Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shkolla e Iballës në gjendje kritike, rrezikohet jeta e 120 nxënësve

Shkolla e mesme e bashkuar e Iballës në Fushë-Arrëz është e amortizuar dhe rrezikon të shembet dita-ditës, duke rrezikuar jetën e 120 nxënësve që ndjekin arsimin në këtë institucion.

Pavarësisht se ka dhjetë vite që nuk është vënë dorë në të, të gjitha institucionet thonë se nuk kanë fonde për të ndërhyrë për rikonstruksionin e saj. Gjithçka me këtë shkollë të kujton një epokë të harruar, godina tejet e amortizuar, muret me lagështirë dhe rreziku që vjen nga shembja e tarracës…

“Kemi frikë të vijmë në shkollë. Çdo mëngjes prindërit na lënë porosi që të kemi kujdes se mos na shembet në kokë tavani i rrënuar”, tregon Roni, nxënësi i klasës së X-të.

Ai bashkë më shokët e klasës janë të gëzur që kanë një gjimnaz afër zonës ku banojnë dhe që nuk duhet shumë orë për të shkuar e për të ndjekur mësimin, por nga ana tjetër janë të zhgënjyer sesi është katandisur kjo godinë.

“Unë jam nxënëse shumë e mirë, por në këto kushte kaq të mjerueshme nuk të bëhet as të mësosh”, rrëfen Jonida 16 vjeçarja.

Në një kohë që po flitet gjithnjë e më shumë për braktisjen e shkollës, sidomos të gjimnazit në shumë zona periferike të Shqipërisë, në Iballë ekziston kjo strukturë arsimore por është lënë në harresë.

Klasë në shkollën e mesme të Iballës. Foto: E. GJ / Citizens Channel
Klasë në shkollën e mesme të Iballës. Foto: E. GJ / Citizens Channel

E teksa në shumë zona të thella, për shkak të varfërisë e dëshirës për t’i martuar vajzat me të mbaruar 9 vjeçaren që “mos tu mbeten në derë” prindërit nuk i dërgojnë në gjimnaz, këtu ndodh krejt e kundërta, frika e tyre është për çështjen ekzistenciale, për mirëqënien e fëmijëve të tyre.

Shkolla e Iballës është shkolla e parë në rrethin e Pukës dhe është hapur për herë të parë në vitin 1904 me iniciativën e Monsinjor Lazër Mjedës dhe dhe Konsullatës Austro-Hungareze në Shkodër. Ajo u rikonstruktua në vitin 2004 me rastin e 100 vjetorit të saj dhe që prej 13 vitesh, në të janë bërë vetëm disa riparime të vogla. Sot, kjo shkollë është në alarm, por pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme, ende nuk ka asnjë investim.

Gëzim Pepa drejtori i shkollës thotë se ka pesë vite që kërkojnë ndërhyrjen në shkollë, duke dërguar shkresa në të gjitha institucionet, por ende nuk është bërë asnjë investim.

“Shkolla ka rreth 120 nxënës, por kushtet janë të mjerueshme. Shkolla nuk është furnizuar asnjëherë me ujë të pijshëm, ndërsa tualetet jashtë godinës të shkollës, sot janë jashtë funksionit”, tregon ai për Citizens Channel, ndërsa shton se dikur kjo shkollë ka pasur edhe konvikt për zonat e thella gjatë stinës së dimrit.

Shkolla mban dekoratat “Urdhëri Naim Frashëri”, të klasit III dhe II dhe nga bankat e saj kanë dalë shumë figura të shquara në lëmin e arsimit, kulturës dhe drejtimin e institucioneve shtetërore, ndërsa sot lëngon për pak investime.

Madje, situata bëhet edhe më kritike në stinën e dimrit, pasi zona e Iballës njihet për reshjet e shumta të borës dhe shpesh herë izolohet nga pjesa tjetër e vendit për shkak të bllokimit të rrugës së vetme, e cila e lidh këtë zonë me Fushë-Arrëzin. Pavarësisht kësaj shkolla është me soletë, çka e bën më të ngutshme nevojën për të ndërtuar një çati, e cila ndihmon edhe më shumë për të shmangur rrezikun nga reshjet e borës.

Si Bashkia e Fushë-Arrëzit, por ashtu dhe nga Ministria e Arsimit, ngrenë pretendime për investimin e munguar, por asnjëra palë nuk ka një zgjidhje, ndonëse 120 fëmijë që mësojnë aty janë në mëshirë të fatit.

Tavani i njërës prej klasave. Foto:  E. Gj / Citizens Channel
Tavani i njërës prej klasave. Foto: E. Gj / Citizens Channel

Tonin Prenga, nga Zyra e Planifikimit të Territorit, në Bashkinë Fushë-Arrëz deklaron se Bashkia Fushë-Arrëz ka dy vjet që ka marrë në dorëzim institucionin arsimor dhe në vitin e parë kanë bërë disa riparime dhe suvatime të vogla, por gjendja është tejet e rënduar. “Por, përballë kësaj situate, për shkak të buxhetit të vogël, Bashkia Fushë-Arrëz nuk ka mundësi për të rikonstruktuar këtë objekt”, thotë ai.

Për këtë arsye, Bashkia ka përgatitur një projekt, të cilin e ka dërguar pranë Ministrisë së Arsimit që më 25 gusht të viti 2016 për financim, por deri më sot nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Megjithëse duket se ka filluar numërimi mbrapsht për ta parë tavanin në tokë.

Sipas Prengës, projekti i rikonstruksionit të shkollës i dorëzuar në Ministrinë e Arsimit kap vlerën totale 15.8 milionë lekë dhe shpreson të financohet nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve.

Por, kjo duket se nuk është marrë nga konsideratë nga Ministria e Arsimit. Ministria e Arsimit tha për këtë problematikë se “për vitin 2017, Komiteti për Zhvillimin e Rajoneve ka miratuar për financim 29 objekte arsimore dhe objekti në fshatin Iballë, bashkia Fushë-Arrëz, nuk përfshihet në objektet e financuara”.

Ministria vijon më tej, duke u shprehur se “do të vlerësojë me përparësi të gjithë aplikimet, e veçanërisht ato që janë në gjendje emergjente, sikurse është edhe rasti në fjalë”.

Derisa Ministria e Arsimit ta konsiderojë emergjente ndërhyrjen në shkollën e Iballës, apo Bashkia Fushë-Arrëz të arrijë të mbledhë të ardhura për të përballuar vetë investimin, fëmijët që frekuentojnë këtë gjimnaz duhet të shkojnë në këtë shkollë, duke mbajtur veshët tek shpjegimi i mësuesve dhe sytë tek tavani i klasës, me shpresën se një ditë do të dalin nga kjo shkollë më të ditur dhe të pa lënduar. 

Autor: E. Gj / Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *