Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Mendimi” i papublikuar i qeverisë

Autor: Artan Rama | Citizens Channel

Qeveria e shprehu më në fund mendimin për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. “Mendimi” ose vetëm titulli i tij, u njoftua zyrtarisht, në faqen online të Këshillit të Ministrave, pas mbledhjes të së mërkurës të 7 shkurtit, por përmbajtja nuk është publikuar ende. Fjala është për projektligjin joqeveritar që synon rishikimin e ligjit për zonat e mbrojtura natyrore. Ndryshimet u propozuan nëntorin e shkuar nga një grup prej dymbëdhjetë deputetësh socialistë.

Kuvendi njoftoi se ndryshimet do të miratohen në seancën plenare të 15 shkurtit, por Arben Pëllumbi, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit (KVPTM), është shprehur se miratimi mund të shtyhet përtej kësaj date.

Debati për ndryshimin e ligjit të zonave të mbrojtura arriti kulmin në fund të janarit, gjatë dëgjesave publike me organizatat e shoqërisë civile, të cilat u shprehën, unanimisht, kundër ndryshimeve, duke i konsideruar si të papranueshme, pasi cënojnë integritetin ekologjik e natyror të vendit.

“Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA), një nga shumë që u përfshinë në këtë betejë, kërkoi pezullimin e dëgjesave, për t’i rifilluar pasi të mbërrinte në Kuvend edhe opinioni i qeverisë.

Ndërkohë, dhënia e opinionit në mbledhjen e shkuar të qeverisë, një material i dakortësuar me mendimet e disa ministrive, rikthen tensionin mes grupeve të interesit, duke e përcjell debatin më pranë procesit përfundimtar.

Por nuk dihet ende se çfarë ka propozuar qeveria; a është njohur Kuvendi me propozimet; a i kanë lexuar deputetët, të paktën ata të cilët i propozuan këto ndryshime?

Arben Pëllumbi, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, ka deklaruar se procesi i dëgjesave do të vijojë në ditët e ardhshme.

Mirëpo, Kuvendi nuk ka dhënë asnjë informacion të ri. Në faqen ku depozitohen, zakonisht, aktet e Kuvendit nuk është publikuar asgjë e re; as në platformën e konsultimit publik të Kuvendit.

Nuk dihet se në ç ‘mënyrë do të njihet publiku me propozimet e qeverisë dhe, a do të kenë mundësi organizatat e interesuara që të debatojnë mbi propozimet e reja në një seancë të tjetër dëgjimore, përpara Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit?

Fadil Nasufi, një nga deputetët e caktuar për të relatuar ndryshimet përpara komisionit (KVPTM), tregon se pas përfundimit të procesit të dëgjesave, do të mblidhen së bashku me ekspertët e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të reflektuar propozimet e marra në projektligj.

Nëse ndodh kjo, amendimet përfundimtare rrezikojnë që t’u lihen në dorë, njëanshmërisht, një grushti deputetësh, të cilët në komunikimet përmes Zoom-it, gjatë dëgjesave, zbatuan kodin e heshtjes.

Ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura u propozuan kur opozita ishte/është jashtë Kuvendit. Pavarësisht kundërshtimeve, socialistët po tregojnë një vullnet të spikatur për t’i dërguar në seancë plenare. Ata mund t’i kalojnë lehtësisht, duke ushtruar fuqinë e votës. Por ata synojnë diçka më shumë: krijimin e një imazhi që tregon se procesi është transparent dhe gjithëpërfshirës.

Në fakt, e tërë përpjekja është një operacion i mirë llogaritur manipulimi: të përfshish shoqërinë civile, pa përfillur mendimin e saj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *