Citizens.al

“Treni nuk vjen as këtë vit”

Afatet e finalizimit të projektit për hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës shkelen sërish.

Sipas një përgjigje zyrtare për Citizens Channel nga Hekurudha Shqiptare, afati i përfundimit të punimeve është shtyrë për tremujorin e parë të 2025.

Deri më tani janë kryer 60% e punimeve, sipas HSH, kjo shifër konsiderohet e kënaqshme për institucionin edhe pse më herët kanë deklaruar që do përfundonte në Mars 2024.

“Implementimi vijon me ritme të kënaqshme, duke konsideruar në këtë pikë dhe ndryshimet që ka pësuar projekti konkretisht mbi elektrifikimin, apo dhe zgjatimi i pa projektuar më parë i linjës hekurudhore prej 4 (katër) km nga PTT në drejtim të Bulevardit të Ri”, thuhet në përgjigjen e Hekurudhës Shqiptare.

Hekurudha Shqiptare thotë se vonesat janë bërë për shkak të elektrifikimit por edhe prej zgjatimit të linjës.

Por zgjatimi i pa projektuar i linjës me 4 km  për të cilën flet Hekurudha, është një projekt i ndarë i cili është në një fazë larg realizimit. Sipas HSH është bërë aplikimi për financimin e këtij projekti, por nuk ka nisur ende puna.

I paqartë për publikun mbetet edhe vendndodhja e stacionit fundor të trenit. Ne iu drejtuam HSH-së edhe për këtë, por përgjigja sërish nuk është përfundimtare.

Aktualisht me projektin aktual stacioni fundor është në Kashar dhe aty parashikohet të jetë më përfundimin e projektit në Janar 2025, nëse ky afat nuk shkelet sërish.

Sakaq HSH thotë se me projektin e ri me zgjatimin e linjës 4 km drejt Bulevardit të Ri, stacioni fundor do të jetë aty.

“Sa herë u shkelën afatet?”

“Punimet do përmbyllen brenda një afati 30 mujor, ose në verën e vitit 2023. Ne do të ndjekim me përpikmëri gjithë ecurinë e projektit. Kjo, për të facilituar procesin dhe arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme për të ofruar transparencë të plotë të procesit”, ka deklaruar ministrja e Energjisë Bleinda Balluku kur nisën punimet.

Më pas ky afat u shty për shtator 2023, referuar një përgjigjeje që HSH i ka dhënë Citizens Channel.

Në prill 2023, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukrës së bashku me kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj inspektuan punime dhe deklaruan se projekti do të përfundojë në Mars 2024.

Po ashtu në 1 Qershor 2023 në një përgjigje për Citizens Channel, Hekurudha tha se nuk ka vonesa dhe dha si afat të njëjtën datë. Tanimë data është shtyrë sërish me 1 vit.

Ecuria e ngadaltë e këtij projekti rëndon xhepat e qytetarëve, të cilët e presin me padurim ndërtimin e hekurudhës, pasi do u shkurtojë kohë dhe kosto financiare.

Ndërtimi i stacionit të trenit në Tiranë është pjesë e projektit të rehabilitimit të hekurudhës ekzistuese Tiranë–Durrës, dhe ndërtimit të një degëzimi të ri drejt Rinasit. Zanafilla e projektit daton në 2016-ënkur  u lëshua Deklarata Mjedisore nga Ministria e Mjedisit.

Linja e rehabilituar Tiranë-Durrës parashikohet të lejojë një shpejtësi treni të paktën 100 km/h, dhe ndonëse nuk është përcaktuar ende vlerësohet se çmimi i biletës do të jetë midis 1–1.2 euro.

Sipas projektit, do të rehabilitohet 34.7 km linjë ekzistuese hekurudhore ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, si dhe do ndërtohet rreth 5 km linjë e re nga Tirana drejt Rinasit. Kostot e projektit do të ndahen midis një granti nga Bashkimi Evropian dhe një kredie të dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, teksa qeveria shqiptare do të mbulojë vetëm koston e TVSH-së.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim shpalli fituese kompaninë italiane INC S.P.A më një ofertë prej 69.69 milionë euro.

Por kjo kohë e gjatë që po merr ndërtimi i hekurudhës dhe financimi janë vetëm për ndërtimin e linjës hekurudhore teksa duhen financime të tjerë dhe më shumë kohë për trenat, kësisoj funksioni i linjës duket të jetë më larg se viti 2025.

Nga ana tjetër, Financat e Hekurudhës Shqiptare po dobësohen çdo vit. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), për treguesit ekonomik dhe financiar për vitet 2019-2022 dëshmon një krizë dhe detyrime të prapambetura, si kredi afatgjata dhe afatshkurtër.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *