Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Qeverisja dixhitale penalizon pensionistët dhe zonat rurale, mungon aksesi në shërbimet online

Qytetarët e zonave rurale, grupet e margjinalizuara dhe një përqindje e lartë e moshës së tretë hasin mangësi në aksesin e shërbimeve online.

Një raport vlerësimi i Qëndresës Qytetare mbi qeverisjen digjitale, ka zbuluar se Shqipëria ka ende pengesa në ofrimin e këtye shërbimeve.

Raporti thotë se ka një disbalancë mes numrit të shërbimeve online dhe mundësisë për t’i aksesuar “nga të gjitha kategoritë e qytetarëve”.

Pengesa kryesore vjen nga niveli i ulët i aksesit në internet si dhe standardi i jetesës, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në përdorimin e shërbimeve publike online.

Raporti sugjeron se për ta zgjidhur këtë problem, ka nevojë për skema mbështetëse në zonat rurale dhe për edukim.

“Deri më sot, në Shqipëri nuk ekziston një fond për shërbimin universal ose një mekanizëm për kontribut me fonde publike për ndërtimin e infrastrukturës së këtij lloj”, vijon më tej raporti.

Mungesa e njohurive dhe mundësive për internet në shtëpi, kryesisht në zonat rurale dhe te komunitetet më vulnerabël, po rëndojnë xhepat e qytetarëve.

Si pasojë e kësaj mangësie kanë lulëzuar kancelaritë që ofrojnë shërbimet e-albania.

Ekspertët shprehen se qeveria kaloi tek shërbimet online pa pasur një strategji për përgatitjen e qytetarëve.

Kësisoj, shërbimet online pa pagesë të qeverisë, janë kthyer në mundësi biznesi për kancelaritë, duke shtrënguar xhepat e qytetarëve.

Nga të dhënat rezulton se ekzistojnë një sërë faktorësh që ndikojnë negativisht në përdorimin e shërbimeve publike online nga qytetarët.

Ndër to raporti përmend, aksesin në internet, mungesën e aksesit në pajisje TIK, mungesën e njohurive dhe aftësive teknologjike/digjitale për marrjen e shërbimeve online, mungesën e besimit në sigurinë e shërbimeve publike online, pamundësinë për ta përdorur personalisht portalin e-Albania, nivelin e të ardhurave, nivelin arsimor, përkatësisë në grupe të margjinalizuara apo kufizimeve fizike të personave të cilët e kanë të pamundur marrjen e shërbimeve personalisht.

Referuar të dhënave nga Instituti i Statistikave, Shqiëpria vijon të jetë një vend me probleme të thella sa i përket varfërisë dhe standardit të jetesës.

Rreziku për të qenë i varfër në vitin 2021 ishte 22% dhe për këtë Shqipëria renditet ndër vendet e fundit krahasuar me vendet e tjera të Rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Nisur nga këto të dhëna, raporti i QQ-së nënvizon se varfëria është një faktor që e thellon më tej vështirësinë e aksesit në këto shërbime.

“Rreziku që ky grup të përjashtohet nga marrja e shërbimeve është shumë e madhe dhe probabiliteti që ata të vazhdojnë të jetojnë në varfëri ose të rrezikohen nga varfëria do të jetë edhe më i madh”, thotë raporti.

Nga përfundimet që nxjerr raporti, vërtetohet se ka një pabarazi në ofrimin e këtyre shërbimeve.

“Vendimi i Qeverisë nuk e ka përmirësuar dhe/ose lehtësuar jetën e qytetarëve, përkundrazi ka sjellë pasoja negative”, përcjell raporti. Edhe opinioni i qytetarëve të pyetur për këtë raporti, tregon se kanë pakënaqësi.

79.6% e qytetarëve preferojnë një model të kombinuar për ofrimin e shërbimeve, online dhe nëpërmjet sporteleve fizike.

Raporti sugjeron se në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje dhe të shmangen pabarazitë, duhet të ketë sportele fizike që e ofrojnë këtë shërbim për kategoritë dhe grupet vulnerabël dhe të margjinalizuar të shoqërisë shqiptare.

Një tjetër problem i shfaqur nga ky raport  vlerësues është mungesa e sigurisë së të dhënave.

“Evidentuan faktin se sistemet elektronike dhe të dhënat personale të qytetarëve dhe bizneseve nuk ishin të sigurta”, thotë raporti.

Shqipëria është përballur pesë herë me sulme kibernetike që prej vitit 2021, duke bërë të hapura për publikun të dhëna personale si numri i telefonit, paga, apo adresa e shtëpisë. Për sulmet e fundit mbi sistemin TIMS u tha se kanë ardhur nga Irani.

Më 11 prill 2021 u bë publike një sistem të dhënash e njohur tashmë si Databaza a patronazhistëve”. 

Rrjedhja e dytë e të dhënave ndodhi më 22 dhjetor, ku  të dhënat e mbi 6 mijë qytetarëve u shpërndanë përmes WhatsApp-it. Këto të dhëna përfshinin, kartën e identitetit, vendin e punës, pagën, orët që ka punuar për një muaj si dhe një renditje nga paga më e lartë te ajo më e ulëta. Më tej u publikua një listë me pronësinë dhe targat e makinës. 

Sulmi i katërt kibernetik iu bë pikërisht e-Albania. Sulmi kibernetik u bë nga Irani, sikurse zbuloi më vonë qeveria. Të dhënat e hakuara u publikuan në një faqe në internet të quajtur “Homeland Justice”. Hakerat arritën të merrenin edhe e-maile zyrtare.

Një investigim i Microsoft së bashku me FBI-në zbuloi se hakerat kishin hyrë në sistemin shqiptar që në maj 2021.

Sipas hulumtimin të Microsoft kanë qenë katër grupe hakerash që kanë goditur në kohë të ndryshme shërbimet online. Raporti vinte në dukje se hallka e dobët kishte qenë administata.al.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *