Teksa po përpiqej të raportonte përplasjet mes deputetëve dhe gardistëve, gazetari Ardit Hoxha, ra vetë pre e “dhunës” së Gardës së Republikës.
Ata ia bënë të pamundur raportimin nga kryesia e Kuvendit gazetarit të “EuroNews Albania”, me pretendimin e vetëm “nuk lejohesh”. Përplasja mes gazetarit dhe punonjësve të gardës kaloi edhe në konfrontim fizik.
“Incidenti nuk ishte gjë tjetër veçse një moment presioni dhe dhunimi nga një punonjës i gardës gjatë kohës që unë isha duke bërë punën time, duke u munduar për të përcjellë dhe për të çuar te publiku atë që po ndodhte mes deputetëve dhe gardistëve në hyrje të Komisionit të Posaçëm të reformës zgjedhore”,– u shpreh Ardit Hoxha për “Citizens Channel”.
Sipas tij, kjo situatë vjen si pasojë e një klime shumë të tensionuar nga të dyja krahët politike.
“Nuk është rasti i parë edhe në parlament në fakt, ku gazetarët ndjehen nën presion apo të dhunuar teksa kryejnë detyrën e tyre, duke raportuar, xhiruar, apo përcjellë atë që është duke ndodhur”,- tha Hoxha.
Gazetari Hoxha shprehet se incidenti duhet parë përtej gardistit që tejkaloi detyrën.
“Përveç kupolës drejtuese të Gardës, unë mendoj që gishti duhet të drejtohet edhe te kupola drejtuese e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Njëherë e përgjithmonë dhet të bëjë ndarjen mes gazetarëve që bëjnë punën dhe raportojnë zhvillimet në Kuvend, mes deputetëve/politikanëve dhe trupës së sigurisë që në këtë rast është Garda e Republikës”, – argumenton Hoxha.
Gazetari shpjegon i zhgënjyer se pas këtij incidenti, nuk pati asnjë komunikim nga Garda dhe Kuvendi për të sqaruar situatën apo për të kërkuar ndjesë.
“Kjo më ka trishtuar, sepse së paku prisja një reagim qoftë nga Kuvendi, nga drejtuesit e Kuvendit, por edhe nga Garda. Qoftë edhe një mesazh sensibilizimi apo një kërkim ndjese. I vetmi që ka kërkar ndjesë është gardisti, por ky incident nuk ka të bëjë vetëm me atë si individ, gardist apo edhe me mua personalisht si Ardit”, – përfundon ai.
Organizatat ndërkombëtare dënojnë sulmin
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurtë në Shqipëri ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Ardit Hoxha, duke e konsideruar të rrezikshme për demokracinë dhe lirinë e medias.
Njëjtë reagoi edhe rrjeti i “Media Freedom Rapid Response”, të cilët e vendosën rastin në hartën e lirisë së medias, ku shënjohet çdo sulm ndaj gazetarëve në Evropë.
“Përpara seancave plenare, gazetarët që raportojnë drejtpërdrejt duhet të jenë të pranishëm 20 minuta para fillimit të seancave dhe lejohen të hyjnë nga rojet. Megjithatë, në pamjet video shihet se gazetari është larguar nga Garda e Republikës, teksa po tentonte të hynte në sallën e mbledhjeve të Komisionit të Reformës Zgjedhore, kur ishte në detyrë për të pasqyruar një seancë plenare”,-thuhet në komunikimin e rrjetit.
Ky nuk është rasti i parë që gazetarët ndalohen nga Garda për të kryer detyrën e tyre në Kuvend. Në nëntor të vitit 2023, Garda pengoi punën e gazetarëve që raportojnë nga Kuvendi duke mos lejuar që deputetëve të partisë Socialiste dhe ministrave të kabinetit qeveritar t’ju drejtohej mikrofoni në oborrin e Kuvendit.
Ndërsa për vetë gazetarin Hoxha, një tjetër përplasje gjatë punës së tij ka qenë edhe në qershor të 2023, ku bashkë me 4 gazetarë të tjerë u përballën me kërcënime dhe dhunë verbale teksa raportonin nga kryesia e Partisë Demokratike.
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).