Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Raporti: Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të diskriminohen nga institucionet publike

Institucionet shtetërore në nivel vendor e qendror nuk njohin ende të drejtat dhe detyrimet ligjore të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Ky është përfundimi kryesor i një raporti monitorimi të realizuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar për nivelin e zbatimit të VKM “Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara”.

Raporti i bërë publik në fund të muajit të shkuar nxorri në pah shumë problematika që përballen çdo ditë personat e kësaj kategorie.

Nga 56 institucione të intervistuara, në nivel qëndror dhe vendor, rezultoi se vetëm 12 prej tyre kanë njohuri mbi kuadrin ligjor që garanton zbatimin e përshtashmërisë në komunikim dhe infrastrukturë për PAK dhe vetëm 7 prej institucioneve të intervistuara njohin VKM-në e mësipërme.

Vetëm 1 (një) institucion (në nivel vendor) nga 56 institucionet e intervistuara deklaron se ka përmbushur detyrimin që përcakton VKM 1074 për hartimin e planit të masave për mënjanimin e pengesave për garantimin e përshtatshmërisë në komunikim dhe infrastrukturë për të gjitha kategoritë e PAK.

Një nga detyrimet kryesore dhe njëkohësisht më minimimale i institucioneve publike është që të jenë të aksesueshëm nga çdo qytetar, por raporti ka zbuluar se ky detryim nuk zbatohet. “Në pjesën më të madhe, institucionet publike nuk garantojnë përshtashmërinë ndërtimore për tu aksesuar nga personat me aftësi të kufizuara në lëvizje dhe shikim”, thuhet në raport.

Raporti konstaton gjithashtu se “asnjë prej institucioneve publike, në nivel qëndror dhe vendor, nuk plotëson detyrimet ligjore për përdorimin e formave dhe formateve të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara si: formate të thjeshta për t’u lexuar dhe për t’u kuptuar për personat me aftësi të kufizuar intelektuale dhe vështirësi në komunikim; botimin në gjuhën Braille, në format audio apo shkrim të zmadhuar për personat me aftësi të kufizuar në shikim; shërbimin e interpretit në gjuhën shqipe të shenjave për personat që kanë aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur”.

Një sërë shërbimesh qytetarëve u ofrohen online, por nga monitorimi i faqeve në internet të institucioneve ka rezultuar se “pothuajse të gjitha faqet e internetit të institucioneve të intervistuara nuk janë të përshtatura për tu përdorur lehtësisht nga të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara”.

Duke parë situatën e vështirë Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar  i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “të ndërrmarë sa më parë hapa konkretë në përmbushje të të gjitha detyrimeve ligjore që burojnë nga aktetet ligjore dhe nënligjore në fuqi, për t’i dhënë fund kësaj situate diskriminuese që personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri hasin çdo ditë dhe në çdo aspekt të jetës së tyre”

Mosnjohja dhe moszbatimi i kuadrit ligjor në lidhje me eleminimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara janë ndër shqetësimet e përditshme që hasin ata në çdo institucion shtetëror apo privat.

“Unë shërbimet bankare i kryej vetë por vërej se në pothuajse asnjë bankë nuk kanë udhëzues apo sinjalistikë zyrash në gjuhen braille që kategoria e personave PAK të mund të udhëzohet pa ndihmën e shoqëruesve”, tregon Misjen Qordja, një i ri me vështirësi në komunikim dhe dëgjim.

 Mosnjohja e kuadrit ligjor

Prej vitesh organizatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara ngrenë zërin për të drejtat e tyre që u takojnë me ligj, por kërkesat shkojnë në vesh të shurdhët.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat shqetësuese të raportit të monitorimit, ku u evidnetua niveli i ulët i njohjes së kuadrit ligjor, që garanton përshtatshmërinë fizike dhe në komunikim për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara nga institucionet zbatuese; mungesa e zbatimit të kuadrit ligjor nga institucionet publike në nivel qëndror dhe vendor, si dhe mos marrjen e masave konkrete në përputhje me VKM 1074 dhe mungesa e funksionimit të mekanizmave të monitorimit dhe garantimit të zbatueshmërisë ligjore.

Autor: Agime Kastrati

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *