Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kriza e fasoneve thellon papunësinë; Qeveria ndërmerr “masa kozmetike”

Dhjetëra kompani që operojnë në sektorin fason kanë nisur të tërheqin aktivitetin nga Shqipëria, duke lenë mijëra të papunë. Ato po zhvendosen në vende të tjera si Tunizia apo Egjipti, ku kostoja e prodhimit është më e lirë.

“Është viti më i keq i gjithë këtyre viteve demokraci”, tha Florian Zekja nga Shoqata e Eksportuesve. Ai shpjegon se në këtë situatë ka ndikuar rënia e fortë e euros si edhe ulja e porosive nga tregu evropian për këpucë dhe tekstil.

“Një pjesë e kompanive kanë filluar ose të reduktojnë linjat ose ti mbyllin fare”,– u shpreh Zekja i cili tregon se kjo tkurrje e kompanive ka nisur që në shkurt të vitit të kaluar.

Ky sektor përllogarit afër 55.000 të punësuar dhe sipas ekspertëve largimi i kompanive do të sjellë papunësi pasi këta punonjës e kanë të vështirë përshtatjen në sektorë të tjerë.

“Punonjësit kanë 20 e ca vjet, 30 vjet në një punë të sigurt, tani gjenden pa alternativë. E kanë të vështirë adaptimin në një profesion tjetër sepse kanë një jetë që e bëjnë këtë profesion. Për më tepër që ka shumë veta që presin të dalin në pension”,-deklaron Florian Zekja.

Tkurrja e fasoneve, lajm i keq për ekonominë e vendit 

Elvin Meka, Dekan i Fakultetit të Biznesit dhe Drejtësisë pranë “Tirana Business University” shprehet se tkurrja e industrisë me material porositësi (fason) nuk është lajm i mirë as për ekonominë e vendit, as për individin dhe as për sipërmarrësit shqiptarë të angazhuar në këtë sektor.

“Do të këtë pasoja të drejtpërdrejta në të ardhurat nga eksportet… Për disa komunitete dhe lokalitete në Shqipëri këto lloj sipërmarrjesh janë ndoshta nga të paktat, më mos të vetmet, alternativa punësimi, kryesisht për gratë dhe vajzat”,-argumenton Meka.

Sipas të dhënave të INSTAT të dhjetorit 2023, eksportet e mallrave u ulën me 6.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tekstilet dhe këpucët zënë vendin e dytë në këtë ulje, me 4.1%, pas mineraleve djegësve.

Burimi: INSTAT

Sipas Mekës, zhvlerësimi me rreth 10% i euros nuk është i vetmi faktor. Ai shpjegon se rritja e kostos së punës po e bën të domosdoshëm ndryshimin e modelit të biznesit në industri.

“Çdo gjë i është lënë spontanitetit dhe përfitimit maksimal nga i vetmi avantazh, i cili është ‘mjelë’ pafundësisht dhe padrejtësisht në kurriz të punonjësve në këtë industri. Ndryshimet e forta në tregun e punës në Shqipëri e kanë zhbërë përfundimisht këtë avantazh dhe industria të vetmen rrugë shpëtimi ka modifikimin dhe ndryshimin e modelit të biznesit, pasi krahu i lirë i punës nuk mund të jetë më avantazh konkurrues, as në rajon dhe përtej ti”,-shtjellon Meka.

Ekspertët: Qeveria po ndërmerr masa “sipërfaqësore”

Në një takim me përfaqësues të shoqatës së industrisë fason të mbajtur një javë më parë, Kryeministri Rama u shpreh se do të ndërmerren një sërë masash mbështetëse për sektorin, me qëllim kapërcimin e sfidave.

Disa prej këtyre ndërhyrjeve përfshijnë rimbursimin e shpejtë të TVSH-së, ofrimin e një mekanizmi lehtësues (overdraft) për disponimin e shpejtë të likuiditetit, garanci sovrane për investime në teknologji dhe inovacion dhe transformim në teknologji e inovacion.

Eksperti Elvin Meka e quajti këtë një ndërhyrje “kozmetike” dhe me një efekt thuajse zero.

“Është njëlloj si të kurosh infeksionin me aspirina! Industria vuan nga probleme strukturore dhe nga qasje aspak koherente në tregun ndërkombëtar. Në kushte të tilla, këto masa të propozuara vetëm mund të “ulin temperaturën”, por nuk shërojnë sëmundjen”,-argumenton Elvin Meka nga “Tirana Business University”.

Sipas Mekës, masa të tilla tregojnë qasjen aspak serioze ndaj biznesit në vend.

“Qeveria po propozon masa që i ka detyrim t’i përmbushë për të gjithë bizneset (rimbursim i shpejtë i TVSH-së!!!) Që këtu kuptohet serioziteti i qasjes pro-biznes të qeverisë, ndërkohë që të gjitha masat e tjera janë pak ose aspak në dorë të qeverisë, pasi qeverisa as mbështet ndokënd me teknologji, as mund të akordojë overdraft, apo disponim të likuiditetit”, -përfundon Elvin Meka.

Për përfaqësuesin e Shoqatës së Eksportuesve sido të jenë masat e marra nga qeveria një pjesë e këtyre fasonerive nuk do të mbijetojnë.

“Sepse në radhë të parë kanë marrë një kolpo shumë të rendë. E dyta, e shohin pa perspektivë çështjen e të ardhmes, sepse kursi i euros nuk dihet se si do të jetë në të ardhmen. Kështu që është një diçka shumë e pasigurtë. Ato që janë mbyllur apo pezulluar, kam përshtypjen që do ta kenë shumë të vështirë të rihapen”,-përfundon në fjalën e tij Florian Zekja.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *