Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Zhvlerësimi i produktit vendas përball blegtorët me qeverinë

Dhjetëra blegtorë të Gjirokastrës protestuan të enjten në urën e Kardhiqit. Ata sollën në vëmendje problemet e sektorit të nxitur nga ulja e fortë e çmimit të qumështin nga baxhot grumbulluese.

“Problemi i parë për ne është i qumështit, çmimi i qumështit. Vitin e kaluar ka qenë 160 lek, sivjet ka kërcyer në 120 lek. Ne dalim si “Nazmiu me rigonin” i thonë, biem brenda”, –shprehet Alket Stroka, blegtor i zonës.

Për Aurel Harizin, një tjetër blegtor, ky zhvlerësim i qumështit të tyre i çon në mendje heqjen dorë nga ky sektor.

Aurel Harizi, blegtor

“E marrin grumbulluesit, por ne nuk e dimë se sa do e lenë. Do ulet qumështi thonë me 1000 lek. Ne s’kemi fare fitim me të. Do i shesim tani edhe do ikim, do largohemi edhe neve, po nuk vuri dorë shteti”.

Sipas blegtorëve, ndikimin kryesor e kanë importet, dhe mungesa e mbështetjes për prodhimin vendas.

“Ne duam të shitet “Made in Albania”, të shitet qumështi jonë për djathë Gjirokastre, pra te etiketohet. Nuk duam të shesi ai qumështin tonë me qumështin tjetër dhe të përfitojë nga ne, siç kanë përfituar me vite me radhë. Duam konkurrencë të ndershme”, -shprehet Sokol Kroi, blegtor nga Kardhiqi.

Blegtorët u shprëhën se një tjetër problematikë janë subvencionet, duke qenë mjaft të ulëta krahasuar edhe me ato të rajonit.

“Termi subvencion nuk duhet të funksionojë fare. Ai quhet një sadaka, 1200 lek. Kur vendet e rajonit që ne operojmë , qoftë Sebia e ka 38 euro, Maqedonia 35 euro, Kosova shteti më i ri 28 euro. Termi subvencion këtu ka rënë. Jepet për bagëti të imta, për dele dhe për dhi, për kokë, 1200 lek për kokë”,- deklaroi Alket Stroka.

Sipas blegtorëve mos mirëmbajtja e kullotave si dhe mungesa e investimeve në lerat ujore janë shqetësuese për kullotjen e bagëtive të tyre.

Haqif Seferi, blegtor

“Shkuan 50 vjet pa venë njeri dorë në to. Unë e kam pastruar vetë lerën time, e kam të malit tim”, -shprehet Haqif Seferi, nga fshati Picari i Gjirokastrës.

Ndërsa shtojnë se si pasojë e mos mirëmbajtjes së veprave ujore bagëtitë pijnë ujë një herë në dy ditë.

Sipas Alket Strokës, kontratat për të përdorur një kullotë janë afatshkurtra, duke ju shtuar procedura burokratike.

Alket Stroka, blegtor

“Kontratat, çdo 6 muaj ne duhet të bëjmë kontratë. Kërkesë për dimër, kërkesë për behar. Përse duhet të bëhen këto gjëra, duhet të vete unë atje, kur shteti ato dokumente që ai e di se ne jemi fermerë të pajisur me nipt, i kanë atje vetë, të na i sjellin 10 vjeçare, 15 vjeçare, që edhe ne të investojmë atje, qoftë për bagëtinë, qoftë për veten ku jetojmë atje, se ne jetojmë akoma në epokën e plastmasit”,– argumenton Stroka.

Numri i bagëtisë në vend po pëson ulje vit pas viti. Sipas INSTAT në vitin 2021 numri i gjedhëve shënoi rënie me 7.25 ose 26 krerë lopë më pak se në vitin 2020. Numri i deleve ra me 5% dhe numri i dhive qëndroi thuajse pa ndryshuar.

Rendimenti mesatar vjetor i qumështit për të gjithë vendin në 2021 është 3.055 kg për krerë. Ndërsa prodhimi qumështit nga delet për vitin 2021, është 73.466 tonë.

Në vitin 2022 prodhimi i qumështin në të gjithë vendin shkoi në 970 mijë ton nga 1.1 milion ton në 2018.

Takimi me ministren e Bujqësisë: “Asnje paketë masash, përveç se kalim përgjegjësish te blegtorët”. 

Pas përfundimit të protestës blegtorët u pritën në oborrin e Njësisë Administrative të Cepos, në Gjirokastrës nga Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj dhe nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, si vijim i një turi diskutimesh që po kryen me blegtorë dhe përfaqësues të hallkave të tjera të sektorit.

“Urdhëro zonja ministre faturat. E kam dhënë vjet me 160 lek. Jam paguar kondravleftë. Jo paradhënie. Kondravleftë, pa çmim. Që kur të dali çmimi, do të marrësh lekët. Në qoftë se do të dali çmimi me 160, unë do të paguhem me 160. Në qoftë se do të dali çmim, ku do të dali çmimi?”, – iu drejtua një nga banorët e pranishëm në takim ministres Anila Denaj.

