Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Policia shqiptare ngatërron me “trafikantët e tritolit” artistët nga Kosova të “The Handke Project”

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë”, – u shpreh në një komunikim për shtyp, Tonin Vocaj, drejtues i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.


Mirëpo “nxitimi policesk” për të dalë në konferencë për shtyp, bëri të mos përmendej fakti që si pasojë e këtij operacioni, tre artistë nga Kosova të ndaloheshin gabimisht.

Anëtarët e ekipit të shfaqjes “The Handke Project”, shfaqje e Qendrës Multimedia, një organizatë e pavarur kulturore nga Prishtina, u ndaluan sapo kaluan traun e R”rugës së Kombit”.

Të sapo kthyer nga Firence, ku interpretuan shfaqjen “The Handke Project”, pjesë e një turneu evropian, grupi i artistëve u nis nga Tirana në Prishtinë, mirëpo ngjalli dyshim te patrulla e policisë, e cila ishte në kërkim të një tjetër grupi kriminal.

Sipas kolegëve, sqarimi i vetëm që kanë marrë artistët është se emri i njërit prej pjesëtarëve të ekipit, ju ngjason me dikë që i takon një bande kriminale që dyshohet për kontrabandë tritoli.

“Në momentin e ndaljes, përpos që iu kanë ofruar policisë kartat e identitetit, kur është parë se po ndodh një ngatërresë shumë më e madhe, kolegët kanë këmbëngulur që të ofrojnë mjete të tjera për të dëshmuar. Kanë këmbëngulur që të ofrojnë pasaportat e tyre, ku policia kishte pas mundësi me e pa se kanë vulën e aeroportit të Tiranës, prej ku kanë ateruar prej Bolonjës, prej Italisë. Në të njëjtën kohë kanë ofruar me ju tregu edhe biletat e avionit. Policia ka refuzuar kategorikisht me i marrë të gjitha këto dëshmi, sepse ata kanë qenë të bindur, kanë qenë në njëfarë ngutjeje me e kompletu këtë bandën kriminale prej 5 personave”,-rrëfen për Citizens Channel Aurela Kadriu, Drejtore e Programit në Qendrën Multimedia.

Shoqërimi dhe qëndrimi prej tre orësh në oborrin e komisariatit të Kukësit është kryer pa asnjë sqarim për pretekstin e shoqërimit.

“Kolegët kanë shkuar në Komisariatin e Kukësit dhe kanë qëndruar në oborrin e komisariatit të Kukësit për rreth 3 orë, pa ju dhënë asnjë sqarim, duke u bullizuar prej policisë herë pas here që kanë shkuar te makina dhe i kanë ofenduar, ju kanë folur me ironi. Trajtimi ka qenë prej policisë sikur këta vërtetë të ishin kriminelë. Policia ka qenë dëshpërimisht në nevojë që këta me qenë pjesë e asaj bande kriminale. Kanë refuzuar kategorikisht me marrë çdo dëshmi që kolegët kanë këmbëngul me jua dhënë në lidhje me rastin dhe i kanë mbajtur aty për rreth 3 orë e gjysmë”,-sqaron më tej Aurela Kadriu.

Pas shoqërimit në Tiranë, në orën 3 të mëngjesit të së hënës, ata janë mbajtur në dhoma paraburgimi në kushte jo të favorshme.

“Ekipi ka shkuar në Tiranë dhe janë shoqëruar në mbajtje, pra në këto dhomat e mbajtjes që janë realisht dhoma burgu. E natyrisht në kushte të ftohta. Ndërkohë që në Kukës nuk ka pasur as tualet funksional, në Tiranë janë ballafaquar me të ftohtë ekstrem. Jemi duke folur për dy vajza të reja që janë pjesë e ekipit dhe për një burrë që kanë ndenjur në të ftohtë, në kushte mizerable dhe kanë ndenjur aty deri në orën 10:15 në mëngjes”,-tha për Citizens Aurela.

Gjatë qëndrimit në Komisariatin e Tiranës sipas anëtarëve të grupit të artistëve, ata janë përballur edhe me dhunë psikologjike dhe bullizëm nga ana e policisë.

“Mirëpo largoje prej bisedës të ftohtin dhe kushte fizike të qëndrimit, kanë ndenjur aty pa e ditur se janë aty. Janë trajtuar si kriminelë, pa e ditur se janë duke u trajtuar si kriminelë. E të mos flasim për bullizim prej anës së policisë. Për gjuhë seksiste ndaj dy vajzave që kanë qenë aty. Për gjuhë ofenduese, fyese dhe për dhunë psiqike, fizike ndaj ekipit që ishte aty”.

Aurela shprehet se kjo qasje e policisë shqiptare ndaj artistëve nga Kosova është e papranueshme.

“Ne merremi me teatër, prodhojmë teatër, por besomëni që policia e Shqipërisë na ka vënë në dyshim se sa jemi kreativ sepse ata ishin shumë më kreativ se ne.  Nuk kishim dit me imagjinu, me prodhu një shfaqje për këtë situatë që ka ndodhur. Artistë të mirënjohur të teatrit të cilët shoqërohen në stacion, nën masa të rrepta të sigurisë, në të njëjta makina me kriminelë të cilët akuzohen për kontrabandë tritoli”.

Sipas tyre, është dashur ndërhyrja e ambasadave të të dy vendeve dhe Ministrisë së Kulturës dhe asaj të Punëve të Brendshme në Kosovë si dhe presioni publik për të sqaruar situatën. Duke u shprehur kësisoj skeptikë, për mënyrën se si trajtohen qytetarët e thjeshtë në raste të tilla.

“Kur e di që kjo ju ka ndodhur disa njerëzve që megjithatë kanë platformë publike, janë emra të njohur, unë nuk po guxoj, ka kaluar tash një kohë prej kur ka ndodh prej dy ditësh, unë ende nuk po guxoj me mendu që ç’ka do të kishte mujt me ju ndodhë njerëzve të thjeshtë që nuk munden me bo presion dhe nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat e veta”,- u shpreh Aurela Kadriu.

Balla: “Hetim për pretendimin për keqtrajtim të ndonjë prej artistëve të trupës”

Citizens Channel iu drejtua të martën Policisë së Shtetit për një reagim për situatën. Mirëpo, përpos pranimit të kërkesës përmes e-mailit, nuk pati një përgjigje. Një ditë më pas, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh përmes një statusi në rrjetin social Facebook se është i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës për operacionin e Policisë.

“Pas mjetit të parë tip “BMW” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit”,-thuhet në komunikimin e Ministrit Balla.

Sipas tij, veprimet administrative janë kryer sipas procedurës standarde të Policisë së Shtetit, ndërsa sa i takon pretendimeve të artistëve për keqtrajtim nga ana e policisë, ka nisur një proces hetimor.

Çfarë është “The Handke Project”?

“The Handke Project” është një produksion i Qendrës Multimedia në të cilin janë përfshirë artistë nga vende të ndryshme të Evropës, sikurse nga Franca, Italia, Bosnja, Kosova dhe Shqipëria.

“Këtë shfaqje e kemi prodhuar në vitin 2022 dhe natyrisht e kemi sjellë edhe në Tiranë në prill të 2023-it. Kemi qenë në Teatrin Eksperimental dhe kemi udhëtuar në një numër të madh të vendeve evropiane me këtë shfaqje, nëpër festivale”,-sjell në kujtesë Aurela Kadriu.

“The Handke Project” ka për temë qendrore vendimin kontravers për përcjelljen e nderit të të qenit laureat i çmimit Nobel për letërsi tek shkrimtari austriak Peter Handke, përkundër mbështetjes së tij të mirë-dokumentuar për Sllobodan Millosheviqin, i cili vdiq gjatë gjyqit për krime lufte në Hagë.

Shfaqja zbërthen Handken para publikut, si dhe trajton faktin nëse ka kufij etikë e njerëzorë për një krijues.

Shfaqja është pritur shumë mirë nga kritikët dhe numëron një sërë çmimesh vlerësuese sikurse dy çmime në edicionin e 38-të të Festivalit ndërkombëtar të Teatrit Alternativ FIAT si dhe me çmimin “Shfaqja më e mirë” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.

“The Handke Project” ëshë shfaqur në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Gjermani dhe Itali.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *