicionale të zonës.
“ Veshja mirditore duhet që të ruhet sepse ka një punim jashtëzakonisht të rrallë, ka kryqin iliro – pellazg, që është dy mijë e ca vjeçare, d.m.th. që është e vjetër si veshje dhe mënyra e punimit me gajtana, me shajak, me qepje d.m.th. me dorë, që duhen me muaj për ta mbaruar…“, – tha për Citizens Channel Adelina Përleka, një nga artizanet.
Mrika Nikoll Ndreca ka trashëguar një veshje 200 vjeçare nga familja e saj. Veshjet e qepura nga i ati i Mrikës, janë përdorur për festivale të ndryshme kulturore , si ai i Gjirokastrës, etj. Momentalisht Mrika jeton në Durrës dhe udhëton disa herë në muaj për në Kacinar, për tu kujdesur, jo vetëm për veshjet, por edhe trashëgimin materiale të trashëguar ndër breza.
“Do t’jua lë vajzave traditën e qepjes, por nuk është punë e paguar, për mundin e madh që ka“, – thekson Mrika.
Mungesa e investimeve sjell turizëm të pakët
Organizatorët e ekspozitë shpjegojnë si mungesa e një muzeu në Mirditë, mbetet një ndër mangësitë kryesore që penalizon zhvillimin turistik të zonës.
“Ka nevojë të restaurohet shtëpia e Abat Doçit, është personaliteti më i shquar i zonës, është e rrënuar, çatia pothuajse ka rënë komplet edhe shtëpia e personalitetit më të shquar të zonës është në gjendje mizerabël“, – thekson Tepelena.
Ai shton se ka nevojë për panaire të përvitshme të zejtarisë dhe qendra të artizanatit ku zejtarët të kenë mundësi ekspozimi të produkteve të tyre.
“Nevojitet përdorimi i teknologjisë digjiatle, akoma vazhdon të promovohet në mënyra tradicionale truizmi, mungojnë ueb sitet profesionale, guidat e zonës. Ky është projekti parë që janë identifikuar tre itinerare“, – përfundon Tepelena.
Ekspozita do të qëndroj e hapur deri në fudn të muajit në ambientet e qendrës Europe House.
Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.