Sipas Ministres Denaj, Autoritetit Kombëtar i Ushqimit është duke kryer kontrolle në cdo baxho sa i takon sigurisë ushqimore dhe situatës së çmimeve.

Blegtorët i rreshtuan ministres problematikat e tyre, duke nisur që nga çmimi i qumështit, kullotat, konkurrenca e pandershme me produktet e importuara, mos mbështetja me subvencione dhe mos investimi në kullova dhe mirëmbajtjen e tyre.

Ministrja Denaj, në përfundim jua ngarkoi atyre përgjegjësinë, për aq kohë sa shesin pa negociim të çmimit dhe pa letër.

“Të dashurit e mi, mos jepni qumësht pa letër. Sa veta jeni ju këtu? Më thuaj një numër, sa jeni këtu? 200 veta. Edhe nja 100 që nuk janë këtu. 300 veta. Juve nuk bëheni dot bashkë përpara dhe të thoni unë nuk jap pa letër dhe pa negociuar çmim, se nuk e kuptoj?”, – u shpreh ministrja Denaj.

Sa i takon kontratave për përdorim të kullotave, ministrja Denaj kërkoi nga bashkia Gjirokastër zgjatjen e kohës së tyre për përdorim.

“Kullotat, kryetar më ndihmoni. A mund ti heqim këto 6 muaj? A mund ta kuptoni që e kanë të nevojshme këta”,- u shpreh ajo, ndërsa vijoi sërish të kërkojë bashkim të blegtorëve edhe në këtë pikë. 

“Edhe pse nuk është përgjegjësi e pushtetit qendror, por unë po të jem në modelin e biznesit, që kam 300 krerë, 400 krerë, 600 krerë se janë shumë. Ku do ti çoj këto ti kullos? Ja sot e di, ma ka dhënë kryetari për 6 muaj. Po biznesi im nuk është 6 muaj. Kur bëheni bashkë me një kontratë të thjeshtë, as noter jo, vetëm te kryetari i bashkisë të protokolluar, mendoni që do ju japë për 6 muaj? Ju duhet të kuptoni cfarë fuqie keni bashkë”.

Ndërsa për sa i takon investimeve dhe mirëmbajtjes së kullotave dhe veprave ujore, ajo sërish kërkoi nga banorët të ishin kërkues ndaj kryebashiakëve të tyre për pikat ku ka nevojë për investim, duke i trajtuar bashkitë si jo në dijeni të problemeve.

“Te të gjithë kryetarët e bashkive se këtu nuk është vetëm një bashki, janë disa bashki dhe ti thuash unë dua që për këtë investim uji të ndërhysh sepse këtu janë kaq krerë. Dhe një kopje të kësaj të ma nisësh edhe mua. Po nuk u bëtë bashkë që të bëjmë investimin e ujit, të atyre veprave që kanë qenë, ti rehabilitojmë”.

Sa i takon subvencioneve, Ministrja Denaj pranoi shumën e ulët të tyre, mirëpo nuk dha asnjë qasje konkrete për të qeverisë në këtë drejtim.

“Ne nuk e kemi marrë aprovimin nga qeveria që unë të dal hapur dhe të them sa është subvencioni. Çmimet e subvencionit, po janë 1 mijë lek dhe 1200 lek. Nuk i kemi ndryshuar. Kemi hequr pak tavanin në propozimin tonë sepse duam që nga 300 ti bëni 301,301, 303 dhe të vazhdojë subvencioni po me një shkallë më të ulët. Por ama të kuptojmë një gjë, që 300 në mendjen tuaj duhet të zhduket si dysheme”.

Bezdisje nga prania e mediave

Njoftimi për një takim mes blegtorëve dhe ministres së Bujqësisë ngjalli interes për mediat të cilat pasqyruan protestën e blegtorëve. Ndaj pritja deri në orën 14:00 kur edhe ishte njoftuar u mor e mirëqenë.

Megjithatë, të dyja ministret u shprehën të bezdisura nga kjo prani, teksa nuk hezituan ta shprehnin edhe përmes mikrofonit.

Mua më pengon pamjen me atë për të cilin kam ardhur. Nuk kam ardhur për asnjë përfaqësues mediash këtu. Nëse përfaqësuesit e medias duan takim mbas orës 4 (16:00) që të mbarojmë tani, unë dhe kolegia ime do të ulemi këtu ose ku të doni ju përfaqësues mediash që ne të bëjmë pyetje përgjigje për secilin nga ju”,- tha ministrja Anila Denaj.

Përfaqësues të mediave gjatë protestës. Foto: Erisa Kryeziu

Kjo nuk i ndaloi mediat të ndiqnin ballafaqimin mes blegtorëve dhe përfaqësuesve të qeverisë dhe përfaqësuesve lokalë. Mirëpo edhe pse të pozicionuar në pjesën anësore të rrethit të banorëve dhe blegtorëve, duke mos penguar kontaktin sy më sy të ministreve me blegtorët, sërish individë që shoqëronin grupin e zyrtarëve udhëzuan gazetarët të mbyllnin telefonat me të cilët po filmonin.

Situatë kjo e cila u prit me kundërshtim nga gazetarët, të cilët vijuan të regjistrojnë diskutimet e blegtorëve me përfaqësuesit qeveritarë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *