Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“E-Albania në kancelari”, mbyllja e sporteleve rrit kostot dhe cenon sigurinë e grupeve në nevojë

Nertila Muharremi është një ndër qytetarët e prekur nga ndërtimi i Unazës së Madhe, pohon se prej pesë muajsh nuk e ka marrë bonusin e qirasë dhe rrezikon të mbetet mes katër rrugëve.

Prej digjitalizimit dhe kalimit të shërbimeve online në e-Albania, ajo has vështirësi në kryerjen e procedurave.

Aplikimi në e-Albania ne nuk e bëjmë dot. Arsyeja se duhen telefona, duhen emaile, duhen edhe pasuorde. Ne nuk i nxjerrim dot”, – shprehet Nertila për Citizens Channel. Ajo, si shumë familje të tjera, është e detyruar t’i drejtohet kancelarive për marrjen e këtyre shërbimeve, të cilat përveç se janë të kushtueshme, ngrenë shqetësime të forta për sigurinë e të dhënave personale.

Nertila Muharremi

Artjola Hasani nga organizata Treja është duke asistuar familjet në nevojë për plotësimin e dokumenteve të nevojshme që do t’u mundësonte familjeve marrjen e bonusit të qirasë.

Kemi pasur probleme me gjenerimin e dokumentacionit nga ASHK-ja që çdo person madhor i familjeve përfituese nuk janë pronarë të një prone dhe nga ALUIZNI që kërkohet vërtetimi që çdo person madhor i familjes nuk është në proces legalizimi të një ndërtese informale”, – sqaron Hasani.

Pas komunikimeve të njëpasnjëshme me vetë këto institucione, ato i kanë drejtuar drejt noterëve për bërje të procedurave.

Artjola Hasani

Vërtetimi te noteri që nuk janë pronarë të një pronësie ka kosto të papërballueshme”, – pohon Artjola Hasani, “sepse vërtetimi kërkohet për çdo person madhor dhe një familje mund të ketë mbi pesë anëtarë. Kostoja shkon nga 2000-3000 mijë lekë”.

Është puna që ne na kanë ardhur dhe pronarët, na vunë një datë të caktuar. Në qoftë se ju nuk jepni qiranë, ju do të dilni jashtë”, – plotëson Nertila. Ajo pohon se për ta është dyfish më e vështirë të gjejnë shtëpi me qira.

Ne nuk gjejmë dot shtëpi tjetër jashtë territorit të romëve se është e papërballueshme edhe ne na diskriminojnë, nuk na japin dot shtëpia me qira”.

Lulëzimi i kancelarive pas shërbimeve “online pa pagesë”

Prej muajin maj të vitit të shkuar, sportelet fizike që ofronin shërbime për qytetarët u mbyllën plotësisht dhe shërbimet kaluan online, pa pagesë, përmes portalit qeveritar e-Albania.

Ne kemi gjetur një opsion te një kancelari. Ajo kancelaria na merr në fakt shumë lekë se duhet të hapësh një pasuord, duhet ta rikujtosh emailin. Njerëzit me skamje janë përplasur atje”, – hedh poshtë Nertila, e cila përfaqëson një grup të madh njerëzish të cilët tashmë duhet të paguajnë për të marrë shërbimet si pasojë e mungesës së njohurive në përdorimin e internetit.

Sipas ekspertit të IT-së, Genti Progni, para se shërbimet të kalonin online, duhej që qeveria të përgatiste qytetarët mbi zhvendosjen dhe përdorimin e portalit e-Albania.

Kalimi i shërbimeve nga sportelet te kancelaritë, përveç kostove ekonomike, sjell edhe rrezikun e ekspozimit dhe përdorimit të të dhënave, pohon Progni.

Kushdo që të bën reset pasuordin dhe mund të shohë të gjithë të dhënat personale, mund të gjenerojë të dhëna për ne, mund të gjenerojë certifikatë pronësie, ndryshim vendbanimi, hapje biznesi, marrje kredie”, – shpjegon ai për Citizens Channel.

Citizens Channel u drejtua për të marrë informacion mbi shërbimet që ofrohen nga këto kancelari. Marrja e një fjalëkalimi kushton 200 lekë. E njëjta vlerë shkon edhe për gjenerimin e certifikatës personale apo shërbime të tjera.

“Fatura” e marrë pranë kancelarive që ofrojnë shërbime nga e-Albania

Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale tha për Citizens Channel se sa i përket çështjes në fjalë “nuk kanë administruar asnjë ankesë që lidhet specifikisht me kërkesën tuaj”, ku u theksua se “kur përpunimi i të dhënave kryhet në kundërshtim me dispozitat e ligjit, përben kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobe sipas nenit 39”.

Pasiguria kibernetike në Shqipëri

Që prej vitit 2021 Shqipëria është përballur pesë herë me sulme kibernetike dhe rrjedhje të dhënash, duke ekspozuar kështu një numër të madh të të dhënave që qytetarët ia besojnë ekskluzivisht operatorëve shtetërorë, financiare apo atyre të komunikimit masiv. Sulmet e fundit mbi sistemin TIMS iu atribuuan shtetit të Iranit.

Më herët, më 11 prill 2021 u bë publike një sistem të dhënash e njohur tashmë si “Databaza a patronazhistëve”. Raportimet treguan se databaza e krijuar nga Partia Socialiste mbante të dhënat personale të 910 mijë votuesve, përfshirë numrat e telefonit, ID, adresën, vendin e punës si dhe preferencat politike. Madje kjo databazë kishte edhe të dhëna që tregonin një përgjim të qytetarit, pasi “patronazhisti” mbante shënime mbi preferencat politike të qytetarit, si kishte ndryshuar kjo ndër vite.

Rrjedhja e dytë e të dhënave ndodhi më 22 dhjetor, ku  të dhënat e 637.138 mijë qytetarëve u shpërndanë përmes WhatsApp-it. Kjo listë përmbante të dhëna personale si numrin e kartës së identitetit, emrin, vendin e punës, pagën, pozicionin në punë, orët që ka punuar për një muaj si dhe një renditje nga paga më e lartë te ajo më e ulëta.

Pas rrjedhjes së listës së pagave u bë publike sërish një listë që përmbante të dhënat e targave të makinave, vetëm dy ditë pas publikimit të pagave.

Sulmi i katërt kibernetik ishte ai i e-Albania më 17 korrik, i cili rrëzoi të gjithë sistemin qeveritar ku janë të dhënat personale të të gjithë qytetarëve. Sulmi kibernetik u bë nga Irani, sikurse zbuloi më vonë qeveria. Të dhënat e hakuara u publikuan në një faqe në internet të quajtur “Homeland Justice”. Hakerat arritën të merrenin edhe emaile zyrtare.

Një investigim i Microsoft së bashku me FBI-në zbuloi se hakerat kishin hyrë në sistemin shqiptar që në maj 2021.

Sipas hulumtimin të Microsoft kanë qenë katër grupe hakerash që kanë goditur në kohë të ndryshme shërbimet online. Raporti vinte në dukje se hallka e dobët kishte qenë administata.al.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *