Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tiranë: Pesë vite nga tërmeti, banorët e ish-komunales të pastrehë dhe pa bonus

Dita Ndërkombëtare e Romëve i gjeti banorët e ish-komunales në Tiranë të pastrehë. 40 familje të kësaj zone, pjesa dërrmuese pjesë e komunitetit rom, u larguan nga banesat e tyre pas tërmetit të vitit 2019 për shkak të dëmtimeve që pësoi pallati ku ata jetonin. Pesë vite më pas, ata janë pa shtëpi dhe pa bonus qiraje.

Sot, banorët protestuan sërish brenda pak muajsh para bashkisë Tiranë për të kërkuar zgjidhje të strehimit të tyre.

“Jam vetëm. Pa burrë, pa njeri, kam dy muaj që fle rrugëve. Dy muaj kam marrë borxh që laj qiranë. 100 mijë lek invalid ça do bëj”,-u shpreh një nga zonjat e pranishme në protestë.

Sipas tyre, ju është premtuar nga ish-ministri i Rindërtimit dhe Kryebashkiaku Veliaj se do të marrin shtëpi sa më shpejt. Ata jetonin në këto banesa prej 25 vitesh, por nuk e kishin nën pronësi.

“Kam shtatë muaj që nuk po marr bonusin. Po lyp rrugëve po bëj lekët e qirasë. Më keni premtuar për një copë shtëpi, pse nuk ma jepni“.

Prej nëntorit të vitit 2023, banorëve iu ndërpre edhe bonusi i qirasë prej 18.000 lekësh, duke i lenë pa asnjë mbështetje.

“Kur ra tërmeti ka ardhur e dërguara e minibashkisë dhe na ka thënë që të gjithë do të dilni dhe derisa të merrni çelësat e shtëpisë ju do të trajtoheni me bonus qiraje. Në dhjetor jemi skualifikuar. Jemi që në dhjetor pa bonus. Unë jam rrugëve, jam tre muaj pa paguar qiranë”,- deklaroi një tjetër zonjë, banore pranë godinës së ish-komunales prej 25 vitesh.

Banorët janë përjashtuar nga procesi i rindërtimit me një vendim të këshillit bashkiak Tiranë, për shkak të mungesës së dokumenteve të legalizimit.

“40 familje u skualifikuan nga një vendim i Këshillit Bashkiak, ku citohej se këto familje nuk kanë të drejtën e përfitimit të strehimit për shkak se nuk kanë lidhur akt marrëveshjeje me entin kombëtar të banesave. Por që prej vitit 2009 një vendim i Këshillit të Ministrave të asaj kohe, i ka dhenë të drejtën qytetarëve që ta privatizojnë atë godinë. Për shkak të peripecive shumë të ndryshme, qoftë vështirësive burokratike shumica e banorëve nuk kanë arritur të lidhin një kontratë me entin kombëtar të banesave”,- deklaroi Ervis Daka për Citizens.

Protesta e sotme e cila përkonte edhe me Ditën Ndërkombëtare të Romëve, sipas aktivistëve tregon qartë sa pak është bërë për ti integruar ata në shoqëri.

“Sot është 8 Prilli dhe në fakt është Ditë Ndërkombëtare e Romëve, kur duhet të flasim se çfarë kemi bërë ne për romët, për ti integruar ata në shoqëri, për ti mbështetur dhe plotësuar të drejtat e tyre. Është një realitet i hidhur në fakt sepse ndonëse institucionet janë duke realizuar konferenca për të promovuar të drejtat e romëve, realiteti këtu para bashkisë tregon krejtësisht të kundërtën, që të drejtat e romëve nuk janë të plotësuar. Dhe bëhet fjalë për të drejtat më bazike të tyre, të drejtat për strehim, për të siguruar të drejtën më minimale të njeriut”,- u shpreh Ervis Çota nga Lëvizja Rinore Egjyptiane dhe Rome.

Banorët u shprehën se nëse çështja nuk do të marrë zgjidhje brenda një jave, do të rikthehen para bashkisë, kësaj here me teshat dhe çadrat e tyre.

“Në rast se nuk do të ketë një vendim pozitiv nga Enti Kombëtar i Banesave, por qoftë edhe nga bashkia e Tiranës, ky vendi këtu, ky ambienti siç e shihni do të kthehet në fjetinë“,-përfundoi Ervis Daka.

Protesta e parë e banorëve të ish-komunales para bashkisë Tiranë u mbajt në 29 janar 2024. Edhe pse u ulën në diskutime me përfaqësues të bashkisë atë kohë, ende nuk kanë marrë një zgjidhje.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *