Citizens.al

Tjetër aksident nga kantieret e ndërtimit, skela zë poshtë dy kalimtarë

Dy kalimtarë janë plagosur rëndë sot nga rënia e skelës së një pallati në ndërtim, në bulevardin “Gjergj Fishta në Tiranë.

Hysen Lavdari, 70 vjeç, dhe Imelda Shkembi, 45 vjeçe janë dërguar në spitalin e Traumës, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.

“Në ambientet e Policisë janë shoqëruar inxhinieri i pallatit, shtetasi K. S., dhe punëtorët N. S., dhe A. P., për veprime të mëtejshme procedurale”,- njofton Policia.

Inxhinieri i ndërtimit Arian Lako shpjegon për Citizens Channel se përgjegjësi kryesor është  mbikëqyrësi punimeve , që duhet të kontraktohet nga ndërtuesi.

“Nuk kanë kontrolluar sigurinë e skelës, kur e kanë ndërtuar, është bërë mirë, nuk është bërë mirë, është lidhur apo jo. Edhe vetë skelat i kemi të pa testuara. Nuk njoh ndonjë nga prodhuesit e skelave që të na tregojnë sa mban një skelë. Vetëm të huajat vijnë të certifikuara, te skelat vendase s’kam parë ndonjëherë certifikatë sigurie” – analizon ai.

Lako kujton rastin e para disa viteve ku ra skela gjatë ndërtimit pranë 15 – katëshit por sërish nuk u mor asnjë masë.

“Tek ne ra tërmeti dhe vazhdojmë po me të njëjtat rregulla, vazhdojmë siç ishim! “- thekson ai.

Si sot para një muaji, një punëtor ka humbur jetën teksa punonte në kompleksin “Univers City”.Sipas njoftimit të Komisariatit Nr. 5, 38-vjeçari nuk ka qenë i lidhur në momentin që punonte në lartësi.

“Vetë punëtori duhet të jetë i trajnuar kur punon. Këto trajnimet te ne bëhen, që unë i jap disa lekë kompanisë që trajnon, ti më jep një certifikatë, kompanitë ekzistojnë po trajnimet nuk janë reale”- shpjegon Arian Lako.

Shkeljet e raportuara në Inspektoratin e Punës

Nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore raportohet se për 2022 janë shënuar 184 aksidente në punë.

Megjithatë rezulton se vetëm në 0.9 % të rasteve të punësuarit kanë njoftuar dhe denoncuar për kushte të pasigurta në punë. Ndërkohë 638 shtetas në marrëdhënie pune janë ankuar për shumë shkelje të tjera që renditen për “Citizens Channel”  nga inspektorati,  të kategorizuara me përqindje.

Ndërsa në raportin vjetor mbi kriminalitetin për vitin 2022, rezulton se vetëm 16 procedime i janë dorëzuar gjykatës, me 42  persona të akuzuar për krimin e shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë. Prej tyre u shpallën fajtor vetëm 11 persona.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW