Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

U përjashtuan nga rindërtimi; Banorët e ish-komunales protestë para bashkisë Tiranë

Banorë të zonës së ish-komunales në Tiranë protestuan sot para bashkisë Tiranë. Ata kërkuan rikthimin e bonusit të qirasë, të ndërprerë prej tre muajsh.

Familjet që banonin në këtë godinë mbetën pa strehë pas tërmetit të 2019-ës, ku si pasojë e dëmeve ndërtesa u shemb. Ata ishin pjesë e programit të rindërtimit, ku përfitonin një bonus qiraje prej 18.000 lekësh deri në nëntor të vitit 2023, kur ky bonus u ndërpre.

“Ata na premtuan që të gjithë do të merrni shtëpia, si me letra si pa letra. Do t’jua ofrojmë të gjithëve te 5-Maji, si Arben Ahmetaj, si Edi Rama si Erion Veliaj, brenda vitit na premtuan që do të futemi brenda në shtëpi. Ne sot jemi katër vjet rrugëve”-u shpreh Renato Dhiaj një prej banorëve protestues.

Banorët tregojnë se skualifikimi nga rindërtimi vjen pasi ata nuk kishin legalizim të apartamenteve ku ata banonin.

“30 vjet në shkollë të komunales. Unë jam mes katër rrugëve sot. Kur erdhën për vota, do merrni shtëpi thanë, tani jashtë, si i bëhet kjo punë?”- tha Berti Dhiaj, një tjetër banor i skualifikuar nga procesi.

Sipas ekspertëve të ligjit mohimi i të drejtës së kompensimit për këta barorë shkon kundër frymës së të drejtave të njeriut.

Është interpretuar ligji në një mënyrë aq të ngushtë siç i ka interesuar bashkisë së qytetit të Tiranës”,- argumenton Gentian Sejrani, jurist dhe përfaqësues i organizatës “Drejtësi Sociale”.

Ai shton se ka precedentë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe të Gjykatës së Lartë shqiptare, që në raste të ngjashme janë shprehur ndryshe.

Posedimi është një nga mënyrat që ti mund të provosh të përfitosh nga rimbursimi apo nga shpronësimi në raste të caktuara”, u shpreh Sejrani, duke shtuar se këto familje e kanë poseduar pronën për 30 vjet.

Për aktivistët që punojnë ngushtësisht me komunitetet, çështja e strehimit mbetet një problem ende i pazgjidhur, veçanërisht për komunitetin rom.

Romina Sefa

Kemi këtu e 10 vite që sa herë vijmë para bashkisë Tiranë kemi ardhur për çdo familje që ka pasur probleme vetëm me strehimin, vetëm me dëbimin, vetëm me dhunimin dhe sot pas 10 vitesh kur ne kemi disa ligje të miratuara, siç është ligji i strehimit social që është një bazë ligjore që i mbron këto familje, këto familje janë në qiell të hapur. Pse? Sepse institucionet kanë dështuar që të bëjnë punën e tyre ashtu siç duhet ta bëjnë. Dhe sa ngjarje të tilla do të duhet të ndodhin që vendi jonë të përparojë dhe të respektojë të drejtat e njeriut”,- u shpreh përmes megafonit aktivistja Romina Sefa.

Pas protestës para bashkisë Tiranë, një përfaqësi e banorëve u thirrën në diskutime me drejtorinë e strehimit social pranë bashkisë Tiranë. Sipas banorëve, në takim atyre iu kërkua që të aplikojnë për bonus qiraje përmes procedurave standarde, duke hequr dorë nga programi i rindërtimit. Si pasojë edhe nga e drejta për të përftuar një banesë, pas përfundimit të procesit të rindërtimit.

Për të aplikuar te ky program duhet që pronari i shtëpisë të ketë certifikatën e pronësisë, të ketë edhe një numër llogarie bankare dhe pagesa do ti kalojë qiradhënësit. Ka raste kur pronarët janë jashtë shtetit dhe lëvrimin e asaj pagese e merr një i afërm dhe nuk mund të vijë vetë pronari të marrë rrugën nga jashtë për të kryer këtë proces që kërkohet nga njësia administrative”,- u shpreh një prej banorëve pas përfundimit të takimit.

Banorët u shprehën se do të vijojnë protestën deri në marrjen seriozisht dhe adresimin e shqetësimeve të tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *